Përtej buqetave me lule, çantave të reja dhe përgatitjeve për fillimin e shkollës, emocionet e fëmijëve shpesh trazohen mes gëzimit dhe frikës, ankthit nga e panjohura, kuriozitetit dhe sfidës, pritshmërive dhe presionit për të performuar. Me shtatorin fillojnë edhe emocionet.

Nga Adela Mezini, Psikologe Këshillimi
Nisja e një viti të ri shkollor zgjon te fëmijët ndjesi të njohura, por edhe të panjohura. Për shumë prej tyre, pas entuziazmit të dukshëm mund të fshihet një realitet tjetër: “ankthi i padukshëm” i një fillimi të ri.
Zilja e parë, oborri i mbushur me zëra, rikthimi në banka, ritakimi me shokët, lotët dhe të qeshurat janë përvoja që lënë gjurmë në emocionet e fëmijëve dhe në mënyrën se si ata do ta përjetojnë këtë fillim.
Sa më të lehtë, të natyrshëm dhe të sigurt emocionalisht ta prezantojmë këtë ditë te fëmijët, aq më të lirshëm dhe të qetë do të ndihen ata.
Fëmijës i duhet kohë të përshtatet me ritmin e ri. Nuk ka nevojë të nisë menjëherë me presionin e pritshmërive jorealiste.

Shkolla nuk është një fushë beteje ku fëmija duhet të dëshmojë vlerën e tij. Ajo duhet të jetë një mjedis i përbashkët ku mësuesi dhe nxënësi kalojnë një pjesë të konsiderueshme të ditës, ku çdo fëmijë pritet me dashuri, trajtohet me respekt dhe vlerësohet për individualitetin që mbart.
Fëmijët kanë nevojë të orientohen, të ndihen të sigurt emocionalisht dhe të vlerësohen për atë që janë, jo vetëm për atë që dinë të bëjnë.
Pikërisht këtu fillon ndryshimi: në mënyrën se si ne, si prindër dhe si mësues, zgjedhim t’i shohim fëmijët tanë. Jo si performues në një arenë, por si qenie njerëzore që kanë nevojë për pranim, dashuri, mirëkuptim dhe hapësirë për t’u rritur.
Le të synojmë dhe të kërkojmë nga shkolla të jetë ai mjedis ku ndërtohet njeriu, ku zhvillohet imagjinata, zbulohen dhe mbështeten talentet, ku fëmija mëson të bashkëpunojë, të pyesë, të eksplorojë dhe të zbulojë botën. Jo thjesht një vend ku prodhohen individë që mësojnë për nota dhe stresohen për rezultate.
Të mos nxitojmë drejt vlerësimit
Për mësuesit, fillimi i vitit shkollor duhet të jetë një periudhë njohjeje, përshtatjeje dhe ndërtimi marrëdhëniesh. Nuk ka pse të nxitojmë drejt vlerësimit dhe krahasimit.
Le ta shtrojmë ngadalë dhe qetësisht rrugën e gjatë të të nxënit, pa stres, pa presion dhe pa lavdërime që vlerësojnë vetëm inteligjencën, duke lënë në hije përpjekjen.
Fëmija ka nevojë të dëgjojë se përpjekja e tij ka vlerë, se gabimi është pjesë e të mësuarit dhe se vlera e tij nuk përcaktohet nga një notë.
Edhe programet mësimore duhet të strukturohen duke marrë parasysh aftësitë, ritmin dhe nevojat e fëmijëve. Nëse ngarkesa kurrikulare është e madhe, ajo nuk duhet të transferohet automatikisht në shtëpi përmes detyrave të gjata, të përsëritura dhe me një nivel vështirësie që tejkalon mundësitë e fëmijës.
Kur detyra bëhet burim i vazhdueshëm presioni, fëmija mund të humbasë autonominë dhe besimin se ia del vetë.
Kur “më i miri” bëhet një barrë
Nga ana tjetër, ngritja e vazhdueshme e pritshmërive dhe kërkesat persistuese për performancë, pa marrë parasysh ngarkesën emocionale të fëmijëve, mund të sjellin lodhje, plogështi dhe, në raste të caktuara, edhe vetëdorëzim.
Etiketimet si “nxënësi më i mirë” apo “nxënësja më e mirë” e klasës, si edhe praktikat e evidentimit dhe dallimit të fëmijëve në tabela nderi, i përkasin një mënyre tradicionale të të menduarit mbi vlerësimin.
Shkollat moderne duhet të jenë hapësira që nxisin diversitetin, bashkëpunimin dhe zhvillimin e inteligjencave të shumëfishta.
Një fëmijë nuk është “i mirë” vetëm sepse merr nota të larta. Ai është një qenie unike, me vlera, talente, ritëm dhe mënyra të ndryshme të të mësuarit.
Prandaj, një këshillë vlen si për prindërit, ashtu edhe për mësuesit:
Le t’i lejojmë fëmijët të zhvillojnë dëshirën e tyre natyrale për të mësuar.
Pa i sforcuar. Pa ushqyer egon prindërore. Pa i shtyrë drejt dëftesës perfekte. Pa i bërë të besojnë se dashuria, vlerësimi apo krenaria jonë varen nga rezultatet e tyre.
Detyra jonë është të nxisim interesin për të mësuar gjëra të reja, në mënyrën më të natyrshme, bashkëpunuese dhe gjithëpërfshirëse të mundshme.
Të krijojmë një mjedis ku fëmija ndihet i sigurt, i dëgjuar dhe i mbështetur.
Një mjedis ku mund të bëjë pyetje pa frikë, të gabojë pa turp, të provojë përsëri pa u ndëshkuar dhe të rritet pa u krahasuar vazhdimisht me të tjerët.
Sepse dita e parë e shkollës nuk duhet të jetë dita kur fëmija mëson të ketë frikë nga dështimi.
Duhet të jetë dita kur ai nis të besojë se shkolla është një vend ku mund të mësojë, të zbulojë veten dhe të rritet.
Dhe ndoshta kjo është mënyra më e bukur për ta kthyer “ankthin e padukshëm” të një fillimi të ri në një fillim të bukur.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

