Radiografi

September 25, 2018 | 11:51

Don Paulo / King of flowers

“Lulet për lulet”. Sado të mundohen skeptikët dhe ngatërrestarët nuk do të gjejnë asgjë të gabuar tek ky figuracion mbresëlënës me origjinë të kudondodhur. Madje një togfjalësh i tillë është tërësisht i gjetur, pasi e bukur apo jo, në këtë cilësi abstrakte dhe absurde bashkë, çdo femër e meriton një lule, për më tepër kur cilësohet si e tillë.

Nga Orjona TRESA | Foto: Vlasov SULAJ

Ndaj në ëndrrën e përhershme, përrallë në qoftë ajo a një realitet gjithë ngjyrësh, gjithçka merr vlerën e duhur kur një burrë i dhuron lule gruas së tij, vetëm për rast feste apo në ditën e saj të lindjes. Vlera e të gjithës kësaj duhet të rritet dhe më, po të mendosh se një kopshtar mashkull i ka mbjellë e rritur këto lule plot kujdes, ndërsa një tjetër mashkull gjendet i gatshëm t’i kombinojë ato në të njëjtën buqetë e t’i mbledhë me një fjongo të kuqe duke i bërë gati për rrugëtimin delikat. Sepse çdo festë ka lulen e vet. Dhe jo të gjithë e dinë këtë. Por një njeri me njohuri të thella të hortikulturës do të ta jepte këtë ndihmë krejt thjesht. E në këtë mënyrë duket se janë zgjatur hallkat e zinxhirit të gjatë të meshkujve nga duart e të cilëve kalojnë lulet për të mbërritur tek mbretëresha, gruaja fatëplotë.

A mund të ketë më bukur se kaq?

Tashmë ky është një realitet erëmirë. Sepse në hyrje të rrugës “Don Bosko”, në të majtë të saj ndeshesh me një nga dyqanet më tërheqëse të luleve në Tiranë, e që quhet “Don Paulo Flowers”. Tanimë ky lokal është shndërruar në një pikë të jashtëzakonshme shërbimi. Një nga investimet që vazhdimisht kontaktohet për kërkesa të gjithfarëlloj bimësie, nga ato masivet për parqe, kopshte, vila, tek ato që përshtaten për ambiente të brendshme zyrash dhe apartamentesh, për të mbërritur te klientët besnikë, të cilët janë të gatshëm kurdoherë t’i dhurojnë tryezës gjallërinë me një lule stinore.

Pikërisht aty, te “Don Paulo Flowers” gjithçka duket e kompletuar, dhe vetja të duket si në hyrjen e një kopshti botanik, ku marrin jetë të gjitha llojet e bimëve dhe luleve. Don Paulo, ky djalë i alpeve, i rritur në një vend ku natyra me madhështinë e saj dhuronte veç dëlirësi dhe dashuri për jetën, zgjodhi ta rikthente në qëllimin e jetës si qytetar, por edhe sipërmarrës, të pasurit e një oazi gjelbërimi ku të gjithë të marrin kënaqësinë dhe hijeshinë që falin lulet. Në këtë numër të revistës “Psikologjia” Don Paulo na rrëfen dashurinë e tij të gjithhershme për lulet dhe betejën e madhe që kjo krijesë delikate të jetë e pranishme te çdo njeri, për ta fisnikëruar më shumë shpirtin e tij.

Mikpritja është një virtyt, të cilin kur e ndesh merr kënaqësi. Jemi në ambientin e “Don Paulo Flowers”. Gjithçka si jashtë dhe brenda është e sistemuar nga dora e tij, i cili në profesion është arkitekt peizazhi. Një dekor shumëngjyrësh të fton ta vizitosh nga afër. Për këdo kalon atypari, është një sinjal pozitiv, vëmendje për t’u shkëputur nga rutina, sepse lulet falin dashuri, shpresë, gëzim!

Teksa Dori kujdesej për një buqetë trëndafilash, dikush befas meriton vëmendje. Këndvështrimi floreal është i madh, syri luhatet të bëjë përzgjedhjen e rastit. Por Dori ka intuitën për t’iu përgjigjur rastit. Ajo e dallon klientin në atë çfarë dëshiron të marrë. E kështu, porosia shpejtohet dhe klientja del e lumtur nga dyqani. Si kjo ditë e hasur nga ne, ka plot të tilla. Janë dhe vajzat e tjera të grupit të “Don Paulo Flowers”, të cilat rendin t’u përgjigjen kërkesave dhe dëshirave për çdo ditë. E ndërsa puna kërkon t’i rrish mbi kokë, Megi, bashkëshortja e Don Paulos, edhe pse me foshnje disamuajshe, e gjen kohën të vijë e të japë kontributin e saj, njohëse gjithashtu e fushës.

Si nis një ditë e zakonshme e juaja?

Një ditë e zakonshme e imja nis si dita e çdo individi që e do punën dhe e dashuron atë, por me një ndryshim të vogël. Për të qenë realist, ndonjëherë rutina e punës kthehet edhe në stres. Tek unë ky stres shuhet në momentin kur doza e aromës, bukurisë dhe relaksim që më ofrojnë lulet më shoqëron qysh në startin e ditës, në atë kafenë e mëngjesit që konsumoj me bashkëshorten time dhe stafin tim, për të vijuar më pas me planin e punës, organizimin e saj, ndarjen e detyrave, me porositë dhe çdo surprizë tjetër që na rezervon dita. Mund të them me bindje që, është e vetmja punë që krahas lodhjes, njëkohësisht të dhuron paqe shpirtërore dhe një kënaqësi të pashpjegueshme që vetëm lulja di ta falë.

Kush e kërkon më shumë “Don Paulo Flowers”?

Dihet që tashmë, ne nuk jemi në hapat e parë të biznesit, në ato hapa ku punohet fort për të rrënjosur një emër. Ne bëjmë plot 11- vite në treg, dhe në këtë fazë punojmë me klientë, me klientë besnikë, me klientë elitë, me klientë që kanë informacionin dhe kulturën e luleve, por absolutisht që nuk do të përjashtoja edhe klientët e rastit, ata që zakonisht vijnë shumë bashkëpunues me ne.

Çfarë ju bën të përkushtoheni fort pas këtij profili pune?

Përkushtimi pas këtij profili pune ka nisur fillimisht si nevojë pune në rininë time në Zvicër, më pas u kthye në një pasion dhe në fund kuptova se thellë brenda meje paskam pasur një zemër të dashuruar me lulen. E skish si të ndodhte ndryshe. Çdo dashuri kurorëzohet me një fund të lumtur. Unë dhe lulet tashmë s’bëjmë dot pa njëri-tjetrin. Çdo punë që dashurohet, ka sukses dhe jetëgjatësi.

Pse duhet t’i duam lulet?

Lulet na shoqërojnë gjatë gjithë ciklit të jetës sonë. Ne njihemi me lulet që në lindje, më pas na shoqërojnë në altarin e ndërrimit të unazave, në ditën më të lumtur të njeriut, në ceremoninë martesore, dhe i gjejmë përsëri shoqëruese në mbylljen e ciklit të jetës sonë, për të na përcjellë në banesën e fundit. Mendoj se lulet janë pjesë e jetës sonë. Lulet kanë gjuhën e tyre komunikative.

Sa ndihmoni ju në përcjelljen e kësaj gjuhe duke bindur dhe klientin për arsyetimin e duhur deri te përzgjedhja e lules?

Po, sigurisht që kanë gjuhën e tyre, dhe gjuha e luleve lidhet ngushtë me rastin për të cilin dhurohet lule. Për çdo rast ka një lule që identifikon, ka një kod në llojin e saj, në ngjyrë, në numër dhe në detaje, që plotësojnë buqetën, që bëjnë diferencën dhe janë jo më të rëndësishme. P.sh: E dimë të gjithë që kur duam t’i shprehim dashurinë dikujt, trëndafili i kuq është simboli i dashurisë. Apo kur duam t’i urojmë shërim të shpejtë dikujt përdorim shumëllojshmëri lulesh dhe ngjyrash në një buqetë të vetme, kjo për t’ia bërë edhe më të bukur ditën dikujt që ndodhet brenda mureve të spitalit, apo kur duam të themi “Më fal” dikujt që pa dashur e kemi lënduar. Nuk duhet të kursehemi në numër. Nuk ka rëndësi shumë lloji i lules, mund të jetë trëndafil, zambak, apo orkide, mjafton që lulet të jetë të bardha dhe jo me pusulla të ngarkuara, fjalët dhe rreshtat duhen kursyer, janë të tepërta në rastin kur kërkojmë ndjesë. Këto janë disa shembuj të rasteve kur ne dhurojmë lule. Raste ka pafund dhe kodi i gjuhës së luleve është i gjerë, por me ndihmën tonë klienti del i kënaqur nga dyqani i luleve, duke marrë me vete buqetën e duhur për njeriun e tyre të dashur dhe duke i përcjellë pa diskutim mesazhin e duhur. Dhurimi i luleve mbetet një nga gjestet më fisnike e më të bukura dhe pa diskutim, një nga nxitëset më të mëdha të humorit tek njeriu.

Cilat janë kompozimet që kanë marrë kohë dhe vëmendje të madhe?

Janë shumë, por shumë pak kemi të publikuar me imazhe në faqet tona në rrjete sociale. Çmenduri të tilla të këndshme që na ledhatojnë humorin, të guximshme për të qenë unike, kërkojnë edhe një kosto. Të pakursyer në këto raste zakonisht tregohen ata që ne i quajmë klientë elitë. E megjithatë, unë do të tregoj disa raste për të cilat kemi pasur të drejtën e publikimit dhe do të përmendja këtu një buqetë me 1500 trëndafila të kuq nga një djalë kushtuar të dashurës së tij, e cila ka qenë një buqetë e stërmadhe. Një buqetë tjetër ka qenë po me trëndafila në formën e buzëve, që ne e kemi quajtur puthje trëndafilash, sepse kjo buqetë i është dedikuar shkëmbimit të puthjes së parë mes dy të dashuruarve. 

Një tjetër buqetë që unë do të veçoja ka qenë logoja e emisionit “Opinion” në të cilin unë dhe shumë biznesmenë të luleve kemi qenë të ftuar në të. Ka qenë një buqetë e madhe me trëndafila blu dhe të bardhë, në shenjë falënderimi për vëmendjen që kishin treguar ndaj nesh. Buqetë interesante ka qenë edhe një tjetër dedikuar një tifozi të Juventusit, që në fakt nuk ka qenë vetëm një por 10 të tilla, nga një për çdo shkronjë për të formuar emrin e ekipit Juventus vetëm me lule. E shumë surpriza të tilla, ndoshta edhe më të këndshme se këto. Kur klientët i ndajnë me ne idetë e tyre, ne jemi të parët që surprizohemi ndoshta më shumë sesa vet ata.

Si operoni me dërgesat dhe sa rëndësi ka të ndiqni nga afër gjithçka?

Sigurisht që për dërgesat ka një rregull që na shërben ne edhe klientit. Në fillim bëhet porosia (përzgjedhja e lules, numri, mënyra se si do të bëhet), dëgjohet klienti deri në fund, përllogaritet kostoja në total, bëhet pagesa e plotë ose 80% e saj, ndërsa pjesa tjetër mund të bëhet në vend kur mbërrin. Merret adresa, numri i telefonit të personit që do të mbetemi në kontakt, sepse mund të ndodhë çdo gjë si p.sh: individit që i bëhet surpriza mund të mos ndodhet në adresën e dhënë dhe ne kontaktojmë në këtë numër telefoni për të ditur si do të procedohet më tej me dërgesën. Pasi përfundon e gjithë kjo,në varësi të madhësisë, transporti kryhet me motor ose taksi, shërbim këto që mbulohen nga ne për lëvizje brenda Tiranës. Për distanca të mëdha, klienti paguan një kosto shtesë. Në fund çdo gjë në lidhje me dërgesën raportohet në dyqan. Por jo vetëm, ne kemi në funksion edhe blerjet online.

Lulet kanë personalitetin e tyre, me kë ngjasoni prej tyre dhe pse?

Me kë ngjasoj? Do të thosha që e gjej veten nga pak tek çdo lule. Kam një zemër të pastër, të brishtë, të dashur si një Orchide për qenien më të bukur që ka krijuar Zoti, femrën; kam një shpirt të bukur dhe romantik si një Trëndafil; jam energjik dhe me dëshirë të madhe për jetën si një Luledielli; jam i fortë dhe rezistent ndaj çdo sfide në jetë, i guximshëm si një Sterlicia (zogu i parajsës).

Lulet, sytë me të cilat shohim natyrën!

Lulet janë jeta. Ky është fati i tij, i shkruar ndoshta mbi vetë petalet e luleve dhe bimësisë. Flet me patos për to, sepse Don Paulo e di tanimë se në gjithë këtë investim merr oksigjenin dhe energjinë e një jete të pasur e plotësuar nga parajsa e bimësisë. Na fton të shohim më tej, aty ku mbi rreshtat në kolonë lulëzojnë fidanë të ri, filiza, zhardhokë lulesh stinore. Segmentuar në ambientin e serave, për veçantinë e disa llojeve bimësh, ndërsa në mes ambientit të tij, lulëzimin e bimëve të reja nëpër vazo balte e porcelani për dekore ambientesh të ndryshme.

Lulet më të mira që pastrojnë ajrin?

Atëherë, brenda banesave tona ose çdo ambienti të mundshëm, qofshin këto bare, restorante apo institucione etj, do të sugjeroja çdo lloj bime të mundshme me gjelbërim të përhershëm dhe me një masë të madhe gjethore, pasi janë të vetmet që mund të pastrojnë më së miri ajrin nga ndotjet, me anë të procesit të fotosintezës. E në fakt, kjo kulturë në banesat tona i ka rrënjët në një kohë akoma më të hershme. Nëse do t’ju ngacmoja memorien, gjithsecili nga ne ka pasur në shtëpi një Fikus apo një Dracenë, një Jukë apo një Seflerë. Po këto bimë do t’u sugjeroja të gjithëve, t’i mbani në ambientet ku jetoni apo kaloni një pjesë të madhe të kohës.

Lulet që i rezistojnë stinëve?

Sipas stinëve klasifikohen edhe lulet. Pra, lulet e sezonit Pranverë-Verë dhe lulet e sezonit Vjeshtë-Dimër. Tani jemi në muajin Prill, pikërisht në fillimin e sezonit Pranverë-Verë të luleve. Ndër ato më rezistentet të kësaj stine do të përmendja disa që i përshtaten më së miri klimës tonë dhe që kryesisht gjejnë një përdorim të gjerë në vendin tonë. Të tilla janë: karafilat, trëndafilat, violat, melisia, petunia, verbenat, ortensia, begonia, tagets, celosia etj., kacavjerrëset e ndryshme si: jasemini, buganvilja, jargavani etj., lule këto që i rezistojnë diellit dhe temperaturave që variojnë në vendin tonë.

A duhen llastuar lulet?

Po, patjetër. Kujdesi dhe vëmendja, koha që marrin lulet është llastimi kundrejt tyre. Mos harroni, lulet duhet t’i duash, para se të kujdesesh për to. “Don Paulo Flowers” nuk ka ndonjë sekret në dyqanin e tij. Vetëm diell, ujë dhe shumë dashuri për to!

Kujdesi që duhet të tregojmë për lulet, çfarë teknikash përdorni?

Bota e luleve është e larmishme dhe e pafund. Ato vijnë në variacione që ndryshojnë nga njëra-tjetra sipas stinëve, sipas ndarjes për ambiente të brendshme dhe për ambiente të jashtme dhe si rrjedhojë, edhe kujdesi për to nuk është i njëjtë. Disa ujiten më shpesh, disa më rrallë, disa e duan dritën, diellin, e disa jo. Disa i rezistojnë erërave, disa duhen mbrojtur nga to. Disa kanë nevojë për plehërim me aciditet të lartë, disa të tjera për një plehërim me aciditet më të ulët. Për bimë të ndryshme përdoren ushqyes të ndryshëm, që nxisin dhe stimulojnë çeljen e tyre. Preparatet që përdoren për të mbrojtur bimët nga ambientet që janë gjithmonë edhe me dëmtues, ndryshojnë për secilën, në sasi dhe në kohën për të cilën trajtohen gjatë gjithë vitit. Andaj, teknikat nuk janë të njëjta, por duhen zbatuar me rigorozitet, që lulet të kenë jetëgjatësi. Një neglizhim apo një kujdes jo i duhur, bën që lulja të thahet dhe të humbasë jetën e saj.

Jemi në pranverë, cilat janë lulet aromatike?

Lulet ndahen në dekorative dhe aromatike. Ndër aromatiket do të përmendja ato që në gjuhën popullore i quajmë erëza, dhe gjejnë përdorim të gjerë në kuzhinën e amvisave tona. Të tilla janë: borziloku, mentja, rozmarina, lavanda, rigoni i egër etj.

Lulet fatsjellëse?

Bamboo është një bimë fatsjellëse. Ulliri gjithashtu, kultivimi i të cilit simbolizon jetëgjatësinë dhe shëndetin e mirë. Kur vjen në jetë një fëmijë, një pemë ulliri do të konsiderohej si një nga dhuratat më domethënëse, duke qenë se jetëgjatësia e tij është shekullore. Pra, fëmija jetoftë dhe të rritet i fortë dhe i shëndetshëm si një ulli.

Cilat janë lulet tuaja te preferuara?

Unë i dua të gjitha lulet, por disa i dua edhe më shumë. Bonsai është një bimë e adhurueshme për t’u parë, me strukturën e tij të veçantë dhe format e çrregullta dhe të çuditshme të trungut të tij. Gardenja, që për mua mban vendin e parë ndër lulet aromatike, me një aromë ndjellëse dhe me atë trëndafilin e bardhë e të bukur që ajo çel. Kamelia, ose siç njihet ndryshe edhe trëndafili i dimrit. Në fakt ajo lulëzon në tre periudhat më të ftohta të vitit. Në dimër ka shpërthimin e saj më të madh, pastaj vazhdon në vjeshtë, dhe shumë më pak në pranverë. Në verë e humbet lulëzimin e saj, por jo gjelbërimin, sistemin gjethor. Në fakt, janë të shumta lulet që unë adhuroj, aq sa është shumë e vështirë të përzgjedh apo veçoj. Për mua lulet janë ilaçi i shpirtit të njeriut.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 130

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top