Editorial

March 27, 2020 | 8:03

Orjona Tresa: Është koha të duam dhe jo të penalizojmë!

 

Nga Orjona Tresa, Gazetare

Nga Orjona Tresa, Gazetare

Nuk është kohë penalizimesh, por qetësie e ndërgjegjësimi.

Ajo që do të dëshiroja të mos ta dëgjoja fare, po fare në këto kohë, më erdhi si refren i patjetërsueshëm. A është çasti i duhur për të përçuar mesazhe të tilla, në një kohë kur të gjithë i jemi bindur një urdhri suprem për të mirën tonë, e që kryefjalë mbizotëruese duhet të jetë QETËSIA, dhe jo PENALITETI. 

Nuk do të lakoj asnjë emër apo personazh publik që shfrytëzon çastin për ta përdorur këtë fjalë, penalitetin, në kohën dhe vendin më të pamerituar. Jo të gjithë e meritojmë, ndaj lëreni për në një kohë të dytë, kur jeta të rimarrë udhë e të mund të bëni ç’të doni me të. 

Jemi të vetëizoluar, punojmë nga shtëpia me të njëjtin ritëm, për mos me thënë më shumë nga sa parashikojnë orët zyrtare të lejuara me ligj. Kjo sepse duam dhe shumë mirë bëjmë. Paralel i kemi lejuar vetes të shfrytëzojmë të çmuarën kohë, ndërsa kemi larguar mendjen nga stresi që po shkakton bisha CoVid-19. 

Fëmijët nga ana tjetër ndjekin rregullisht kohë e pa kohë mesazhet e mësuesve nëpërmjet mjeteve të tyre elektronikë, për ta bërë sa më efektiv procesin mësimor. Angazhimit të tyre u pajtohemi edhe ne prindërit, që me gjithë detyrimet profesionale dhe ato familjare, përpiqemi t’u qëndrojmë te koka, që fëmijët të jenë sa më të dobishëm dhe aktivë. Duhet të them dhe e pranoj, se këtu ka një problematikë. Kjo javë e tretë për ta ka sjellë një shpërqendrim dhe shfokusim në dëshirën për të ndjekur siç duhet mësimet. Nuk po ambientohen dot me faktin, se kështu janë fëmijët. Kështu e ka dhe kjo punë, shtëpia nuk bëhet dot shkollë, dhe shkolla nuk bëhet dot shtëpi. Të rrënjosur në mendësinë e tyre se këto dy ambiente janë të ndara për nga funksioni, e kanë po kaq të pamundur dhe të përshtaten me rendin e ri të të mësuarit. Megjithatë, me pak ngulm dhe qëndresë, po përpiqemi t’ua bëjmë ‘të dashur’ shkollën. Por a varet nga vetë ne prindërit e gjithë kjo? Padyshim që jo. Të gjitha grupet e interesit duhet të jenë aktorë të rëndësishëm, e të gjithë duhet ta kenë të qartë se shëndeti është i pari. Ky duhet të jetë refreni që të na bëjë më të fortë për ekzistencën. Të tjerat vijnë pas. Për fëmijët akoma më shumë, të cilët duhet t’i mbrojmë kur vëmë re pasiguri, mungesë përqendrimi, dëshire për të vepruar. Sepse nëse nuk i kapim në kohë, atëherë mund të humbasim edhe esencialen më pas. E gjitha varet nga komunikimi, gjuha me të cilën zgjedh për të biseduar apo përçuar një mesazh drejt tij, në mënyrë që të mos e marrë si ndëshkim a detyrim, por si një kënaqësi. Nëse nuk e mësoi dot një formulë, nëse nuk përqendrohet në zgjidhjen e detyrave, nëse nuk arrin të përthithë mësimin e ri, prindi i pari duhet të shkëputet nga çdo gjë dhe të merret vetëm me të. Këshilluesi i parë mentor është ai. Nga ana tjetër edhe mësuesit, pavarësisht periudhës së padëshiruar për të gjithë, duhet që me maturinë e një të rrituri, të futen në këpucët e fëmijës (nxënësit), sepse tani ky nxënës është në shtëpi dhe qartësinë e situatës nuk e kupton dot si një i rritur. Atëherë? T’ia bëjë më të lehtë ngarkesën dhe të zgjedhë fjalë motivuese dhe dashurie për fëmijët. Kjo do të imponojë përveç respektit edhe përkushtim në lëndët mësimore. Nuk ka nevojë për ndëshkime, as me fjalë madje. Nuk është vendi! Por pse jo, mundet të tolerojnë, qoftë nga ndjeshmëria që krijon një notë, për t’i nxitur ata t’i rikthehen dijes si në ditë normale. E mira sjell urtësi, afërsi, respekt!

Unë vetë jam në koherencë me dy grupe shkollore ku janë të përfshirë të gjithë mësuesit e lëndës. Ndjek ecurinë e fëmijëve për çdo mësim apo ushtrime zhvillimore që jepen, dhe jam mirënjohëse për përditësimin që bëhet vazhdimisht nga mësuesit. E vështirë edhe për ta komunikojnë me grupe me nga 40 nxënës paralel për t’u shpjeguar mësimet. E megjithatë, kjo është një sfidë që natyrisht të gjithë po e heqim, por që jemi të vetëdijshëm se do të nxjerrë në pah më shumë problematika se sa lehtësira. 

Jo rastësisht punonjësit socialë janë hedhur në vijën e parë të frontit për t’iu ardhur në ndihmë të gjithëve, pa dallim gjinie apo grupmoshe. Sepse është koha për qetësinë mendore, ajo që në fakt u është luhatur të gjithëve dhe që është tjetërsuar duke u shfaqur në forma nga më të ndryshme. Duke nisur me fëmijët, për të cilën një ngjarje e tillë bllokuese, i pengon në perceptimin e saj, e për pasojë sjell shpërqendrimin dhe kalimin e një kohe jo fort produktive. 

Është koha të duam dhe jo të penalizojmë!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top