Në fokus

January 6, 2021 | 8:25

Dr. Majlinda Ziu: Ndikimi i mësuesit për të “mposhtur” modelet negative

Adoleshenca përfaqëson një periudhë të rëndësishme dhe komplekse për njeriun, sepse ndërkohë që përshkohet nga arritje dhe ndjesi shumë të bukura, ndërthuret me mjaft problematika moshore.

Rëndom quhet edhe “periudha e stuhisë”, kjo sepse një gjimnazist pëson zhvillime intensive fizike dhe emocionale, ndërkohë që në të njëjtën kohë i duhet të punojë fort për maksimizimin e potencialit të tij intelektual dhe për “shtrimin e rrugës së jetës”. Një raport i pabalancuar midis këtyre zhvillimeve, shpesh formaton një adoleshent kontradiktor dhe të pasigurt në vendimmarrjet apo veprimet e tij. Pavarësisht kompleksitetit të moshës, problematikat që ndeshen sot tek gjimnazistët janë:

Varësia nga jeta virtuale | Ndërsa, zhvillimi i teknologjisë po ndikon përherë e më tepër në zhvillimin e shoqërisë dhe në përmirësimin e jetës së saj, po shoqërohet me shtimin e varësisë së adoleshentëve ndaj botës virtuale. Këtu i referohem sidomos kohës së madhe të shpenzuar nga gjimnazistët në rrjetet sociale, në blogje mode apo make-up-i dhe largimi nga realiteti, nga kërkesat që duhet të përmbushë në këtë moshë, librat, sporti, kontributet kolektive etj. Madje, jo rrallë, gjimnazistët e sotëm njihen dhe grinden në rrjete sociale (grindje që më pas prodhojnë edhe ndeshje fizike).

Bullizmi | Ky është një fenomen kryesisht në formën verbale, i shprehur më tepër në raport me pamjen fizike apo qasjet e ndryshme të individëve të përfshirë në konflikte. Nuk mungojnë as rastet e dhunës fizike, sidomos të gjimnazistëve në moshën 15-17 vjeç.

Lidhja jo e fortë me familjen | Jo pak gjimnazistë kanë një “raport të ngrirë” me prindërit e tyre. Në Shqipëri, prindërit shpenzojnë shumë kohë në punë për të siguruar të ardhura më të larta dhe për të siguruar një të ardhme sa më të sigurt për fëmijët e tyre, ndërkohë që në mjaft raste shpenzojnë shumë pak kohë për të kuptuar problematikat e fëmijëve të tyre adoleshentë. tyre. Ka prindër, të cilët për shkak të impenjimeve që kanë apo pamundësisë për të krijuar raporte të mira me fëmijët e tyre adoleshentë, i kanë të panjohura ndjesitë, pasiguritë, dështimet apo dëshirat e fëmijëve të tyre. E në këto kushte si zgjidhje për to shihet vetëm shkolla dhe mësuesi. Në takimet me mësuesit kujdestarë apo drejtorinë e shkollës një pjesë e këtyre prindërve, shprehen se nuk arrijnë të marrin dot asnjë informacion nga fëmijët e tyre për të përditshmen. Nga bisedat me ta, kupton gjithashtu, se sjellja e fëmijës në shtëpi është krejt të ndryshme nga ajo që ai manifeston në përditshmërinë e tij në shkollë.

Ndikimi dhe punën e madhe që duhet të bëjë një mësues për të “mposhtur” klimën apo modelet negative që e rrethojnë një adoleshent sot. Në Shqipëri përditë e më tepër nxënësit dhe shkolla “ushqehen” nga politika, mediat apo rrjetet sociale, me një fjalor të papërshtatshëm dhe gjuhë dhune e cila ndikon negativisht në formimin e nxënësve.

Vulnerabiliteti i mjaft adoleshentëve ndaj promovimit të “modeleve” (sidomos në media e rrjete sociale), pra të individëve që e arrijnë lehtë dhe brenda një kohe të shkurtër “suksesin dhe mirëqenien”.

Vulnerabiliteti ndaj duhanit, drogës, alkoolit| Kjo vihet re kryesisht në gjimnazistët me pritshmëri të ulëta në rezultatet shkollore, por nuk përjashtohen edhe raste varësie të fëmijëve nga familje me nivel të mirë ekonomik.

Si prind, por edhe si mësuese me përvojë të gjatë në arsim, mendoj se roli i shkollës në zbutjen e këtyre problematikave, mbetet i pazëvendësueshëm. Në shumicën e rasteve, shkolla mbush vakumin në procesin e edukimit (krijuar nga familja apo shoqëria) dhe siguron mbështetjen e munguar ndaj gjimnazistëve. Në ato shkolla ku ka një mirëfunksionim të të gjitha hallkave (drejtori-mësuesprindër-qeveria e nxënësve), edhe problematikat janë më të vogla. Mundësi shumë të mira shkolla të ofron përmes asistencës së psikologut dhe ndihmës së oficerit të sigurisë. Prania e tyre krijon një klimë bashkëpunimi, qetësie dhe sigurie tek gjimnazistët.

Një tjetër formë ndikimi, shkolla e sotme, e realizon përmes aplikimit të kurrikulës me kompetenca, pasi ofron rrugë/metoda drejt kultivimit të kulturës së punës, të përfshirjes aktive sipas aftësive dhe potencialeve reale të çdo gjimnazisti. Edhe aplikimi në gjimnaze, i projektit “Shkolla qendër komunitare”, përveçse mundëson një përfshirje sa më të lartë të të rinjve në aktivitetet ekstrakurrrikulare, i afron ata më tepër me sportet, me aktivitetet me impakt mjedisor, social etj., si dhe ndikon në zbutjen e problematikave moshore.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 153

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top