Mirëqenie

September 14, 2018 | 8:10

Dr.Shk.M. Saimir Cenameri: Sindromi i Ovarit Polikistik: 8 gjërat që duhet të dini

*D.SH.M. Saimir Cenameri, është pedagog me kohë të plotë në departamentin e obstetrikë gjinekologjisë në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin Mjekësor të Tiranës dhe mjek obstetër gjinekolog pranë Maternitetit “Koço Gliozheni”. Djali i një prej obstetër gjinekologëve më në zë të Shqipërisë dhe me një eksperiencë pune 24-vjeçare, mjek, lektor dhe publikues, ai na ofron pjesë të përvojës së tij.

saimir

Keni akne? Nuk është vetëm problem i lëkurës suaj. Keni qimëzim të shtuar? Zgjidhja është përtej asaj estetike… Keni çrregullime të ciklit? Obezitet? Infertilitet?

…Doktori i shkencave mjekësore, njëherësh mjek dhe pedagog, Saimir Cenameri sjell informacion mbi një shqetësim që haset në femrat, jo vetëm në Shqipëri. Pasojat potenciale shëndetësore të PCO janë përgjatë të gjithë jetës. Mjekimi i PCO varet nga shfaqja klinike dhe nga dëshira e gruas për një shtatzëni. Lidhja midis peshës së tepërt, hiperandrogjenemisë, intolerancës së glukozës, anomalive menstruale dhe infertilitetit thekson nevojën për të ndryshuar stilin e jetës në gratë me sindromin ovarial policistik, veçanërisht me dietën ushqimore dhe ushtrimet fizike. Nuk do ta besonit ndikimin që stili juaj i jetës ka në shëndetin tuaj.

Sindromi i Ovarit Polikistik e dëshmon më së miri këtë. Femrat, që në adoleshencë duhet që të edukohen mbi mënyrën e shëndetshme të të jetuarit. Dietë e mirë ushqimore, larg veseve dhe një aktivitet i pasur fizik.

 Çfarë është?

Sindromi i Ovarit Polikistik (PCO) nuk është një sëmundje. Është një gjendje heterogjene, që prek 1 në 15 gra në mbarë botën. Është një nga çrregullimet më të zakonshme endokrine në gratë e moshës riprodhuese dhe shoqërohet me pasoja të konsiderueshme psikologjike, sociale dhe ekonomike.

Cilat janë shkaqet?

Shkaqet mbeten akoma të panjohura. Studimet më të fundit theksojnë komponentin genetik, stilin e jetës ose të dyja së bashku. Teorikisht, mjedisi në barkun e nënës dhe stili i jetës në fëmijërinë e hershme ndërmjetësojnë faktorët gjenetikë, duke programuar individët që të zhvillojnë PCO më vonë në jetë. Shfaqja me natyrë familjare tashmë është e njohur, dhe obeziteti ndër të tjera, duket se luan një rol të rëndësishëm.

Si manifestohet?

Shumë sisteme të organizmit përfshihen në këtë sindrom, dhe subjektet kanë shenja të çrregullimeve menstruale, infertilitetit, hirsuitizmit (shtimi i qimeve), akne, obezitet dhe sindrom metabolik. Gratë me PCO kanë një rezistencë të shtuar ndaj hormonit insulinë, dhe 10% e tyre zhvillojnë tipin 2 të diabetit si edhe kanë një risk të lartë për sëmundjet kardiovaskulare.

1

Si diagnostikohet?

Kërkohet prania e dy ose më tepër kritereve:

1.Çrregullimet ovulatore – përfshijnë oligomenorrea (prania e 8 ose më pak cikleve menstruale në vit, ose cikle që zgjatin mbi 35 ditë; dhe amenorrea -mungesa e cikleve menstruale për mbi 3 muaj e pashoqëruar me shtatzëni.

2.Shenjat të hiperandrogjenizmit: klinike (p.sh: qimëzim i shtuar, akne, etj.,) ose biokimike [dozimi në serumin e gjakut i testosteronit të lirë (T), dhe sex hormone binding protein (shbg)]. Sigurisht që duhen përjashtuar shkaqet e tjera të këtyre çrregullimeve.

3.Prania në ekografi e imazhit të ovarit polikistik.

PCO dhe infertileti

Pavarësisht se pjesa më e madhe e grave me PCO paraqesin një risk të lartë për diabetin tip 2 dhe sëmundje kardiovaskulare, shumica e tyre fillimisht zhvillojnë infertilitet anovulator. PCO mbetet një ndër shkaqet kryesore të infertilitetit në gratë.

PCO dhe shtatzënia

Prej kohësh, fokusi ka qenë në arritjen e konceptimit: pra që një grua me PCO të zhvillojë shtatzëni, por studimet tregojnë që shtatzënat me PCO kanë risk të shtuar për preklampsi, lindje të parakohshme, diabet gestacional. Kjo i bën ato subjekt të monitorimit të vazhdueshëm për riskun e shtuar të sëmundshmërisë perinatale dhe neonatale që ato paraqesin. Është ende e paqartë nëse kjo vjen nga vetë PCO, apo gjendjet shoqëruese me të si: obeziteti i gruas, metodat e trajtimit të infertilitetit dhe shtatzënitë multiple që lidhen me këtë të fundit.

Menaxhimi

Pasojat potenciale shëndetësore të PCO janë përgjatë të gjithë jetës. Mjekimi i PCO varet nga shfaqjet klinike dhe nga dëshira e gruas për një shtatzëni. Lidhja midis peshës së tepërt, hiperandrogjenemisë, intolerancës së glukozës, anomalive menstruale dhe infertilitetit thekson nevojën për të ndryshuar stilin e jetës në gratë me sindromin ovarial policistik, veçanërisht me dietën ushqimore dhe ushtrimet fizike. Kontraceptivet orale janë linjë e parë për çrregullimet e ciklit menstrual dhe hiperandrogjenemisë (aknet dhe qimezimi). Klomifeni është i linjës së parë për infertilitetin anovulator. Përgjithësisht, gratë me PCO shkojnë drejt teknikave të asistuara të riprodhimit, siç është fertilizimi in vitro. Metformina rekomandohet për anomalitë metabolike si prediabeti dhe një profilaksi kardiovaskulare duhet të merret në konsideratë.

Perspektivat e të ardhmes

Si një sëmundje heterogjene gjithëpërfshirëse, sindromi i ovarit polikistik mbetet një sfidë e së ardhmes, është ende e paqartë edhe midis debateve të shumta shkencore dhe mjekësore. Prioritet është përcaktimi i duhur i kritereve diagnostikuese, trajtimi, përcaktimi i ecurisë natyrale, shkaqeve, pasojave afatgjata dhe parandalimi. Pesha trupore duket se ka një ndikim esencial në ecurinë klinike, prandaj do e rekomandoja shumë përmirësimin e stilit të jetës tek adoleshentet dhe gratë e rritura: sa më shumë ushqime të shëndetshme dhe aktivitet të pasur fizik. Femrat duhet të edukohen dhe sensibilizohen mbi ndikimin dramatik që mënyra e jetës ka në shëndetin e tyre.

sssKlinika Gjinekologjike “Cenameri”

BLV. “Bajram Curri”, Pallati 296, Hyrja 1,

Apartamenti 2, Tiranë

Cel: +355 68 22 55 001

E-mail: [email protected]

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top