Mirëqenie

November 3, 2017 | 11:08

Dritë Ademi, poetja që i thur vargje jetës, dhimbjes njerëzore, dashurisë e trishtimit

Nana i ka sytë pej drite,

duart prej brumi të dashnisë.

Nana asht përmallim botnor,

strehë e bukurisë së shpirtit.

Nga Orjona Tresa

Të thurë vargje, për të tanimë është si një proces frymues, prej të cilit nuk mund të ndalet. Ato vijnë nga çaste të pashlyeshme përmallimi, prej dashurisë gjithërrethuese, nga dhimbja njerëzore e kashtrihshme, e bukuria e ndjesive jetësore. Kjo është intervista e parë për poeten Dritë Ademi, e cila njihet më së shumti për veprën e saj, në shtetin ku ajo jeton prej gati 30 vitesh. Vjen në një rrëfim dëshmi për jetën e saj, lidhjen e pazëvendësueshme me poezinë, çfarë e ngacmojë të krijojë dhe të cilësuarit si Poetja e Jetës.

E quan atdheun e dytë Zvicrën. Kjo me një mirënjohje të shënuar edhe falë kontributit të saj në letërsi. Poezitë e Dritës janë botuar në disa antologji gjermane dhe në një antologji shqipe, si dhe gjenden në Frankfurter Bibliothek. Ajo është vlerësuar me çmime nga autorë të mëdhenj.

INTERVISTA

Si u gjendët ju te poezia? Çfarë ju lidhi fort pas saj?

Tregimet e prindërve të për gëzimin që kanë shprehur për ardhjen time në jetë, besoj se kanë qenë kontaktet e mija të para me artin. Babai im, duke e dërguar nënën në spital për të më lindur mua, nga gëzimi i madh heq kapelën nga koka dhe e hedh në arat me grurë dhe lulëkuqe. Pastaj i ble një të re. Pas lindjes time, nëna, nga frika se unë do të vdes, qan. Një e moshuar qëllon aty afër dhe i thotë: Mos qaj, edhe nëse vdes kjo asht çikë, nuk t’i le armët vjerrun. Baba ma vë emrin Dritë.

Si fëmija i pestë në familje, jam rritur e rrethuar me dashuri dhe përkujdesje të madhe nga prindërit, vëllezërit dhe motra, megjithatë kam ndjerë një boshllëk të madh brenda. Librat, të cilat m’i siguronte vëllai i madh, kanë qenë një ngushëllim gjithashtu i madh për mua. Librat dhe shkolla. Duke u rritur e kam kuptuar se dëshiroja një botë ndryshe. Zhvillimet politike dhe lufta e popullit për liri, pozita jo e mirë e femrës shqiptare, padrejtësitë e mëdha në botë, kanë shkaktuar drama emocionale tek unë, për të shpërthyer shumë vite më vonë në vargje, pa menduar asnjëherë se jam poete.

Sa vite keni që shkruani dhe kujt ia dedikoni më së shumti vargjet tuaja?

Qysh në moshën 10-vjeçare i kam botuar poezitë e para te revista “Pionieri” që botohej atë kohë në Prishtinë. Seriozisht kam filluar të shkruaj nga viti 2010. Poezitë e mija ia kushtoj jetës, dhimbjes njerëzore, dashurisë e trishtimit.

Cili është numri i poezive tuaja dhe botimet që keni ndarë për admiruesit e vargjeve poetike?

Kam poezi të shkruara, nuk i kam numëruar. Punoj të to sa herë më merr malli, pastaj pushojmë derisa lind një poezi apo një motiv tjetër. Në vitin 2011 kam botuar një vëllim me poezi anglisht-shqip. Poezitë e mija janë botuar në disa antologji gjermane dhe në një antologji shqipe, si dhe të Frankfurter Bibliothek në Frankfurt. Gjithashtu janë botuar edhe në shumë revista dhe gazeta shqiptare. Shkruaj edhe në rrjetin social Facebook dhe në faqe të ndryshme letrare  gjermane. Jam duke punuar në një vëllim i cili shpresoj se do të botohet në Tiranë.

Cili është poeti që mbani fort pas vetes e çdo frazë e tij ju frymëzon në vazhdimësinë krijuese edhe tuajën?

Hermann Hesse, T.S. Eliot.

Po nga poetët e rinj, bashkëkombës apo të huaj, kë do të veçonit në këto kohë?

Nga poetët e rinj bashkëkombës ka shumë që i adhuroj dhe e kam të vështirë të veçoj ndonjërin apo ndonjërën, ndërsa nga të huajt është Julia Engelmann, një poete gjermane, e cila për një kohë të shkurtër u lexua nga miliona lexues.

Sa ka ndikuar poezia në jetën tuaj familjarë e jo vetëm?

Në jetën time familjare nuk ka ndryshuar asgjë. Tani kam më shumë miq, por ka edhe të atillë që më shohin me syrin kritik.

Sa e shëndosh mendërisht vargu poetik një individ?

Mua më shkakton emocione të forta poezia e mirë. Për t’u shëruar nga kjo, shkruaj ndonjë poezi vetë.

Sa e thellë është për ju bota e mendimit poetik?

Bota e mendimit poetik është hyjnore, e paskajshme. Poezia më e bukur mendoj unë, ende nuk është shkruar. Ndoshta jam unë ajo që do ta shkruaj (qesh).

Si është përjetimi real në të ndjerit në këtë dimension?

Shkruaj, jam. Të komunikosh përmes artit me të tjerët është fat dhe përgjigje. Poezia ime është vlerësuar nga poetë dhe shkrimtarë të mëdhenj të kombit, por edhe nga adhuruesit që më lexojnë në internet. Kjo më ka bërë të ndihem mirë dhe e pranuar.

Duke qenë se jetoni larg, shkruani për vendlindjen si rilindësit dikur dhe çfarë lëmi hidhni në vargjet tuaja?

Kam afër 30 vite që jetoj në Zvicër dhe Zvicra më është bërë atdheu im. Sa herë ndjej mall për vendlindjen dhe njerëzit atje, kthehem për t’u çmallur. Ndjej dashuri dhe dhimbje të madhe për popullin tim. Në përgjithësi shkruaj për jetën. Më thonë se jam poete e jetës.

A ka vëmendje ndaj poezisë sipas jush dhe si do ta këshillonit brezin e ri?

Jo. Poezia në botën shqiptare nuk lexohet dhe vlerësohet mjaft, ndërsa këtu ku unë jetoj, ka kulturë dhe traditë leximi. Të shkruarit ndoshta është vetësqarim, nuk e di ,por do t’ju thoja atyre që shkruajnë, të jenë të sinqertë me veten e tyre. Këtë ia them shpesh edhe vetes time.

poezi-drite

poezi-drite1

poezi-drite2

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com