FB

December 12, 2022 | 8:54

Duke jetuar me dhimbjen e së djeshmes, duke jetuar me paqen e së sotmes, apo duke jetuar me frikën e së nesermes?

 

 

Një nga dijetarët e hershëm Kinez si Lao Tzu, ka shtruar një tezë të gjetur me karakter të thellë psikologjik ndaj raportit të mendimeve që jetojnë me të shkuarën, mendimeve që jetojnë me të ardhmen dhe mendimeve që jetojnë me të tashmen.

besmiri

Nga Besmir Guri, psikolog shkollor

 

Ai ngriti tezën se nëse mendimet janë të përqendruara tek e shkuara, personi vuan humor të rënë, nëse mendimet e personit janë të përqendruara tek e ardhmja, përjeton frikë, ndërsa nëse personi i ka mendimet e tij të drejtuara tek e tashmja, përjeton paqe.

Duke i qëndruar analizës psikologjike, e gjitha kjo ngjan e saktë, ku përvoja e njeriut me vuajtjen apo me lumturinë, e reflekton diçka të tillë. Për ta shprehur edhe më qartë, shohim disa raste nga shëndeti mendor.

h

Humori i rënë

Depresioni edhe trauma janë gjendje me humor të rënë, të cilat vijnë për shkak se personin e mundon një ngjarje që lidhet me të shkuarën e tij të dhimbshme.

Ankthi

Ankthi bazën e tij ka frikën, ku po të vëzhgojmë me kujdes, çdo gjë që ne na frikëson, lidhet domosdo me diçka që ne kemi frikë se mund të ndodhë në vazhdim dhe asnjëherë nuk ndodh të kemi frikë për diçka që tashmë ka ndodhur.

Paqja

Paqen si një nga elementët përbërës më të rëndësishëm të lumturisë, e gjejmë të lidhur ngusht me të tashmën. Paqja ekziston së tashmi dhe nuk mund të përjetohet aktualisht vetëm për shkak se ajo ishte dje apo se ajo mund të jetë nesër.

Për të evidentuar forcën e së tashmës, shohim edhe një traditë tjetër çliruese të dhimbjes dhe kërkuese të paqes që është meditimi.

Meditimi si një praktikë e relaksimit mendor, bazën e teknikave që aplikon ka fokusimin e vëmendjes tek momenti, duke nxitur paqen e brendshme me ndihmën e së tashmës pa të shkuar e pa të ardhme.

Sigurisht që njeriu nuk mund të jetojë në mirëqenie mendore dhe shpirtërore duke e mohuar të shkuarën apo duke mos u preokupuar për të ardhmen e tij, por fjala është që ato të jenë aq të integruara dhe prezente në koshiencën e personit sa që të mos i rrëmbejnë atij të tashmen.

Po të isha i detyruar që të zgjidhja vetëm një tipar që perfaqëson raportin e njeriut me secilën kohë, të shkuarës do t’i zgjidhja pamundësinë për ta ndryshuar, të ardhmes pasigurinë dhe të tashmes mundësinë e kontrollit.

Mendimet janë forca jonë më e madhe përbërëse, pasi ato nxisin mënyrën se si ne ndihemi, nga ana tjetër mënyra se si ne ndihemi, i nxit mbrapsht me të njejtën frekuencë mendimet tona.

Ky rreth vicioz është si një lloj pimpongu, ku dy lojtarët mendimi dhe emocioni i pasojnë njëri-tjetrit të njëjtin top. Në këtë rast kemi në dorë që të zgjedhim se në cilën tavolinë do të luhet loja jonë.

Sipas këtyre rregullave, nëse loja luhet në tavolinën e së kaluarës, rezultati pritet të prodhojë vuajtjen e lart përmendur, nëse loja luhet në tavolinën e së ardhmes, pritet të prodhojë frikë, uroj që loja jote të jetë duke u luajtur më së shumti në tavolinën e së tashmes, në mënyrë që dy lojtarët e tu mendimi dhe emocioni të kenë në tavolinën e tyre topin e paqes për të të pasuar.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top