Pas ndihmës së kërkuar në emisionin ‘Njerëz në Fokus’ të gazetares Ola Bruko në ‘News24’ të një qytetareje me aftësi të kufizuara, e cila kërkoi të ndërtohet rampa (rrëshqitëse) për karrocën në pallatin ku jeton, bashkia e Tiranës është treguar e gatshme për ta ndërtuar atë falas. Alida Taluri prej 4 vitesh gjendet në karrocën me rrota për shkak të një aksidenti që pësoi në Itali, ku u rrëzua nga shkallët dhe dëmtoi shtyllën kurrizore.
Përveç fatit të saj të keq, qytetarja me aftësi të kufizuara u shpreh në emision se e kishte të vështirë të dilte nga shtëpia për shkak të infrastrukturës. Bashkëshorti i saj, Kostandin Taluri tha se kishte bërë kërkesë në bashki dhe kishte marrë edhe lejen për ndërtimin e rampës, por për momentin nuk mund ta ndërtonte.
Gjatë emisionit të dedikuar për personat me aftësi të kufizuara, zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Bardhylka Kospiri tha se po punohet shumë që të garantohen të drejtat e plota të personave me aftësi të garantuara, ndërsa deputetja e PD, Oriola Pampuri tha se ligjet janë të mira, por implementimi i tyre është i vështirë.
“Ligjet janë të mira, por implementimi i tyre është i vështirë. Unë kam pasur kontakte dhe këta persona ndihen të pambrojtura në ligj. Ata nuk e shohin veten të përfaqësuar. Personat me aftësi të kufizuar ndihen të pashpresë dhe nuk ndihen të mbështetur”- tha Pampuri.
https://www.youtube.com/watch?v=Aq5-SYMQQ2Q
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.