FB

May 1, 2023 | 8:10

Eda Bano: Ajri i mirë i Buenos Aires

 

Kur shkon në një vend që emrin e ka “të mirë”, me siguri pret të të ndodhin gjëra të mira e të bukura. Buenos Aires do të thotë “ajër i mirë”! Quhet ndryshe “Parisi i Amerikës së Jugut” dhe të gjitha këto bëjnë për të hyrë në qytet me këmbë të mbarë!

e-5

Sapo hipëm në taksinë e licensuar që priste në aeroport, ndjemë menjëherë lëvizjen e makinave dhe zhurmat e trafikut: – “Është qyteti shumë i madh Buenos Aires!”- na tha shoferi. – “Ka mbi 15 milionë banorë.”

Buenos Aires-i i Che Guevares, Evita Peronit, Maradonës dhe Kupës së Botës. Fotot dhe videot e kupës  me Messin dhe skuadrën triumfuese të Argjentinës të shfaqeshin kudo! Buenos Aires-i, qyteti i policëve të çdo rruge e rrugice në tërë kuptimin e fjalës, qyteti ku situata ndryshon nga minuta në minutë dhe ku mund të të ndodhë çdo gjë!

Kishim prerë biletën për “autobusin e kuq” shëtitës, dhe meqë po vonohej në stacion, u nisëm me këmbë për të shkuar drejt stacionit tjetër më në qendër. Kur aty kishin ngjitur një letër të bardhë ku qe shkruar: “Sot nuk punojnë stacionet 1-6”. Kështu që me hartën e autobusit në dorë u nisëm drejt Pallatit të Kongreseve. Pallati i Kongreseve shtrihet në krye të bulevardit Avenida de Mayo që është zgjatim i sheshit de Mayo, i cili nga ana e vet shtrihet përpara Pallatit Roze presidencial. Rreth Piazza de Mayo ka shumë atraksione dhe ndërtesa me rëndësi, dhe po ta marrim si qendrën e kompasit të qytetit, një rreze e rrethit përfundonte në obeliskun simbol të Buenos Aires. Përgjatë lumit që vjen shumë afër Pallatit Roze, ngrihen nga një anë gjithë ndërtesat simbolike që u përmendën dhe nga ana tjetër grupi i qiellgërvishtëseve dhe lagjet e pastra me lule dhe roje.

e-7

Në njëfarë mënyre Buenos Aires është një qytet lehtësisht i anovrueshëm edhe me këmbë, por mungesa e pemëve veçanërisht anës lumit e bëjnë të vështirë shëtitjen paraditeve me diell të nxehtë dhe baret e restorantet luksoze këtu punonin vetëm në mbrëmje. Sa më shumë i afroheshim Pallatit simbol të qytetit, pra atij të kongreseve, aq më shumë rrëmujë po shihnim në rrugë. Policët ishin shtuar si me magji dhe qëndronin tufa-tufa. Befas në rrugë po vinin makina me rimorkio të ngarkuara me kuaj. Bulevardi po mbushej me qindra kuaj dhe po aq ushtarë që mbanin kuajt si dhe dyfish më shumë ushtarë meshkuj dhe femra që ruanin anët e rrugëve, të cilat ishin mbyllur me hekura si me magji.

e-3

Turmat e njerëzve shkonin e vinin ndërkohë zhurma rritej. Pyes një grua që po shihte kuajt përtej hekurave nëse dinte gjë çfarë po ndodhte. Ajo tha që kishte kongres dhe të gjithë janë drejtuar nga kongresi sepse para se të mbahej seanca, ushtarët, oficerët dhe kalorësia do bënin paradë. Ajo na porositi që të kalonim vetëm anash kësaj rruge sepse në rrugët paralele të qytetit kundërshtarët e qeverisë bënin greva dhe nuk dihej si përfundonte situata. Madje: – “Çantën mbaje para e jo pas”,- më porositi ajo dhe më tregoi çantën e saj të hedhur përpara si xhep kanguri. E falenderuam gruan për sqarimet dhe porositë dhe vijuam drejt bulevardit kryesor. Festë e madhe. Njerëzit me banderola e flamure, në rrugë shpërndaheshin fletushka me helikopter, qendrat e punëve nxirrnin emrat e dikastereve… Më pas u njoftua shenja e paradës dhe banda e ushtrisë me të gjithë ushtarakët, ushtarët, kuajt me kalorësit zhvilluan një ecje që më kujtoi kohën e parakalimeve në vendin tim, shumë vite përpara. Ishte shumë bukur gjithë atmosfera dhe po nmë dukej vetja si nëpër filma.

Pjesa më atraktive e Buenos Aires është “La Boca”, një zonë ndryshe, ku trendi i pikturimeve të rrugës, balerinët e tangos, dyqanet me suvenire dhe lokalet ishin pjesa më e bukur e lagjes, kryevendin e së cilës e zinte stadiumi i lyer me blu e të verdhë që mirëpriste qindra turistë në ditë.

e-14

Çfarë më bënë përshtypje në Argjentinë?

– Nuk ka shumë për të të ofruar në kuptimin e vendeve turistike. Nëse doje të eksploroje më tej Argjentinën? Nuk kishe shumë mundësira.

– Njerëzit në Argjentinë ishin tepër të vëmendshëm kur u kërkoje diçka. Mirëkuptues dhe ndihmues.

– Rregullat e qarkullimit ishin të çuditshme: shoferët që ngasin makinat nuk e njihnim konceptin “vija të bardha”. Duhej të ruheshe seriozisht. Kurse kalimtarët nuk donin t’ia dinin për semaforin e kuq me përjashtim të rasteve kur s’kishin ç’të bënin.

– Argjentinasit prisnin gjatë për autobus. Radhët për të pritur autobusët ishin kudo dhe shumë të gjata, me njerëzit e rreshtuar për një, e që respektonin njëri-tjetrin.

e-2

– Në Argjentinë nuk quhet etike të kruash dhëmbët me kruajtëse dhëmbësh në publik. Në fakt askush nuk e bën. As të shfrysh hundët – (këtë të fundit e bëjnë veçanërisht evropianët – ata vdesin të shfryjnë hundët kudo që ndodhen: restorante, avion, ashensor!)

– Nuk preferohet të hahet në publik dhe veçanërisht në transportet publike. Zakonisht nuk praktikohet kjo.

– Nuk preferohen shumë fundet apo pantallonat e shkurtra, pavarësisht se e bëjnë. Si qytet super i populluar (mbi 15 milonë banorë, normalisht që çfarë nuk ka).

– Ka shumë policë. Gati në çdo segment rruge, rrugice apo shëtitore. Kudo ka policë, madje edhe shumë police femra. Nëse ndodh diçka, duket sikur mbijnë nga dheu me dhjetëra police femra e meshkuj.

– Nuk është vend 100% i sigurt. Ka disa zona si p.sh. “La Boca” ku nuk duhet të lëvizësh pas darke, apo zona të tjera “Plaza de Mayo”, “Av. Florida”, etj., ku çantën duhet ta mbash para dhe jo pas.

e-6

– Të bëjnë përshtypje “ballkonet-kafaze”. Në kuptimin që deri në katet e pesta apo gjashta edhe pse shpesh duken pallate të mira, në shumicën e lagjeve ballkonet, tarracat dhe dritaret janë kthyer si kafaze me rrjeta telash apo rrethuar me hekura.

– Në emisionet televizive flitet “pse tek të rinjtë është shtuar krimi dhe vjedhjet?” Dhe në stacionin tjetër sheh vetëm filma me vrasje-gjakosje.

– Është vend ku nga çasti në çast ndryshon situata. Mund të ndodhin tubime e protesta kurdo.

– Nuk kanë qejf të përmendësh USA, sepse a nuk janë edhe ata “amerikanë”?

– Në Buenos Aires ka shumë vende ku mund të gjesh Wi-Fi free. Thjesht tento sepse rezultati është shumë i kënaqshëm shumë shpesh.

– Kanë mish të mrekullueshëm, e qajnë gatimin, veçanërisht skarën; kanë verën dhe birrën vendase me të cilat krenohen dhe ndihen mirë kur i porosit dhe i lavdëron.

– Si shumë vende në ndryshim, duket sikur puna më e shpeshtë të jetë fusha e ndërtimit: rrugë që prishen e riparohen, kisha e fasada pallatesh në rindërtim, apartamente të rikonstruktohen.

– Leku vendas është Pesso dhe këmbimi i tij me dollarin Amerikan është i çuditshëm. Rëndom kursi është 1 dollar 350 pesos. Zyrtarisht nuk ndodh ky këmbim.

– Katër janë njerëzit më të famshëm: Che Guevara, Evita Peroni, Maradona dhe Juan Peroni. Nuk e di nëse Mesi do zërë vend në grup.

– Mbi të gjitha është një qytet i madh e i bukur, me “Ajër të mirë”, dhe i quajtur “Parisi i Amerikës së Jugut”. Të rinjtë duket të jenë të mërzitur, duan të largohen nga vendi. Njerëzit janë të pakënaqur nga qeverisja. Si kudo të rinjtë nuk pranojnë faktin që duhet punuar dhe jeta është kjo që është. Jo si ajo që paraqitet në instagrame, telenovela, filma, ku fitimi i Lekëve arrihet me magji si në përralla.

Fund!

e-4 e-10 e-11 e-12 e-14 e-15 e-16

 

 

 

By: dreamtravel.world

Eda Bano Losha

(instagram) dreamtravel.world

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top