Dëshmi

July 1, 2022 | 10:01

Eda Bano: Destinacioni Bled…

 

Në dukje një vend i vogël, një liqen dhe një ishull (i vetmi ishull në Slloveni), mund të quhet pa frikë një destinacion i veçantë që sa më shumë ta studiosh dhe vizitosh, aq më shumë kupton që është një vend i mbushur me histori, jetë, mister dhe legjenda të mrekullueshme e mahnitëse! Është Bled, destinacioni im i shpeshtë për të marrë pak qetësi e frymëzim, për t’u çlodhur dhe ripërtërirë. Ideal për fundjavat, i bukur në çdo stinë, por për mua shkëlqimin e vërtetë e merr në pranverë.

img-20220620-wa0001

Liqeni Bled është një nga destinacionet “greenest” në botë. Në vitin 2016, Sllovenia u bë vendi i parë “i gjelbër” në botë – pasi kishte arritur 96% përputhshmëri me kriteret e kërkuara të qëndrueshmërisë të organizatës ndërkombëtare, “Green Destinations”. E gjithë Sllovenia për mua është një mrekulli, veshur me një qilim kadifeje të gjelbër.

Shpesh pyes veten si ka mundësi një gjë e tillë, dhe pastaj i kam dhënë “karar” duke bindur veten se “Zoti ka qenë me pushime kur ka krijuar Slloveninë”, kaq të bukur e të gjelbëruar e ka bërë. Por askund nuk është më e dukshme kjo se në Liqenin Bled. Pavarësisht se është atraksioni më yll turistik i Sllovenisë, liqeni mbetet i paprekur. Për të vizituar ishullin dhe shijuar liqenin, sllovenët kanë vendosur rregullin që vizitorët duhet të kalojnë në ishull vetëm me varka me qira. Ose për më “rehat” turistët duhet t’i besojnë duarve të afta të një “pletnarstvo”- siç quhen vozitësit tradicionalë të Liqenit Bled.

img-20220620-wa0002

Kuriozitet interesant është fakti që roli i “pletnarstvo” dhe teknika e tyre unike e vozitjes, është e transmetuar nga brezi në brez. Ata krenohen me këtë. Varkat gjithashtu janë të ndërtuara dhe të pikturuara me dorë dhe të mirëmbajtura me dashuri. Për të parë një traditë shekullore sllovene, një shëtitje deri në ishull me një të tillë, është një aventurë që nuk harrohet.

Gjithashtu, interesant është fakti se uji i pastër i liqenit Bled është çuditërisht i ngrohtë. Edhe pse Liqeni Bled e ka origjinën e tij që në Epokën e Akullnajave, ai në fakt ushqehet nga burime të ngrohta termale. Në verë, temperatura e ujit rritet deri në 26°C, duke e bërë atë vendin e përsosur për të notuar.

img-20220620-wa0005

Thuhet se një dhëndër slloven duhet ta çojë nusen e tij të re në shkallët e bukura baroke të kishës – që të ngjisë 99 shkallët prej guri – për të siguruar një jetë të gjatë dhe të lumtur. (Unë i ngjita për vete dhe për çudi përkoi që kur i ngjita për herë të parë, isha edhe unë një “nuse e sapomartuar”- por unë nuk e di nëse vlen ky rit vetëm për dhëndurët sllovenë, apo edhe ata shqiptarë?!).

img-20220620-wa0011

Çfarë mund të bëjmë në Bled?

Ka plot për të bërë dhe parë! Aq sa së fund do mbahet mend si një eksperiencë e mrekullueshme.

– Përveç shëtitjes me varkë deri në ishull dhe ngjitjen e 99 shkallëve prej guri për të mbërritur deri lart, mundet të bëhet shëtitje në shtigjet me “rrugicat me dru” të ecjes përreth liqenit deri tek ujëvarat e bukura. Përveç ujërave të kobaltit të liqenit Bled, duhet të eksplorohet peizazhi i bukur alpin i zonës. Shtigjet e ecjes rreth liqenit bëhen në më pak se dy orë – me shumë pamje të bukura dhe stola prej druri gjatë rrugës.

– Sllovenia është gjithashtu e bekuar me një numër ujëvarash alpine, më e famshmja prej të cilave, Ujëvara e Savicës, është vetëm 40 minuta nga liqeni Bled. Adhuruesit e ecjes në këmbë do të kënaqen dhe relaksohen pa fund në peizazhet e bukura dhe pamjet që duken si të pikturuara!

img-20220620-wa0008

– Në verë, një atraksion i veçantë dhe i lezetshëm është pista e rrëshqitjes “Straza Bled“, ndërsa dimri premton ski, tregje interesante Krishtlindjesh, relaksim në llixha termale dhe male të mbushura me borë.

 

Çfarë s’duhet lënë pa provuar?

“Kremna rezina”, është një tortë kremi sllovene dhe specialitet rajonal i zonës së Liqenit Bled, e cila daton që në shekullin e 18-të. Kësaj torte të lehtë si pupël (mendoni krem vanilje, krem pastiçerie, dhe sheqer pluhur mbi petë byreku) – i është dhënë “statusi i përcaktimit të origjinës së mbrojtur”, që do të thotë se disponohet vetëm nga pastiçeritë në Liqenin Bled. Nuk “shpëton” dot pa e provuar sepse është e ekspozuar në hyrje të çdo bari vendas.

img-20220620-wa0010

Legjendat thonë:

Legjenda thotë se zanat krijuan liqenin Bled, Slloveni. Njëherë e një kohë, siç thotë historia, Liqeni Bled ishte një luginë e gjelbëruar dhe pjellore që tërhiqte barinjtë ditën dhe zanat natën. Këto të fundit erdhën për të kërcyer në tapetin e harlisur me bar të luginës. Nga frika se delet do hanin të gjithë barin, zanat u kërkuan barinjve vendas të ndërtonin një gardh rreth pistës së tyre të vallëzimit. Fatkeqësisht, barinjtë e shpërfillën kërkesën e tyre dhe së shpejti delet hëngrën të gjithë barin, duke lënë pas asgjë tjetër veç dheut të thatë dhe tokën djerrë. Si rezultat, zanat u bënë thirrje burimeve dhe përrenjve përreth që të përmbytin luginën dhe ta mbushnin me ujë. Mbeti vetëm një ishull në mes të liqenit, ku zanat mund të vazhdonin të kërcenin nën yje.

img-20220620-wa0006

Por liqeni Bled është i rrethuar edhe me shumë legjenda të tjera. Një nga këto i përket Kishës së Ishullit Bled. Kisha e bukur e ishullit Bled, e ardhur nga shekulli i 17-të, ka sigurisht legjendën e saj. Folklori tregon historinë e një gruaje të ve, e cila, pas vdekjes së të shoqit, i shndërroi stolitë e saj në një zile të veçantë. Ajo donte ta vendoste zilen në Kishën e ishullit Bled, për nder të burrit të saj. Mirëpo ndërsa transportonin zilen, ata e humbën atë në fund të liqenit gjatë një stuhie të papritur dhe bashkë me zilen në fund të liqenit u fundos varka, varkëtarët dhe vetë vejusha. Papa u prek aq shumë nga historia e saj, saqë vendosi të bënte një zile të re – ‘kambanën e dëshirave’ që qëndron ende sot në kambanore. Harrojini “puset e dëshirave”, vizitorët në kishë duhet t’i bien ‘kambanës së dëshirave’. Kambana do t’i plotësojë një dëshirë kujtdo që arrin t’i bjerë asaj tre herë me vetëm një tërheqje të litarit. E vetmja kërkesë? Thjesht duhet të besoni vërteta në Zot.

Dhe për ta mbyllur, folklori i pasur i Liqenit Bled na bën të besojmë se në një natë të kthjellët, mund të dëgjojmë zilen origjinale që bie nga fundi i liqenit. Madje, edhe këngën e zanave që krijuan këtë ishull. Kjo është mbresëlënëse!

 

By: dreamtravel.world

Eda Bano Losha

(instagram) dreamtravel.world

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top