Editorial

February 26, 2017 | 7:38

Editorial / Ju lutem njerëz, kujdes me kafshët!

Nuk ka gjë më antistres së të të vërtitet nëpër këmbë një qen race apo mace me qime të gjatë, të të lëpijë duart e të të futet nën krah që t’i fërkosh kurrizin. Kështu thonë ata që e kanë provuar këtë ndjesi. Dhe unë jam shumë dakord me dëshirën e gjithkujt për të mbajtur kafshë të zbutura në shtëpi: një qen, një mace, një kalë apo ndoshta një dhi, lopë a një derr. Nuk më shkon ndërmend të kundërshtoj preferencat e askujt, se kjo hyn tek të drejtat themelore të njeriut, por dhe të kafshëve ma do mendja. Prandaj paraprakisht u them atyre që mund ta ndjejnë veten keq, e ta cilësojë këtë shkrim si tendencioz, të mos ma marrin për ters.

Nga Orjona Tresa

Nga Orjona Tresa

Tendencë këtu nuk ka. Por ndodh dhe e kundërta. Se unë vetë, por dhe shumë njerëz të tjerë që njoh, nuk kanë asnjë dëshirë ta ndajnë strehën e tyre me turli kafshësh. Ca kanë siklet, ca të tjerë fobi… cave nuk ua mban as xhepi për atë punë. Se këto kafshë tani duan ushqim special e shampo firmato. Por gjithsesi, kafshët me kafshët e njerëzit me njerëzit. Se ç’ndryshim ka që jemi qenie humane e logjikojmë.

Kështu që unë them: bëni çfarë të doni me kafshët tuaja, por mos na e kufizoni edhe atë liri që na ka mbetur, lirinë e të shëtiturit për qejfin tonë, shijimin dhe prekjen e butë të këmbës me tokën, me barin e gjelbër dhe soditjen relaksuese të asaj cope rruge që na kthen andej nga kemi dalë në mëngjes, pragu i shtëpisë.

Para disa vitesh, “Lordi”, qeni i mëhallës, më ndërgjegjësoi për fobinë që kisha. E pra, e shihja mëngjes për mëngjes kur nisesha për punë. Përshëndetesha me të zotët e tij, sepse ata më bindën se qeni i tyre vetëm lehte e nuk të bënte gjë. Por Lordi ma punoi. Se hilacak i keq ishte. Ndërsa kthehesha një pasdreke në shtëpi, qeni me pulla kafe dhe të zeza, m’u hodh me të dyja putrat përpara dhe ia dha një të lehure aq fort, sa që u alivanosa në këmbët e pronarit të tij. U bëra për ujë të ftohtë. Dhe ujë të ftohtë më hodhën. Më spërkatën mirë e mirë me një bidon të shpuar, të cilin e përdornin për të ujitur perimet që shisnin si ambulantë aty të cepi i rrugës. Nuk kisha fuqi t’u thosha ndonjë fjalë pronarëve të qenit, por kur mblodha veten, u hodha një vështrim të vëngërt aq sa ata mbetën pa gojë.

Prej asaj dite, zemra më rreh fort sa herë shoh qen rrugës. Dhe të tillë ka boll në Tiranë. Aq shumë sa ma bëjnë rrugën skëterrë.

Mora qenin si shembull, pasi sipas një sondazhi të publikuar së fundmi, ata po dalin në raport të barabartë në numër me njerëzit. Lum si ne. Domethënë, rreth një milionë banorë ka Tiranë, por po aq, qen gjithashtu. Tmerr o tmerr. Më vjen të mos dal nga shtëpia, por nuk kam nga t’ia mbaj.

Nuk jam kundër mbajtjes së qenve. T’i mbajnë ata që e kanë me qejf atë punë. T’i lajnë e t’i lyejnë, t’i vaksinojnë e t’u japin ushqim koncentrat. Por, taksirati ynë që kemi frikë të lëmë fëmijët rrugëve, se ndoshta një ditë na i kafshon ndonjë doberman, pitbull, a rodvajler, e u lënë gjurmë të pashlyer në kujtesë!

Të gjitha këto kanë ngarkesën e vet emocionale, por ajo që ta shpif dhe ta pështiros edhe më shumë është fakti se sa kalon derën e shtëpisë ndeshesh me jashtëqitjen e tyre. Po, po. Stres i paparë, për çfarë antistresi flasin se nuk e kuptoj. Me atlete e sandale me taka ua kemi vënë këmbën nga një herë. Jo se duam, por s’kemi nga kalojmë. Tirana është kthyer në një tualet publik gjigant. Të paktën njerëzit futen poshtë urës së Lanës. Por kafshët nuk kanë qeder fare.

Nuk ka ditë të mos na shohin sytë çlirimin e qenve, në parqet e vegjël pranë shtëpisë, në oborrin e hyrjes së banimit, nëpër shkallët e pallatit e kudo tjetër. Na vjen ndot e shajmë nën dhëmbë, se nuk na e mban t’u themi ndonjë fjalë në sy atyre që i kanë lëshuar, pasi dihet, qeni e mbron të zotin, atë që i jep për të ngrënë e i kruan kurrizin. Ndaj jemi bërë me katër sy. E bëjmë rrugën me pengesa të vështirësisë së lartë. Se qëllon të shkosh në zyrë e pispillosur e me flokë të krehur në permanent, por më taka që kanë shkelur aty ku nuk duhet. Dhe pas kësaj… të rroftë i kuqi i buzëve.

 

Botuar në revistën “PSIKOLOGJIA”, në numrin 108

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com