Dëshmi

April 3, 2022 | 14:20

Edlina Losha: Ukraina apo parajsa me lule!

Nëse ka pasur ndonjëherë ndonjë vend që më është dukur i mirëqenë për bukurinë e tij, kjo ka qenë Ukraina. E hijshme, madhështore, stoike!

img-20220324-wa0087

Më është dashur të eci edhe në rrugë të ngushta e të gjata pa fund, që për të mos e zënë gjumi shoferin, ishin të mbushura me saltro ngjitëse e zbritëse, rrethuar me pemë dhe fusha të mbushura me prodhime, karburante modeste, – (shumica edhe pa fare mundësi blerjeje, diçkaje, apo të shoqëruara me tualete të thjeshtë e me dyer druri, por ku udhëtarët mbaronin punë!) Sidoqoftë, një gjë ishte e sigurt në të gjithë Ukrainën, dhe besoj se këtë e ka ndierë e provuar çdo njeri që ka udhëtuar me makinë aty: që kudo dhe në çfarëdolloj orari të lëvizësh, edhe pse mund të shkëmbehesh shumë rrallë me ndonjë makinë tjetër, shoferët gjithmonë njoftonin për postoblloqet e policisë.

Kështu që në Ukrainë, nuk kishe asnjëherë mundësi të merrje gjobë për tejkalim shpejtësie.

img-20220324-wa0092

Dhe gjithashtu, mbresëlënës dhe shumë i sigurt ishte fakti që njerëzit ishin shumë të dashur e ndihmues. Për arsyen se tabelat e rrugëve janë pothuajse të gjitha me germa cirilike, vetëm e hamendësoje qytetin ku ti ishe me atë që lexoje në hartë, por kjo sillte vështirësi, veccanërisht kur nisesh për një rrugë të tillë dhe nuk ke as internet, as navigator. Kështu që jo rrallë më duhej të pyesja njerëzit e rastësishëm në rrugë se ku ndodhesha apo për më shumë akoma, nga duhej të lëvizja më tej. Mbaj mend një rast, kur binte një shi shumë i madh, dhe për të dytën herë ne po i binim përqark një qyteze të vogël, pa mundur që të dilnim dot prej andej. Atëherë, i kërkuam ndihmë një njeriu të rastësishëm në rrugë, i cili, s’e harroj dot kurrë, aq shumë u lag nga shiu, sa i pikonte currili i ujit nga mjekra dhe vetullat kaleshe, por nuk e linte pa e sqaruar se ku të shkonim, dhe më e bukura, në gjuhën e vet. Kur e pa që ne ishim konfuzë dhe të çorientuar, siç duket tha: -“Po ju nxjerr vetë”, – dhe hipi në makinë. Pasi na nxori në rrugën kryesore, zbriti. Në mes të humbëtirës, në mes të hiçit, në mes të rrebeshit. I duhej të bënte gjithë atë rrugë mbrapsht që të paktën të kthehej aty ku e takuam.

img-20220324-wa0089

Kurse netët përgjatë Ukrainës ishin të mrekullueshme! Teksa ti kaloje fshatra e qyteza të vogla darkave, për të arritur në hotelet e rastësishme që të zinte nata, aty shihje në oborret e lokaleve plot njerëz që kërcenin kapur dorëpërdore. Hapja xhamin e makinës dhe dëgjoja tingujt e bukur. Ngrija kokën lart, shihja yjet në qiellin e pastër, pemët që parakalonin, flladi ledhatonjës i mbrëmjes më përkëdhelte fytyrën, muzika dhe alegria e njerëzve që kërcenin më mbushte me gëzim, ëndrra të bukura më shfaqeshin para syve… të gjitha këto ma kanë bërë edhe më shumë përrallore Ukrainën mua!

Mos të flasim pastaj për kishat e bukura me kupola “kokëqepe” si të lara në flori, që shkëlqenin madhështore, ca të mëdha e ca të vogla, por të gjitha të veçanta në llojin e tyre.

Kurse Kievi për mua renditet ndër qytetet më të bukura e madhështore që kam hasur. Me rrugë e bulevarde të gjera, pallatet e renda, sheshe të mëdha, alternime nga më interesantet të ndërthurjes së të resë me të vjetrën, të së thjeshtës me luksozen, të modernes me traditën. Kudo në Botë ka alternime të tilla dhe syrin e kënaq, por në Kiev kjo ishte realizuar nga mjeshtrat e teknikës dhe elitës së arkitekturës më bashkëkohore.

E bukura edhe tek njerëzit ukrainas? Pikërisht ky alternim i së thjeshtës me madhështoren është ajo që të tërheq edhe sot e kësaj dite tek ata. Që janë aq “njerës” në tërë kuptimin e fjalës, që janë “aq si ne”, siç dëgjova një nga ditët kur bëhej luftë nga një kanal televiziv. Sepse tek një ukrainas, secili nga ne gjen një copëz nga vetja dhe nga miqtë. Pra, ky vend i mrekullueshëm të linte një shije aq të mirë saqë vërtet të dukej sikur ishe i përfshirë në një përrallë të bukur.

Dhe mendoja që kjo është e mirëqenë, kështu ka qenë përherë, dhe kështu do mbetet! Prandaj, lajmi për një luftë të mundshme aty po më dukej absurde dhe gati paradoksale. Dhe që të shkatërrohet kjo mirëqenie shpirtërore është më keq se çdo gjë tjetër që njeriu mund të dëgjojë! Do doja që të ishte një ëndërr e gjitha kjo puna e luftës!

img-20220324-wa0088 img-20220324-wa0091 img-20220324-wa0093 img-20220324-wa0094 img-20220324-wa0090

By : dreamtravel.world

Eda Bano Losha (instagram) dreamtravel.world

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top