Psikofakt

May 30, 2020 | 8:03

Edlira Çepani: Rrugëtimi përmes dy Shqipërive

Para disa viteve, zgjodha të lija punën në një nga zyrat e avokatisë më të mira në Shqipëri dhe mes çudisë së miqve e merakut të prindërve, zgjodha të punoj në një organizatë ndërkombëtare që kryente aktivitetin e saj humanitar në të gjithë Shqipërinë, duke rindërtuar shkolla e qëndra shëndetësore nëpër fshatrat më të thella, duke punuar me komunitetet e margjinalizuara dhe me fëmijët në nevojë.

Edlira Çepani                                    Koordinatore Kombëtare  Rrjeti i Grave - Barazi në Vendimmarrje

Edlira Çepani
Koordinatore Kombëtare
Rrjeti i Grave – Barazi në Vendimmarrje

Kalimi nga zyrat luksoze në qendër të Tiranës, klientëve milionerë dhe jetesës brenda unazës, tek ajo Shqipëria përtej unazës (ajo që nuk duket shumë as në media, as në biseda, as në ec e jaket në jetën e përditshme të Tiranës e qyteteve të mëdha), ishte krejt ndryshe nga ç’e prisja unë. Mendoja se do lodhesha që ditën e parë, se do pendohesha për zgjedhjen, se nuk do ia dilja, por në fakt, ajo Shqipëria tjetër që njoha, ishte më e bukura!

Në fshatrat më të thella, në mes të pyjeve, pas kodrave që nuk t’i zë kurrë syri, njoha njerëz të rrallë, që mes skamjes dhe harresës ku kishin humbur, kishin sy plot mirësi dhe dashuri për jetën. Njoha fëmijë të vegjël që ndonëse larg nga e gjithë bota, me probleme pafund e të rritur në kushte migjeniane, kishin buzëqeshjen më të bukur në botë, të mbështjellë nga një aureolë plot me ëndrra! Sfidat për çdo hap nuk kishin asnjëherë të sosur, që nga fakti që unë isha një grua dhe dukej pak çudi pse isha unë e jo një burrë, në mes të fshatrave të humbur duke drejtuar punën për të ndërtuar shkolla me llaç e me tulla, e deri tek terreni i vështirë dhe infrastruktura inekzistente.

Sidoqoftë, momenti më i bukur i ditës, pas bisedave me drejtuesit vendorë e mbylljes së punëve, ishte kur më në fund mund të uleshim e të shkëmbenim dy fjalë me banorët. Eksperienca e histori sfidash e dhimbjesh, por edhe force dhe shprese, që unë s’do lodhem kurrë së i dëgjuari. Brenda çdo shtëpie, pas çdo personi që takonim rrugës së vështirë e në sytë e çdo fëmije, mund të gjeje atë shpirtin e vërtetë të shqiptarit që nuk e kishe hasur kollaj në takimet luksoze me njerëz të veshur bukur e shumë të artikuluar.

Aty mes fshatit, mes dhimbjes që të linte peshë çdo rast kur fëmijët rrinin nëpër klasa me çadra, sepse tavanët kishin çarje aq të mëdha nga të cilat hynte shiu, shihje edhe dëshirën e tyre për të mësuar, për të gëzuar me ato pak mundësi që kishin, shihje një dinjitet që rrallë e gjen rrugëve të parfumosura të qyteteve.

Shqipëria ka kaluar shumë sfida brenda një kohe të shkurtër, ka shumë varfëri e pafund probleme, ndaj veçanërisht në diskutimet e kohëve të fundit, është vënë theks tek domosdoshmëria e solidaritetit dhe bamirësia, si diçka që i ka karakterizuar bukur shqiptarët, por që ndonjëherë është bërë dhe bëhet në mënyrë të gabuar. Një shprehje e bukur e O. Wilde thotë se “Veprimi i vogël tregon mirësi, është shumëi vlefshëm se sa mendimi i madh për bërë mirë edhe unë mendoj se çdo vepër e mirë, çdo ndihmë dhe çdo shprehje solidariteti është pozitive dhe vlen për t’u promovuar, por mendoj se gjëja më e rendësishme është të mos mbetet me kaq.

Mendoj se përtej atyre ndihmave që çojmë tek dera, apo të gjërave që thjesht i dërgojmë nga larg, do ishte më mirë të shkonim edhe pak përtej. Të mos mbyllnim sytë vetëm tek momenti i varfërisë, por të merrnim një leksion jete mbi forcën që duhet për mbijetesën e shpirtit në të tillë jetë. E më pas, të shkonim edhe pak më tej, duke mos u dhënënjë peshk” e duke u larguar të kënaqur se e kemi kryer veprën tonë të mirë, por duke ndikuar që të kenë mundësisë për të mësuar të peshkojnë e duke ngritur zërin më shumë për ta, çdo ditë, derisa të gjendet zgjidhje.

Bamirësia e vërtetë në këto raste nuk përfundon tek qesja me ushqime që lihet aty për aty tek një familje, është lidhja që krijon me ta dhe forca që u jep mendimi se dikush më në fund po i dëgjon dhe po i mbështet në rrugëtimin e tyre mes vështirësive. Nga eksperiencat e gjithë këtyrë viteve, mund të them me bindje se është më bukur të mos i dërgosh gjërat, por të shkosh vetë dhe t’i çosh, të ulesh pak me njerëzit e Shqipërisë së vërtetë, t’i dëgjosh dhe do të përfitosh shumë më tepër kohë cilore se sa nga Shqipëria që sheh në media dhe në rrjetet sociale. Të mos u bësh foto, por të shënjosh me kujdes emocionin e të kuptuarit nga afër të këtij realiteti tjetër. Pasi t’i kesh dëgjuar, nuk do ta lësh më dot me aq dhe nuk do ta harrosh dot më kurrë se ka një Shqipëri tjetër, për të cilën mund të bëhet shumë më tepër, nga gjithësecili prej nesh, dhe nga e cila mund të përfitohet një mësim shumë i madh jete, duke filluar që nga dinjiteti.

Kjo Shqipëria tjetër nuk ka nevojë vetëm për ndihma dhe ushqime, ka nevojë për zë, për zemër dhe për vëmendje serioze!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top