Dëshmi

September 20, 2018 | 12:57

Egzona Ademi: Prindërit më kanë injektuar ndjenjën e mirë për martesën

Shumë përcaktime i japin martesës përkufizime të ndryshme. Në realitet, ndodh që secili të diktohet nga modeli që i është mësuar në rritjen e hershme. Për aktoren dhe këngëtaren e njohur, Egzona Ademi, vlerësimi për kurorëzimin e një çifti vjen pikërisht nga rruga që marrin dy persona që e duan njëri-tjetrin. Në fakt, ky ka qenë mesazhi i jetës i injektuar nga prindërit e saj, të cilët e kanë bërë të besojë në mirësinë që ajo e quan “martesa shpirtërore”.

Çfarë vlere merr martesa nisur nga modelet e prindërve?

Martesa, duke u nisur nga modelet e prindërve, më duket pothuajse e shenjtë, duke respektuar kodet e marrëdhënies. Duke parë në radhë të parë unë vet marrëdhënien e prindërve të mi dhe që ata e kanë konsideruar martesën “të domosdoshme”, për një rehati le të themi, stabilizim, si dhe kryesorja, për krijimin e familjes. Prindërit e mi janë njohur, fejuar, e martuar shumë shpejt, pa u njohur më përpara. 

Normalisht me diferencat e tyre, problemet, siç ndodhin në çdo marrëdhënie, por me kohë, kur ata u njohën mirë e mirë, u bënë shokë të ngushtë dhe partnerë në “krim”. Ishin një dashuri së bashku. D.m.th, ata, dashur pa dashur neve fëmijëve na kanë injektuar ndjenjën e mirë karshi martesës dhe martesa ka marrë një vlerë të konsiderueshme. Në kohën kur janë martuar prindërit e mi kanë qenë kohë të tjera dhe normalisht termi dashuri, e respekti për njëri-tjetrin kanë qenë më të besueshme dhe kanë pasur më vlerë se sa në ditët e sotme, ku janë zhvlerësuar premtimet, veprat, fjalët, dhe sot më kollaj martohesh, më kollaj divorcohesh.

Në Austri ka dalë një ligj që lejon martesën me veten, kjo për të shmangur pakënaqësitë që sjell jeta në dy. Në fakt, çfarë e bën një lidhje të shëndoshë, pa kaluar në narcizizmin e tepruar individual?

Kjo e martesës me veten më duket pak e pakuptimtë, e çuditshme. Unë jam për të pasur një partner, qoftë martuar, qoftë bashkëjetuar. Unë nuk besoj në martesë në kuptimin e zgjidhjes së problemeve, e rehatisë, duke iu referuar mentalitetit tonë. Besoj në martesën shpirtërore në një rrugë që marrin dy persona, që duan njëri-tjetrin, një sfidë. Pastaj po qe se nuk do të martohesh, është në rregull. Por, të martohesh me veten nuk më duket zgjidhje!

Martesa një domosdoshmëri apo një zgjedhje?

Unë vetë nuk jam e martuar. Për arsye të miat personale, pak dhe çështje fati, mendoj që martesa është zgjedhje, jo domosdoshmëri, por kur martohesh me personin e duhur pastaj, është një mrekulli.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 130

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top