Dëshmi

July 9, 2018 | 12:58

Elona Hyso Balliu: Hapa të sigurt drejt suksesit!

Të kesh të bukurën brenda vetes, një motiv jo thjesht frymëzues për veten, por mbi të gjitha për këdo zgjedh energjinë dhe shkëlqimin që meriton. “Zahar Event” mendon për të gjitha, për së pari për një gjendje shpirtërore pozitive në të shijuarit të atmosferës. 

Elona Hyso është sipërmarrësja që ka futur shpirtin e saj artistik për t’i ofruar qytetit të Rrogozhinës, por jo vetëm, ceremoninë e dëshiruar për gëzimet e tyre në jetë. Çdokush ka një datë të shënuar, siç mund të jetë martesa, por edhe përvjetorë, siç mund të jenë vitet kalendarike të ditëlindjeve. Për rrugëtimin e gjatë të një pune organizative në funksion të momenteve të paharruara për ata që zgjedhin “Zahar Event”, Elona rrëfen përkushtimin që ka sjellë fryte dhe lumturi te klientët.

Sa njerëz keni bërë të lumtur në sipërmarrjen që ju drejtoni?

Mendoj se janë shumë. “Zahar Event” vërtet është i ri në treg, por vetë natyra e punës është e tillë që, pjesëmarrës në një event janë të paktën 100 vetë dhe është e kuptueshme që gjërat shkojnë zinxhir. Nuset e para erdhën më pas për ngjarje të tjera të gëzuara në familjet e tyre, kështu që kjo është diçka që të impenjon çdo ditë e me tepër.

Prej sa vitesh e ushtroni këtë aktivitet?

Në fillime, në vitin 2005 merreshim vetëm me sallat e dasmave. Restorant “Tutulani” ishte ndër të parët dhe të vetmit në Rrogozhinë, zonën ku ne kemi qendrën e aktivitetin tonë, më pas në 2010 filluam të merreshim me dekoret, duke qenë se edhe baza e parë e biznesit tonë kishte të bënte me gastronominë. Me rritjen e kërkesave, para 2 vitesh vendosa ta kompletoj iniciativën tonë, duke hedhur së pari hapin për fustanet e nusërisë, e mandej plotësimin e gamës së shërbimeve, për t’u bërë një vend unik, ku i gjen të gjitha për një dasmë apo event të veçantë. Kërkesat janë rritur, duke përfshirë edhe zona jashtë Rrogozhinës, si: Lezha, Shkodra, Fieri, Tirana, Gjirokastra, etj. Kështu hapëm dhe 2 filiale të reja “Zahar Event”, njëri prej të cilëve do të jetë në qytetin tim të lindjes, në Fier. Gjithashtu, do të kompletojmë edhe më tepër gamën e shërbimeve, duke futur trajtimet estetike, për të cilat kemi marrë certifikimin në Itali.

Cili është çelësi i suksesit?

E gjithë kjo nuk arrihet vetëm, ndaj i jam shumë mirënjohëse stafit tim dhe gjithashtu bashkëpunëtorëve tanë për mbështetjen që na falin çdo ditë e më tepër. Ka shumë dëshirë e dashuri në gjithë këtë sipërmarrje, e cila rritet çdo ditë. I gjithë përkushtimi në “Zahar Event” janë hapat tanë të sigurt drejt rrugës së suksesit. Ambicia është çelësi i suksesit, si në kuadrin personal ashtu dhe atë profesional, gjithmonë në përshtatje me realitetin dhe traditën shqiptare.

Pse “Zahar” ka një domethënie?

Zahar në të vërtetë ishte i mirëmenduar dhe i mirëprojektuar që para shumë vitesh nga ana ime. Është një sipërmarrje që unë e kam ngritur me shumë dashuri dhe pasion dhe është ajo e cila ka vëmendjen time në çdo moment. Mban këtë emër, sepse më përfaqëson mua. Zahar është shkurtim i emrit tim të pagëzimit, Zaharula. Duke qenë se njerëzit e kishin më për mbarë dhe shkurt emrin Elona, më mbeti ky emër me të cilin më njohin pothuajse të gjithë. Një tjetër domethënie, e cila ishte jo më pak vendimtare, është se ka një kuptim shumë të ëmbël, do të thotë sheqer, dhe ne dëshirojmë që siç kemi emrin të sjellim për të gjitha nuset apo klientët tanë vetëm ëmbëlsi dhe dashuri në jetën e tyre. Gjithashtu Zahar do të thotë shkëlqim, dritë dhe lulëzim. E përmbledhur në një, Zahar thjesht jep urimin për shkëlqim, ëmbëlsi e rrezatim dashurie jo vetëm për eventin, por në çdo ditë të jetës.

Si nis një organizim festiv?

Çdo gjë nis me dëshirat e klientit, dëgjohet me shumë vëmendje nga stafi ynë në çdo fjali, për të perceptuar edhe detajin më të vogël. Është hapi i parë, që më pas përpunohet dhe do të saktësojë atë çfarë është më e rëndësishme, tematikën mbi të cilën do të punohet dhe do të ngrihen të gjitha detajet, duke u nisur edhe nga stina se kur do të bëhet eventi. Pas vendosjes së tyre, përpunohen të gjitha detajet, të personalizuara sipas dëshirës së çiftit si: ftesat, konfetat, lulet, dekori etj, si dhe përzgjidhet fustani. Për sa i përket regjistrimit të datës nga ana e klientit, ne kemi gjithmonë kohë, dëshirë dhe përkushtim për secilin që dëshiron që “Zahar Event” të jetë pjesë e gëzimit të tij.

Cili është stili i punës suaj dhe a studioni vazhdimisht për të rejat më të fundit?

Është një stil pune të cilin në fakt ti e ke në dorë vetë ta ndërtosh, ta shndërrosh dhe ta perfeksionosh vetë çdo ditë dhe më shumë. Sigurisht që modele të këtij lloj biznesi ka, por secili ka mënyrën e tij të të punuarit. Ajo çka më frymëzon më shumë është pjesëmarrja në panaire apo pasarela të ndryshme. Gjithashtu, edhe çdo detaj i jetës kulturore, madje një ekspozitë pikture apo qoftë edhe mbledhja e disa guaskave në bregdet me time bijë përbën një frymëzim për një dekor ndryshe, një nuse ndryshe, një ftesë ndryshe etj. 

Të rejat që vijnë nga bota e modës dhe e make up-it sigurisht që kanë rëndësinë e tyre, për më tepër që sot jetojmë në kohën kur rrallë gjen njerëz të painformuar. Kam zgjedhur të kem gjithmonë në krahun tim të djathtë për sa i përket kësaj fushe, një make up artiste relativisht të re dhe të panjohur për Rrogozhinën, Denisa Balliu, por me një përvojë të gjatë në kryeqytet, pikërisht për të sjellë të rejat më të fundit për sa i përket kësaj fushe. 

Ne duhet të jemi gjithmonë disa hapa para, jo vetëm me risitë, por edhe me mënyrën se si këto të reja duhet t’i fusim në ëndrrat tona, pa harruar vlerat dhe traditat.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 128

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top