Dëshmi

June 5, 2018 | 14:07

Elton Abasllari: Çdo shqiptar duhet të njohë e krenohet me bukuritë e vendit të tij

Shqipëria ka destinacione të rëndësishme turistike. Vende përrallore ku natyra i ka krijuar pa kursim. Pllaja, ujëvara, pyje, lumenj, shtigje, etj. prej nga ku vizatohet një perlë e magjishme natyrore. Këto mrekulli të prekshme nga dora e njeriut, vijnë si një aventurë çlodhëse përmes tureve turistike që “Guida Albania” ka marrë përsipër për çdo të interesuar brenda përbrenda vendit të tij.

Emocione, por edhe energji, kënaqësi, frymëmarrje e çlirët, oksigjen, alternativë grishëse për të kaluar fundjavat, data të shënuara festive, organizime kolektive tepër të nevojshme pas një rutine të përditshme. Kur flasim për bukuritë natyrore që ka vendi ynë, administratori i “Guida Albania”, Elton Abasllari, thotë se ajo që kanë zbuluar përmes tureve të ndryshme në vende të shumta brenda Shqipërisë, është një mrekulli.

Nga lindi ideja për t’u marrë me një guidë brenda përbrenda Shqipërisë?

Ne jemi “Guida Albania”, një staf i vogël që rritet çdo ditë e më tepër. Motoja jonë: Ëndërro, Eksploro, Zbulo. Dream, Explore, Dicover. Faktikisht kisha disa miq të huaj belgë, të cilët erdhën në Shqipëri për vizitë. Ata kishin dëgjuar për bukuritë e rralla të vendit tonë dhe më kërkuan t’i shëtis nëpër to, ndërkohë unë vetë nuk i kisha shkelur kurrë më parë këto mrekulli dhe, u mahnita nga bukuritë që ka vendi ynë, Shqipëria. Që nga ajo ditë nuk i jam ndarë më natyrës, eksplorimit dhe zbulimit të vendeve tona të mrekullueshme.

Cilat janë ambiciet që keni?

“Guida Albania” që nga viti 2008 edhe deri më sot nuk ka reshtur së dali në terren. Afërsisht mund të jenë bërë rreth 530-550 guida ditore, dy ditore apo ture, këto brenda trevave të Shqipërisë. Ambicia jonë është që të bëjmë të mundur pse jo, të shpallim vendin tonë si një destinacion turistik botëror. Falë Zotit kemi vërtet vende që janë një aset, por që duhen promovuar nga secili prej nesh. Fatkeqësisht, ne shqiptarët nuk i njohim akoma, megjithatë, kjo është një nga objektivat tona që, çdo shqiptar duhet të dijë dhe njohë, pse jo dhe të krenohet se çfarë kemi.

Sa vende keni vizituar? Cilët janë turistët më besnikë?

Aktualisht jemi në terren me më shumë se 35 destinacione brenda trevave shqiptare, të shkelura këto nga vetë këmba jonë. Jemi duke eksploruar disa destinacione të tjera, që besoj se shumë shpejt do t’i bëjmë edhe publike në udhëtimet tona të radhës. Sivjet ka pasur një rritje të turistëve vendas. Padyshim që ky është synimi jonë, por edhe turistët e huaj kanë qenë të pranishëm nëpër udhëtimet tona si: francezë, belgë, zviceranë, të cilët mund të quhen më besnikët, por kemi pasur edhe turistë nga Kanadaja, të cilët janë çuditur me ujëvarën e Thethit.

Cilët janë më të prirë për të bërë udhëtime të shkurtra? Sa vullnet kërkon gjithë kjo punë? Po energji?

Sa për grupmoshat është një gjë e çuditshme, sepse të huajt nuk njohin moshë. Pjesa më e madhe janë të moshës së tretë. Nëse flasim për turistët vendas, absolutisht që janë të rinjtë, por ka edhe të moshave të tjera që kanë filluar të aktivizohen dhe kjo është një risi mendoj. Turistët e huaj kanë shumë nevojë për siguri dhe garanci gjatë udhëtimeve apo guidave tona, pra është çështje besimi. Kur vijnë për herë të parë, mbetën tepër të kënaqur nga shërbimi ynë, nga mrekullitë natyrore që ka vendi ynë.

Çfarë përfshihet në aktivitetet që bëni?

Historia, mikpritja, ushqimi, çmimet e lira, etj, të vendit tonë. Por, ajo që është më e rëndësishmja, ne kemi një standard si për të huajt, ashtu edhe për shqiptarët. Pra, klientët tanë trajtohen njëlloj. Tarifat janë për të gjithë të njëjta. Kjo u jep atyre garanci dhe shtysë më tepër për të ardhur përsëri. Gjithashtu, ata kanë sjellë shumë nga miqtë e tyre, pra turistë të tjerë. Një karakteristikë e veçantë e jona është se gjatë guidave, ne praktikojmë edhe sporte ekstreme si p.sh. alpinizëm, zhytje, etj. Kjo e plotëson ose e bën një udhëtim fantastik, plot aventurë dhe adrenalinë. Mund të veçojmë këtu destinacionin dy-tri ditor si: Tamarë- Lëpushë-Vermosh-Guci-Plavë dhe destiancionin ditor, Lumi i Shalës-Koman.

Jemi në prag të festave të nëntorit, a ka ndonjë aktivitet të veçantë dhe ku do të jenë organizimi?

Patjetër që po. Me rastin e festave të Nëntorit, ne do të jemi në dy-tri destinacione (opsionale). 1. Tamarë- Lëpushë-Vermosh; 2. Kodra e Diellit në Tetovë, Maqedoni. Këtu është një resort gjigant dimëror, me një pistë fantastike skish; 3. Voskopoja e magjishme në petkun e borës në Korçë.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 125

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top