Në fokus

July 8, 2016 | 8:43

Ema Andrea: Nuk dashuroj se kam nevojë, por sepse mundem

Intervistoi: Orjona Tresa/ Foto: Fioralba KRYEMADHI

E gjej tek Universiteti i Arteve. Ambienti më i lehtë i mundshëm për ta takuar, a ndoshta më i vështiri atë mesjave tekanjoze. Në një botë virtuale me adresa kontaktesh pa fund, asnjë lidhje nuk kisha me të. Nga telefoni portativ dërgoja mesazhe të njëpasnjëshme. Afati kohor për të gjetur një personazh të denjë ishte ngushtuar së tepërmi. Duhet të mendoja për një zgjidhje tjetër, ndoshta… Dilema e përhumbjes zgjohet nga një tingull i lehtë. “Të pres…”… Haleluja! Papritur, përgjigjja e dëshiruar kishte mbërritur. Ndoshta nuk duhej marrë me aq nxitim. Gjithsesi… Ajo priste ulur në një tavolinë ovale, me syprinë të drunjtë, që mezi mbahej mbi dy harqe hekurash. Mbi të, filxhani i kafesë, një ujë në bidon plastik dhe… tri paketa cigare, dy prej të cilave bosh tashmë. Në tavëll ende kishte bishta të mbetur. “Përshëndetje Ema”… Nuk ishte e vështirë për t’u prezantuar. Pedagogia e hirshme e plot prezencë, kishte ‘shpëtuar’ prej një ore leksioni me studentët “in extrem” të dramës. Ajo buzëqesh. Krejt natyrale, me një grim të lehtë, e veshur sport, xhaketë lëkure dhe një palë doreza të leshta në duar. Ishin ca ditë të ftohta në fillimprill. Biseda nisi. Media në fokus fillestar. Ajo e pakënaqur me atë të viteve të fundit. Faqet rozë e kanë tepruar me sulmet. Mendon se është evidentuar për atë që në fakt e meriton. Përfoljet për situata të tipit “e shoqëruar”, “e dashuruar”, apo “e kapur mat me dikë” nuk kanë të bëjnë me thelbin e asaj që aktorja e njohur kërkon të përfaqësohet. Përkundrazi. Jeta e saj artistike e ngjeshur, për fat të keq, nuk ka marrë vëmendjen e duhur. Rasti konkret është bashkëpunimi më i fundit, “Edipi Mbret”. Vetë letërsia antike i dha tjetër dimension bisedës. Pastaj prekëm me radhë një seri shfaqesh të tjera, tek të cilat Ema ka qenë protagoniste. Teatri, dashuria e saj e përhershme, e ka rimarrë veten vitet e fundit. Aktorja e përmend shpesh këtë. Për më tepër bëhet e ndjeshme ndaj një publiku që mbush plot sallën. Flasim për bashkëpunimet e tjera, çmimet e marra në Kosovë, Rumani, Bosnjë, Itali etj. Prej vitesh ajo interpreton në sallat e mëdha të këtyre vendeve, ku është mirëpritur. Është gjithnjë atje dhe këtu. Megjithatë, arti përfshin edhe plot ambicie e intriga brenda llojit. Ndërsa ajo krejt moskokëçarje dhe e guximshme vazhdon rrugëtimin e saj, të nisur prej më shumë se dy dekadash. Biseda kalon në tjetër drejtim. Të qenit nënë është një tjetër aspekt i rëndësishëm që mbush ditët e saj. Sara, bija 20-vjeçare nga një martesë e lënë pas prej kohësh, tashmë ka formuar identitetin e saj. S’ka lidhje aspak me artin, por Ema ndihet e plotë kur në disa tipare të karakterit edhe ajo gjendet thellë aty. Më thotë se i do shumë fëmijët. E sikur fati ta kish dashur sërish, kurrë nuk do të ishte vonë për një shtatzëni të dytë. Ndërsa marrëdhënia me motrën, Antonelën, e bën të ndihet e përkëdhelur. Një motërz e vogël, që ka vëmendje deri në detajet më të vogla të përkujdesjes. Sikundër dhe me vëllanë, raporti është po kaq i mbarë. Ema, tashmë në rolin e një aktivisteje në shoqërinë shqiptare, vullnetare në çështje të ndryshme që nuk prekin vetëm botën femërore, ndalet gjatë dhe në aspektin e mendësitë e kulturës së një populli, që reflektohet dëmshëm në civilizimin e përditshëm. Pavarësisht rënies së miteve, hedhjes pas të së shkuarës, gjurmët kanë lënë shenja të pakthyeshme fizike e morale, që dëmtojnë figurën sociale të njeriut shqiptar. E kjo, sipas aktores, reflektohet në shumë aspekte. I kanë bërë propozime në politikë. “Por, a ia vlen?!” thotë dhe Ema. Nuk do të përfshihet në atë që e cilëson si “vorbullën e errët e dritëshkurtër të atyre njerëzve që kërkojnë të përfitojnë nga imazhet publike”. Mësimdhënia, “gjuha e trupit” në universitet, është ajo që pazgjidhshmërisht e bën unike në profesionin e saj. “Ka aktorë të talentuar, ia vlen përkushtimi”, thotë Ema. Marrëdhënia me yoga-n, sportin e mirëqenies psikofizike, është lidhja që prej vitesh ka zbuluar tek ajo Emën e vërtetë. “Më bën mirë ky lloj sporti”, thotë Ema. Dhe jo vetëm asaj….

2Jeni figurë tejet dalluese. Me një kërkim të shpejtë në regjistruesin më të rëndësishëm të të dhënave, “Wikipedia”, identifikoheni prej mbi dy dekadash si aktore dhe pedagoge. “Edipi mbret” ishte shfaqja më e fundit ku ju ishit bashkëpunëtore, pjesë e lëvizjes skenike me rolin e korifeut. Cili është sadisfaksioni?

Me thënë të drejtën, kjo është një nga ato net kur mendoj se duhet të kisha bërë më tepër, jo për veten, por për idealin tim. Kur shoh që mendja e kësaj shoqërie është marrë peng nga mediokriteti dhe pangija e politikës, më duket vetja dhe qytetaria e padukshme. Shpresoj të jetë veç kjo natë e tillë dhe të mos zgjasë shumë, të paktën unë të mund të bëj diçka për të ndryshuar përtej vetes e karrierës sime. Puna ka qenë e madhe, por jo shumë e vështirë në kohë. Dua të them që kanë qenë në raport të zhdrejtë, por ndonjëherë është më mirë kështu. Kënaqësia më e madhe që kam marrë dhe që ende vazhdoj të marr, pas dhe gjatë çdo shfaqjeje, është krijimtaria në grup për të dhuruar nëpërmjet teatrit. Është fakti që jam pjesë e një akti drejt ndryshimit të një mentaliteti mediokër e egoist, ku secili punon për famën dhe arritjet personale, duke harruar se cilit komunitet i përket dhe në cilën rrugë ka zgjedhur të jetojë. Rruga e artit është rruga e dhurimit! Kam marrë sadisfaksionin e një përqafimi, në të cilin koha është ndalur në një skenë teatri. Më pëlqen shumë të jem ndër të parët që shkelin skenën bosh e sallën pa spektatorë, dhe të jem e fundit që largohem nga teatri sërish me skenën bosh e sallën pa spektatorë. Ky është një ritual i kahershëm imi, por në këtë shfaqje ka marrë përmasa të tjera. Më pëlqen që gjatë krijimtarisë kam jetuar si në jerm, e zhytur në thellësitë e arkaikes shqiptare, njerëzore, antike dhe në të njëjtën kohë, në ajrin e pashpjegueshëm të krijimtarisë. Dimensioni im personal i krijimtarisë ka qenë i tillë gjithmonë, por këtë herë “magjia” kishte shumë bashkëpunëtorë. Ja, kjo e bën këtë krijimtari ndryshe, një krijimtari me shumë identitete të forta artistike. Kam kënaqësinë që jam pjesë e një krijimtarie që bën ndryshimin, sepse ndër të tjera i flet kësaj shoqërie për aktin sublim të vetëflijimit, që nuk dallon në kulturën tonë. Uroj që pas shfaqjes, dikush në mënyrë të pandërgjegjshme të mund ta ketë më të lehtë të thotë “më fal” e të heqë dorë nga egoizmi personal, kur sheh se ky i fundit lëndon apo është tirani për një shoqëri të tërë (si në rastin e Edipit të Bokshit). Pra, kam marrë kënaqësi si aktore, krijuese, qytetare e shqiptare!

Më treguat ndërkaq se bashkëpunimi juaj është përçuar edhe përtej kufijve. Cilat kanë qenë pritshmëritë dhe vlerësimet gjithashtu? A ka dallim midis kufirit shqiptar dhe atij të huaj, sa i takon teatrit?

Në fakt, për hir të së vërtetës, duhet të them se sigurinë brenda vetes, mbi drejtimin në të cilin po kërkoja të rritesha si aktore e lirë, e kam marrë në skenat apo bashkëpunimet jashtë Shqëipërisë. Kjo, natyrisht, për shumë faktorë që lidhen me mentalitetin dhe mënyrën e bërjes teatër këtu, dhe jo prej potencialeve profesionale. Kur unë kam nisur rrugëtimin me zgjedhje, aktore e lirë, në Shqipëri ky ishte një koncept i huaj dhe pak i frikshëm, mësuar deri në atë kohë të jenë pjesë e institucioneve të ndryshme. Me sa duket, zgjodha rrugën e duhur, ndoshta edhe më të vështirën, duke krijuar hapësirën time, e ndoshta duke bërë ndryshimin në vetë të parë. Sot jam e sigurt në çdo bashkëpunim e në çdo pjesëmarrje jashtë kufijve. Dhe jam “si në shtëpi”. Mbase kjo është arritja më e madhe. Jetoj e rritem këtu si njeri e si profesioniste, me gjithë vështirësitë që të jep ky vend e në të njëjtën kohë shtëpia e artit të tij është pa kufij gjeografikë. Ndryshimet përtej kufirit konsistojnë jo vetëm në mënyrën e organizimit, por edhe në pakufizimin krijues e eksperimentues në të cilin jetojnë artistët, të cilët janë gjithnjë në kërkim formash të ndryshme komunikimi e zhvillimi. Tek ne ky proces është pak i tulatur e i pasigurt, ndoshta shkaku është i njëjti… mentaliteti mendjembyllur dhe ndoshta politika jo funksionuese për artin e kulturën.

Çfarë ju shqetëson më shumë në botën e artit, me theks te teatri?

Teatri duket si i zënë në kurth nga politika, e artistët në përgjithësi apo edhe intelektualët duket se e kanë lejuar këtë gjë. Bëhen përpjekje individuale për diçka ndryshe, por në fund rezultati duket se është i përveçëm. Artistët e kanë shumë të vështirë të jenë të gjithë bashkë për të ndërtuar një terren të sigurtë e të pavarur krijimtarie. Me sa duket, as artistët nuk i shpëtojnë dot ankthit të mbijetesës personale. Me sa duket, artistët kanë harruar që kanë zgjedhur t’i përkasin një komuniteti, i cili duhet të bëjë ndryshimin në shoqëri! Ja, kjo më shqetëson më tepër, që nuk mund të jemi bashkë. Të paktën kaq mund ta bëjmë!

Në gjithë karrierën tuaj, cili është momenti më i veçantë në profesion, si aktore dhe pedagoge? Më i veçanti?!

Nuk e di. Kam shumë momente që shënojnë për mua nxitje për të vazhduar karrierën, çaste procesi krijimtarie, momente kur studentët shfaqin shenja lirie në krijimtarinë e tyre, por më të shtrenjtë kam mirënjohjen e kolegëve. Një faleminderit pa bujë e një përqafim që do të thotë më shumë se kaq. Momente të bukura janë edhe njerëzit që vlerësojnë krijimtarinë time dhe gjejnë mënyrën për ta shprehur. Po, këto janë çaste të shkurtra në kohëndodhje, por jetëgjata në kujtesën time, ndaj dhe janë të rëndësishme.

Për çfarë do të hiqnit dorë nga teatri?

Përgjigjja është e shkurtër… për familjen time, për vajzën time!

Çfarë do të kishit dashur të bënit në jetë nëse nuk do të ishit marrë me art?

Hëm… me letërsi, por është art do të thuash ti. Nuk e di, me gjuhë të huaja, me antropologji kulturore. Natyrisht, do të ishte një profesion që do të më lejonte të isha krijuese e të mund të prishja rutinën, të cilën e rrezikojnë shumë profesione apo vende pune. Por unë nuk besoj se gjërat janë shumë rastësore. Ndonjëherë pavetëdija na bën të marrim vendimet e duhura. Ndoshta kështu ka ndodhur edhe me mua!

Si është një ditë e zakontë për Emën?

Ditët e mia vazhdojnë t’i ngjajnë njëra-tjetrës shumë pak. Momentet e përbashkëta janë oraret në akademi, përndryshe nuk janë njësoj as sa i përket zgjimit e as orës kur bie të fle, as për sa i përket planeve të përditshme apo kur spontanisht vendos t’i zhbëj ato apo të ndërtoj të tjera. Ah, ka edhe një gjë tjetër të përbashkët, pothuajse të gjitha, një motiv për të buzëqeshur e kam gjithmonë!

Çfarë jua vret më shumë veshin kur realiteti në të cilin jetojmë na bën të përfshihemi në situata ankthioze dhe të neveritshme. Sidomos kur jemi dhe prindër?

(Marrë shkas nga ngjarjet e fundit) Ah, përpiqem t’u shpëtoj. Tek e fundit, njerëzit dëgjojnë dhe shohin atë që duan. Për mua bëhen shqetësuese kur prekin familjen time, për të tjerat vishem me një koracë të tejdukshme e nuk i lejoj të më prekin. Tek e fundit nuk lufton dot me përbindësha të panjohur, ndaj “Non ti curar di loro, guarda e passa”, thotë Dante. Unë tentoj t’i përkas një mentaliteti tjetër. Po përdor thelbin e një bisede me një zonjë të nderuar për të artikuluar mendimin tim. Kjo e jona është një shoqëri perverse, ku realiteti ynë na duket më i vlefshëm për t’u jetuar e ndoshta më i drejti dhe më i moralshmi, më i rëndësishmi, ndërsa realitetin e tjetrit e shohim nga vrima e çelësit, prej së cilës mendojmë të zbulojmë e të gjykojmë diçka që nuk na përket. Nëse do të zbulosh një realitet, mjafton të trokasësh në derë, e ndoshta do të mësosh që nuk është kaq e lehtë të ngresh gishtin apo t’i biesh gjoksit se pe nga vrima e vogël e çelësit e gjykove me një mendje akoma më të vogël.

Cili është mesazhi juaj për shoqërinë shqiptare? A ka nevojë për ‘rryma’ të reja, apo si dhe shoqëritë e huaja duhet të pranojmë shkak-pasojat e asaj çka prodhojmë vetë?

Natyrisht që i ndaj mendimet e mia, dhe mendoj se duhet të jem edhe më aktive për sa u përket problemeve sociale që më shqetësojnë. Mendoj se është një detyrim qytetar për sa kam privilegjin të jem figurë publike. Besoj duhet të bëhet më tepër për t’i “shqetësuar” pak të rehatuarit në kolltukë, të cilët luftuan shumë për t’u varur këmborën, e tani nuk e tundin veçse për “barin e bahçes së tyre”. Më vjen keq për këtë krizë besimi nëpër të cilën po kalon kjo shoqëri, për këtë krizë vlerash.

I ndani mendimet tuaja? Si e gjykoni zërin e shoqërisë civile karshi fenomeneve?

Fenomenet shqetësuese e kanë kapërcyer kufirin e portës së gjithsecilit. Kjo shoqëri duhet të bëhet më e ndërgjegjshme, se vetëm duke reaguar vërtet e pa u lodhur mund të ndërtojë një të ardhme për fëmijët e tyre. Ne jemi kthyer në qytetarë që fshihemi pas shoshës e jemi dorëzuar në shprehjen tanimë të famshme “ky vend nuk bëhet kurrë”. Harrojmë se nëse nuk e fillojmë ndryshimin vetë, pa drejtuar gishtin tek tjetri, por duke u përpjekur të belbëzojmë të paktën mea culpa, gjithsecili duke nisur nga i pari i qeverisë e deri tek qytetari i thjeshtë e pa tagra sociale.

Ndalemi në një aspekt tjetër. Sa vlen për ju vëmend – ja mashkullore dhe kur e keni ndjerë atë për herë të parë? Si keni reaguar? E kishit përfytyruar ndryshe?

Ah, vëmendja mashkullore. Nuk e di kur e kam ndierë për herë të parë, por natyrisht që ka qenë zhgënjyese…rritur librash e përrallash, nuk mund ta gjeja fjalën e duhur, vështrimin e duhur në realitet. Reagimi? Kam shkruar shumë poezi dhe iu kushtova artit.

Është bërë dashuria një marrëdhënie kontraktuale? Sa vend ka në ditët e sotme për romantikët? Jeni ju natyrë e tillë?

Unë kam përshtypjen se njeriu përpiqet të mos jetë romantik, vetëm sa lufton me veten për t’u bërë i ngjashëm me përrallat urbane, edhe pse do të donte të realizonte të tjera përralla. Ose ndoshta ky njeriu modern i ka harruar përrallat me dashje, ndaj dashuria sot duket si projektim planesh. Më saktë, marrëdhëniet, jo dashuria, mirëpo duke hequr dorë nga ëndrrat e ndjesitë, njerëzit përpiqen thjesht t’i ngjajnë njëri-tjetrit në zgjedhje, të bëjnë atë që ka bërë dikë tjetër të lumtur duke harruar të pyesin veten çfarë do të donin nga një marrëdhënie dashurie. Meshkuj e femra janë në ankth, jo për të gjetur njeriun me të cilin mund të ndajnë hyjnoren që të jep dashuria, por të gjejnë njeriun e duhur për të tjerët e për planet e tyre. Një yrysh drejt një rruge në të cilën mund të gjejnë gjithçka përveç vetes, paqes apo dashurisë. Ndaj nuk besoj se është bërë dashuria kontraktuale, por kontratat me shoqërinë bëhen nëpërmjet një marrëdhënieje së cilës i vënë emrin dashuri. Unë jam romantike dhe nuk dua të jem ndryshe në një marrëdhënie dashurie. Nuk dashurohem sepse kam nevojë, por sepse mundem!

Të flasim për dashurinë në përgjithësi. Si është dashuria në sytë e Emës, sa i takon botëkuptimit personal?

Dashurinë mund ta provojnë vetëm njerëzit që kanë zbuluar lirinë brenda vetes, ata njerëz që nuk i varin çengelët e pasigurisë në marrëdhënie dashurie. Kam parasysh këtu edhe dashurinë prindërore apo shoqërore. Natyrisht që askush nuk të mëson se mund të duash dhe si duhet, por ndoshta është nga ato pak gjëra që njeriu nuk ka mundur të japë përfundime e leksione për fat të mirë. Dashuria është ndoshta i vetmi udhëtim, gjithmonë në zbulim e në sprovë, rrugëtim që nis nga zbulimi i vetvetes e që po tek vetja i merr përgjigjet. Sot mendoj se në këtë botë kemi ardhur për të dhënë, dhe akti i dhurimit është pa kushte. Kam zbuluar se dashuria është brenda meje dhe po aty më duhet ta ushqej, e po aty gjej forcën e kurajën për të dhuruar. Është liria që më ka bërë të di vlerën e dashurisë.

Sa zgjat ajo, sipas mendimit tuaj? Një femër që vjen pas një divorci, i beson akoma institucionit të martesës? Sa zgjat dashuria?

Aq sa frymë të ketë njeriu. Marrëdhëni et mund të mos zgjasin, pasi njerëzit ndonjëherë lodhen nga njëri-tjetri. Ndonjëherë nuk dinë se si apo çfarë t’i dhurojnë marrëdhënies dhe shpesh çiftet nuk e vazhdojnë procesin e njohjes dhe zbulesës te njëri-tjetri, e kjo e rreshk marrëdhënien, ndoshta edhe dashurinë. Po unë besoj tek institucioni i martesës së vërtetë. Kam shembuj të bukur në familjen time, të cilët më bëjnë të besoj në të.

Është folur shumë për këtë temë, por do më in teresonte mendimi juaj aktual për atë çfarë ndodhi. Ishte një vendim i matur, marr parasysh dhe faktin se keni një vajzë?

Në fakt është folur shumë, ndonjëherë nga vrima e çelësit, ndonjëherë kur s’kanë pasur punë, “budallenjtë lëvizin derën që të bëjnë fresk”. Është një mendim që u mor nga të dy bashkë dhe ndoshta pikërisht ky fakt, e për më tepër në atë kohë që ndodhi, u dha njerëzve mundësi për të folur, e fakti që ne nuk tregojmë më shumë seç duhet, i bën njerëzit të fantazojnë sipas kandarit të tyre. E vetmja gjë që mund të përsëris edhe pas kaq vitesh është se ishte një vendim i ndershëm dhe qytetar. Fëmijët shpesh përdoren si justifikim i marrëdhënieve të pandershme dhe i palumturisë së familjeve. Nuk është e drejtë t’i varemi fëmijëve në qafë apo t’i nxjerrim si pretekst pafuqinë tonë për të qenë të lumtur, edhe pse jashtë disa normave morale të pashkruara. Në shoqërinë tonë fëmijët përdoren shpesh si armë për t’u mbrojtur apo për të sulmuar në raste divorcesh, keqkuptimesh apo palumturie. Kjo më duket shumë e pamoralshme. Kjo nuk është dashuri. Në rastin tim, fëmija ka pasur dhe ka gjithë dashurinë e kujdesin që meriton, dhe gjithmonë është thelbi i dashurisë sime dhe të atit. Ndaj, duke pasur parasysh që kemi një vajzë, ne vendosëm të ishim të ndershëm e të lumtur pa njëri-tjetrin por me vajzën dhe për vajzën.

A ka diçka që na e lejon ta dimë sa i takon jetës suaj private? Ndoshta një sqarim sado sipërfaqësor sa i takon fotove paparazzi që kanë qarkulluar nëpër media kohët e fundit?

Një opinion juaji i përgjithshëm sa i takon etiketimeve që media bën rishtaz kur sheh një personazh publik dhe nxjerr konkluzione të nxituara. Për sa i përket paparazzëve, nëse dikush duhet të nxjerrë bukën e gojës duke bërë foto nëpër pub-e apo bar-e, ç’mund të them. Nuk kam si të kundërshtoj, pasi përgjigjja do të ishte “je figurë publike”. Po, jam, por do të doja të mos isha e interpretuar apo e keqkuptuar. Veç do të uroja, për sa figurë publike jam, që të kishin sy apo objektiva për të parë edhe punën apo investimet e mia në të tjera fusha, artistike e sociale, të cilat i bëj sepse kam përgjegjësinë e të qenit figurë publike. Ne prej vitesh jetojmë në një shoqëri si romani “1994” apo mund të quhet shoqëri “Vëllai i Madh”, ndaj nuk mendoj se komentet e nxituara bëjnë ndonjë ndryshim. E tha komshija, paparazzi apo gazeta, kush ka veshë di të dëgjojë, e kush ka mend di të mendojë.

Atyre pra, që lehën e lehën

u lë shikimin prej udhëtari,

dashurinë time për kripën,

adresën e buzëqeshjes urtë e butë,

po të kenë tru le t’i marrin të gjitha.

Meqë s’i lashë të më vrisnin,

s’mundem tani t’i ndaloj të vishen me teshat e mia,

me copëza nga trupi im…

A ka një histori që ka lënë gjurmë në jetën tuaj, apo është nga ato pyetje që nuk mund të marrësh përgjigje?

Të gjitha historitë janë të “shkruara” brenda meje, dhuratat apo lëndimet, të gjitha i kam poezinë e jetës sime e mbi të gjitha të keqen e harroj për fat, edhe njerëzit që e kanë bërë, ndaj jam e shpëtuar.

Larmia është bukuria e jetës. Si e përkufizoni ju bukurinë e jetës, çfarë duhet të përmbajë ajo?

Në çdo moment mendoj se përgjigjja mund të jetë e ndryshme, ndaj do të përgjigjem për çka jetoj tash. Mbase pas disa vitesh do të përgjigjem ndryshe. Nuk e di… Jeta në vetvete është dhuratë e bukuria e saj qëndron te shëndeti, te dashuria, mirëkuptimi. Te buzëqeshja, te një “më fal”, te lundrimi. Kur lundron, nuk ndalesh kurrë. Çdo pikëmbërritje është një pikënisje për diku tjetër, e kështu me mua, të rrjedhësh si lumë në jetën tënde, në mundsh ta bësh këtë “pa u ankuar për shiun që bie (P.Neruda)”, atëherë mund të gjesh çdo ditë pasurinë e jetës dhe të shijosh dhuratën. Ja, jeta duhet të përmbajë Jetën.

Kush ka pyll e ujë mund të presë e të lundrojë

mund të niset e të kthehet

mund të vuajë e të dashurojë

mund të trembet e të punojë

mund të jetë e të jetojë

mund të lulëzojë e të vdesë (P.Neruda)

Për të qenë e plotë kjo jetë, a ka nevojë për praninë e një partneri?

Nuk e di. Ndoshta është ndryshe me praninë e seksit tjetër apo partnerit, por nuk mendoj se është më pak e plotë nëse mungon një partner dhe në të njëtën kohë je rrethuar me çka është e rëndësishme për qenien tënde.

Çfarë kërkoni ju nga një lidhje?

Asgjë të veçantë, thjesht të jetë lidhje dhe jo thuajse lidhje. Të ketë kuptimin e vetë fjalës. Të jetë një lidhje ku janë dy përballë gjithçkaje, një oaz ku bota nuk mund të hyjë apo të ndërhyjë. Të lundrosh në dy. Të jetë Sekreti i Pamundur.

Si duhet të jetë njeriu që do të dëshironit të kishit në krah?

Të jetë Njeri. Të jetë i fortë e i ndjeshëm, të jetë një dorëzim i paqtë ku të mund të dorëzohem.

A keni një përfytyrim apo model tuajin?

Jo, nuk kam, sepse ende vazhdoj të lexoj përralla, dhe imazhi luhatet nga letërsia ruse në përrallat arabe, filozofi Osho apo Lama. Ç’të të them, nuk gënjej dot!

3Po paragjykim për moshën, ambientin në të cilin jetoni? Sa kufizoheni nga këto?

Mosha dhe koha për mua janë koncepte abstrakte, të cilat në mendjet e njerëzve nuk lëvizin, ndaj nuk kam asnjë gjykim për këto. Viti kalendarik nuk përcakton dot qenien time dhe as energjitë e mia, e mbi të gjitha nuk më bëjnë dot të resht së pyeturi “pse” e të mos entuziazmohem nga zbulesat e reja. Nuk besoj se kohës që kalon mund t’i vendosim kode të mirëpërcaktuara. Ka njerëz që reshtin së jetuari sapo mbarojnë të 30-at. Unë e dua jetën pa kohë! Nga aspektet që nuk më pëlqejnë të ambientit ku jetoj, kam mënyrën time për të mos u dorëzuar. Kam oazin tim, familjen time, vajzën time dhe me këto kam Botën time, ku kufiri është fara që mbin.

Ju jepni lëndën e gjuhës së trupit. Sa ndikon kjo marrëdhënie te ju si artiste në aspektin psikoemocional dhe sa keni arritur t’ua transmetoni brezave të rinj të aktorëve?

Unë e kam thelluar në studimet e mia pasuniversitare. Nuk është një zbulesë e re. Mediumi artistik i aktorit është psikofiziku i tij. Natyrisht që është shumë e rëndësishme puna me fizikun, e cila jo vetëm ndihmon aktorin në zbulesa të reja drejt vetvetes, por bën të mundur lehtësimin e ndërtimit të karaktereve, raportin me hapësirën skenike, me partnerët, objektet, me spektatorin, duke e përdorur madje edhe si mjet ekspresiv shprehës shumë të fortë. Është gjuha e trupit ajo që fuqizon pauzat, ajo që komunikon e para me spektatorin dhe që e bën të besueshëm raportin artistik apo të trilluar në skenë, është energjia fizike ajo që mbush hapësirën bosh midis skenës dhe rreshtit të parë të spektatorëve. Sikundër në jetë, gjuha e trupit është mjet i fortë komunikimi joverbal. Trajnimi fizik i aktorit bën të mundur ndërveprimin mendim-veprim. Mendoj se brezat që vijnë janë gjithmonë e më të ndërgjegjshëm për rëndësinë e kësaj përgatitjeje, edhe pse dikur ishte pak lëndë e paragjykuar. Sot, për fat, ka ndërruar edhe mentaliteti i nxënies përveçse i mësimdhënies. Ndaj shpresoj t’ia kem dalë mbanë me brezat që kam punuar, jo vetëm nëpërmjet mësimdhënies, por edhe prej eksperiencës personale si krijuese aktore, regjisore dhe së fundi me realizimin e lëvizjes skenike të “Edipi mbret”.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.72

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top