FB

May 25, 2022 | 10:39

“Errësira”, dialektika midis pranisë dhe mungesës, tepricës dhe mospasjes, mendim i paplotësisë së frytshme

Mbi konceptin e ekspozitës vetjake “ERRËSIRË”, të artistit Oltsen Gripshi çelur në ambientet e Muzeut “Shtëpia me gjethe”, nën kurimin e Drejtoreshës Etleva Demollari.

1Njohja me errësirën nxit dëshirën për të dalë nga ajo. Errësira është zbrazëtia, ku qenia njerëzore shkëputet nga ekzistenca fizike, aq sa brenda saj ajo humbet orientimin në kapërcyell midis dy përmasave: reales dhe metafizikes. Këtë nyjë teorike e shohim të materializuar në mendimin utopik të Ernst Bloch, i cili ka arritur të shkojë përtej pikëmbështetjes së tij, duke pohuar se errësira është desiderium dhe e vetmja cilësi e sinqertë e qenies njerëzore e pazbuluar mirëfilli.

Ontologjia e së palexuarës ende, duke u nisur nga dialektika e dëshirës midis dritës dhe errësirës, midis pranisë dhe mungesës, midis tepricës dhe mospasjes, bëhet një mendim i paplotësisë së frytshme. Jo vetëm ndërgjegjja, por edhe vetë materia përshkohet nga kjo errësirë, nga kjo pamundësi për të përputhur me vetveten atë që ushqen ekzistencën. Errësira, si një peshë fizike pa formë e pa vëllim, është mbartëse e një fuqie dialektike të pashpjegueshme midis dritës dhe vetes së saj. Barasvlera e errësirës është ankthi, i cili merr tone të larmishme: të blusë në filozofinë e artit, të së kuqes në filozofinë e dashurisë dhe të politikës, të së verdhës së praruar në filozofi, e cila më pas rebelohet kundër Zotit, duke u shndërruar kësisoj në një semiotikë mistike.

2Në këtë pikëpamje errësira, si një qasje imanente, arrin të bëhet (ndoshta pavarësisht vetvetes) ndryshimi ontologjik midis njeriut dhe natyrës, subjektit dhe objektit, formës dhe materies, mendimit dhe qenies.

Për pasojë,  vendosja e qenies njerëzore përballë errësirës (përballë gërmadhës që la pas regjimi komunist), do të zbulonte portrete njerëzore “të deformuara” nga një jetë e jetuar plot dhimbje fizike, trauma psikike, intriga dhe përgjime gjatë regjimit komunist në Shqipëri.

3Nëse dëshira është monoliti i kënaqësisë, errësira është ngjyra e persekutimit dhe dhimbjes. Ndjesitë njerëzore janë pjesë përbërëse e mjedisit që i rrethon dhe si të tilla ato janë të pacaktuara, veçanërisht në lidhje me statusin e tyre ontologjik. Nuk dihet nëse ato duhet t’u atribuohen vetëm objekteve a mjedisit në të cilin gjenden, apo edhe subjekteve që i përjetojnë ato.

Në të vërtetë, të vetmet që mund të përshkojnë errësirën si hapësirë janë ndjenjat. Filozofia e trupit të Schmitz, na tregon se si errësira shndërrohet thellësisht kur tejshkon të menduarit e qenies njerëzore, apo se si befas ajo kthehet në një materie të kujtesës. Në këtë logjikë të të arsyetuarit braktisja e ligjërimit mbi shpirtin, si një ekstazë e mendjes, është e pashmangshme.

4

Një braktisje e tillë ligjërimore ndodh kur qenia njerëzore konceptohet në thelb si një trup, i cili ndërvepron pashmangshmërisht me hapësirën fizike që e rrethon. Hapësira bëhet aura e kujtimeve (ashtu si edhe kjo ekspozitë) ku errësira kthehet në metaforën e një kohe sa të shkuar, aq edhe të pranishme në të tashmen.

Të qëndruarit përballë errësirës ngre tek unë një monolog të ndërlikuar mendimesh, pasi mes meje dhe saj qëndron absurdi i heshtjes, ku asnjëri prej të dyve nuk thotë asgjë. Errësira duket se është e heshtur, sepse ashtu si drita të dyja të mbështjellin nën mantelin e një qetësie memece. Format e tjetërsuara të errësirës, si: vetmia, izolimi, ndjesia e papritur e rënies në një humnerë pa strehë, pa brigje, pa sy e veshë, përthyhen të bregëzuara në vizione dhe tinguj të largët në kohë.   

5Polariteti metaforik i dritës dhe i errësirës është tehu ku qëndron konceptualizmi i vetë ekspozitës. Drita ndriçon dhe zbulon errësirën nga përsiatja e vetë ekzistencës së saj, me të njëjtën fuqi si lumen naturalis i bën konceptet të tejdukshme, duke i dhënë gjërave një siluetë të dallueshme. Në këtë këndvështrim të njëanshëm, errësira si përmasë shpirtërore dhe errësira si fenomen natyror, janë negativi i privimit të dritës: një humnerë pa dalje, vendi i çoroditjes dhe i përhumbjes, vendi i zbrazëtisë së pamatshme, të padeshifrueshme e të paparashikueshme dhe tmerrësisht të frikshme; po aq  penguese  sa dhe e panjohur për çdo lloj dije.

6Platoni ishte ndër filozofët e lashtë, i cili vendosi ekuivalencën midis së mirës dhe dritës. Në një drejtim krejtësisht të ndryshëm, Aristoteli e identifikon dritën me elementin e pestë (eter, pempton stoicheion), duke e përshkruar si një lëndë të paprekshme dhe të tejdukshme, e cila, pavarësisht se ka qëndrueshmëri fizike, shkon përtej katër elementeve (ujit, tokës, zjarrit dhe ajrit) dhe mund të filtrojë dritën. Polariteti errësirë-dritë është një nga kalimet vendimtare të mendimit të Plotinit. Errësira është ana irracionale, e panjohura e materies, e cila nuk ka qëndrueshmëri thelbësore; drita, përkundrazi, është mbiracionalja, rrezatimi i së cilës, si një zjarr i përhershëm, buron nga tre hipostazat: Njëshi (henologjia), Shpirti njerëzor (anemos) dhe Shpirti hyjnor (pneuma).

7Në të vërtetë errësira na shoqëron drejt asaj që është më misterioze dhe më e fshehtë. Palat e errësirës janë mishi dhe gjaku i mendimeve, është “jeta që rrjedh e fshehur” pa kuptuar brenda nesh. Errësira është figuracioni i rrugës karstike të dijes. Simbolikisht ajo bëhet instrument për jetën dhe kuptimin e saj. Megjithatë ajo nuk nënkupton një zhvillim, por një hapje drejt së panjohurës. Forca metamorfike e errësirës është një përgjigje, e cila përmban një mister, që duhet ruajtur pa pretenduar ta nxjerrësh në dritë, pazbuluar dhe pa shpalosur atë. Sekreti i errësirës i ngjan një nate të përshkuar nga ëndrrat.

8Ëndrrat të ngjashme me “Verbërinë” e José Saramagos të cilat duken sikur modelojnë fizionominë e portretit të persekutimit komunist në Shqipëri i simbolizuar më sipër e sekretin e errësirës. Shëmbëlltyra e një ideologjie, që u përhap në formën e një epidemie verbërie të bardhë dhe qumështore, e cila nuk kurseu askënd, madje as vetë diktatorin dhe tunelet e tij atomike!

Kjo epidemi, që vërshoi një errësirë, e cila tronditi rendin social dhe politik, shkërmoqi në embrion qenien njerëzore. Epidemia e verbërisë shqyen velin e errësirës substanciale që na rrethon ende sot.

9Përballë errësirës, një vegim del përpara në vend të pamjes së zakonshme. Shikimi zhytet në qumështin viral të verbërisë, ku vështirë se mund të dallosh hijet e paqarta të cilat shfaqen thellë në largësi.

Verbëria, si dialektika e errësirës, përkthehet në sinonim të një realiteti në zhdukjen e utopive paranojake dhe propagandave boshe, proces i një rikonvertimi ekzistencial brenda individit. Në këtë kuptim përhumbja në errësirën e regjimit komunist shndërrohet në rigjetjen e vetvetes, të qenies njerëzore të dyzuar mes të vërtetës dhe gënjeshtrës.

Në errësirë qenia pëson një katarsis, një riorientim për t’u bërë pjesë e një sistemi të ri, kur errësira fillon të qartësohet gradualisht nga drita e njohjes me të vërtetën e mohuar, LIRINË.

Në fund të fundit, e zeza është ngjyra më e ndritshme.

10 11 12 13 14 15 16 17 18

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top