Radiografi

February 13, 2018 | 9:24

Ersida Calja, dentistja që sfidon punën dhe lë suksesin të bëjë zhurmë

“Jeto e lirë dhe guxo”, është një sentencë emblematike që edhe nëse nuk do ta shqiptonte vetë, sërish do t’i shkonte aq shumë karakterit të saj sa nuk do të binte në sy dhe po t’ia shtonim vetë në gojën e saj, sikur ta kishte thënë në një kohë tjetër a nga një tjetër botë ardhur nga hapësira.

Ndërsa ajo, krejt njerëzore me një këmbëngulje admiruese, duke u ndarë nga bota përreth dhe zhurmat e vogla bezdisëse, motivohet vetëm në një pikë të thellë e fare të padukshme, të përqendrojë frezën mbi një dhëmb kapricioz e nervëdalë. Është një punë e gjatë, herë e qetë si në një përkundje valësh oqeanike, e herë acaruese deri në tejskaj, por ajo di ta zotërojë gjithçka varet prej duarve të saj dhe në këtë vetëmohim që kërkon detaje e rifiniturë skrupuloze do veç një gjë pa kthim e pa kompromis paraprak: që gjithçkaje t’i shkojë deri në përsosmëri.

Me një shpirt luftarak, siç e konsideron ajo veten, Ersida Calja pohon se është shumë kërkuese si natyrë, duke mos e lejuar veten të jetojë për asnjë çast në ujëra të qeta. Dhe ashtu siç thotë vetë ajo, sapo arrin diçka veten e vë përballë një sfide të re, ku për të thënë të vërtetën e patjetërsueshme ia del në shumicën absolute të rasteve. Në brishtësinë e të qenit femër, padyshim që meritë më së pari kanë hiret fizike, mandej gjendjen e plotësojnë sjellja dhe komunikimi. T’i meritosh këto cilësi, e bën të veçantë njohjen dhe marrëdhënien me ata që ia vënë në pah këto vlera, ndërsa për atë që i mbart, të ndihet me fat.

Ky prezantim i shkon për shtat një personazhi si Ersida, apo Ersi thënë më shkurt se kaq. E njohur si dentistja e VIP-ave, ajo i ka dhënë jetë pasionit me sa mund e djersë, po aq dhe dashuri. Në rrugëtimin e saj, i njeh vetes si pikën më fortë, durimin dhe të pajtuarit me sfidat si udhët më të mira njohëse në profesion dhe jo vetëm.

Në këtë rrëfim në revistën “Psikologjia”, Ersida Calja shpërfaq edhe pjesën më ndjesore të të qenit bijë e dy prindërve model për të, motër e një vëllai më të madh dhe femër në dimensionet e mirëqenies dhe plotësimit vetjak. Për këtë ajo nuk resht së përmenduri familjen, të cilët kanë qenë mbështetësit e saj kryesorë në çdo hap që ka hedhur, qoftë moralisht, por edhe ekonomikisht.
Ndaj dhe ky rrëfim më së shumti merr vlerë si një arritje, të cilën ia dedikon atyre.

Sa e vështirë është të jesh dentiste në Shqipëri?

Të jesh stomatologe në Shqipëri, sigurisht që ka vështirësitë e veta si dhe çdo fushë tjetër. Por, nëse e dashuron punën që bën, vështirësitë kapërcehen. Mua më pëlqejnë gjërat e vështira, kështu që për mua është në rregull.
Si erdhi ky profesion tek ju, ishte një pasion apo ëndërr e kahershme e traditës familjare?

Ky profesion erdhi tek unë shumë natyrshëm. Nuk është një traditë familjare, por përmbusha një dëshirë të familjes sime. Prindërit e mi dëshironin që unë të vazhdoja studimet për Stomatologji dhe kështu hoqa dore nga dëshira ime për të vazhduar për pikturë dhe përmbusha dëshirën e prindërve të mi. Sot i them faleminderit, pasi kam bërë zgjedhjen e duhur.

Si nis dita juaj dhe çfarë ju frymëzon në vazhdimësinë e saj?

Sapo hap sytë gjëja e parë që bëj telefonoj prindërit e mi, më duket sikur ata janë bekimi im dhe urimet e tyre më bëjnë ta nis ditën me mbarësi. Më tej, kafeja e mëngjesit dhe pastaj nis puna, e pikërisht puna dhe rezultatet që marr prej saj e bëjnë më motivuese ditën time.

Si ndihet Ersida pas çdo konkretizimi final në profesion?

Jam natyrë shumë kërkuese ndaj vetes dhe këmbëngul që t’i arrij të gjitha objektivat që i vë vetes. Pas çdo konkretizimi final ndihem më e përmbushur, ndiej më shumë vetëbesim dhe gjithmonë synoj diçka tjetër edhe më të vështirë, që mund të duket e pamundur, por me vullnet dhe punë e bëj të mundur.

Si jeni ju si dentiste, e prerë, kërkuese, autoritare apo fjalë ëmbël dhe shpresë-dhënëse se, frika nuk ka vend për lëkurë, por për forcë t’ia dalësh përpara?

Jam kërkuese ndaj vetes, që punën ta bëj sa më mirë, autoritare kur duhet dhe pacientët përpiqem t’i pres me ëmbëlsi, që ata të ndihen sa më komod dhe të largojnë fobinë ndaj ne, dentistëve, pasi sot teknologjia ka bërë punën e vet dhe pothuajse të gjitha ndërhyrjet janë të padhembshme.

Keni një moto që shoqëron ditët tuaja?

Jeto e lirë dhe guxo! Vetëm në këtë mënyrë mund ta njohësh vetveten. Mos i bëj askujt atë që nuk do të doje të ta bënin ty!

Cilat janë problematikat më të mëdha në profesionin tuaj?

Problematikat janë nga më të ndryshmet. Te fëmijët dhe adoleshentët vihen re dhëmbë të kariuar dhe malokluzione shumë të shprehura, keqrreshtime të dhëmbëve. Te moshat më madhore, problematikat më të shpeshta janë paradintoza, lëvizshmëria e dhëmbëve, sëmundje të mishrave të dhëmbëve, dhëmbë të pamjekuar dhe deri në mungesë të një ose disa, apo ndonjëherë të të gjithë dhëmbëve, pasi rrugën më të thjeshtë kanë menduar heqjen e tyre.

Sa i rëndësishëm është roli i Stomatologut dhe a ka hyrë ashtu siç duhet në kulturën shoqërore nevoja e kontrollit të dhëmbëve një herë në gjashtë muaj?

Roli i stomatologut është shumë i rëndësishëm në këtë aspekt, pasi neve na takon të jemi më bashkëpunues me pacientët dhe jo vetëm të bëjmë punën tonë siç duhet, por edhe të gjejmë dy minuta kohë për pak bashkëbisedim me ta dhe t’i bëjmë atyre të ditur që parandalimi është më i mirë sesa mjekimi. Duhet t’i ndërgjegjësojmë pacientët që ata të shkojnë për kontrolle rutinë një herë në gjashtë muaj te dentisti dhe njëkohësisht, ta shoqërojnë kontrollin e tyre edhe me një pastrim të gurëzave, i cili po ashtu këshillohet një herë në gjashtë muaj. Personalisht ndjek një praktikë të tillë, ku çdo gjashtë muaj i rikujtoj pacientët e mi me një mesazh që u ka ardhur koha për kontrollin e radhës.

Thuhet se sëmundjet e gojës çojnë deri në vdekje. Në fakt, sa duhet t’i trembemi këtij parimi?

Sigurisht që nuk duhet ta bëjmë kaq tragjike situatën, para pacientëve, por nëse nuk i mjekojmë dhëmbët dhe nuk largojmë infeksionet, atëherë pasojat do të jenë vërtet serioze për jetën.

Çfarë u këshilloni më shpesh pacientëve?

Këshilla më e shpeshtë është që ata të kujdesen çdo ditë për mirëmbajtjen e higjienës së tyre orale. Tri minuta përkushtim pas çdo vakti ngrënieje, do t’u kursejë atyre shumë seanca të gjata dhe të sikletshme te dentisti. Furça të ndërrohet çdo dy muaj, të mbahet në vende të pastra që të mos kontaminohet, të përdorin furça të buta dhe mënyra e larjes të jetë vertikale dhe rotative, pasta të jetë e përshtatshme me problematikat që ka gjithsecili, të përdorin fillin dentar së paku një herë në ditë dhe shpëlarës antiseptik. Këshilla tjetër është kontrolli rutinë dhe pastrimi i gurëzave çdo gjashtë muaj.

Ka një çorientim të medias kur bëhet fjalë për stomatologjinë. Thuhet se ka jo profesionistë që po e dëmtojnë imazhin e dentistit, abuzohet me materialet etj. Si ia bën për të shmangur këtë divergjencë tregu?

Padyshim që mund të jetë edhe nga ata që abuzojnë me profesionin dhe cilësinë e shërbimeve, por janë pacientët ata që nuk ua falin dhe shumë shpejt të ashtuquajturit mjekë, janë skualifikuar nga tregu duke i mbyllur klinikat e tyre. Personalisht kam punuar fort, me shumë përkushtim, pa u lodhur, kam bërë maksimumin në çdo drejtim, si nga ana profesionale dhe nga materialet më cilësore që përdor, dhe si rrjedhojë, në këto vite pune të palodhur në Klinikën Dentare Brilant, pacientët kanë qëndruar besnikë dhe kanë sjellë shumë të tjerë. Janë rezultatet afatgjate ato që krijojnë besim.

Ju kryeni një sërë shërbimesh falë aparaturave më bashkëkohore. Cili është standardi që ju ofroni?

Në Klinikën Dentare Brilant fal aparaturave bashkëkohore kryhen të gjitha shërbimet, duke filluar nga mbushjet të të gjitha gradave, ekstraksione, punime estetike, zbardhim profesional, proteza, ura, implante, aparate ortodontie për drejtimin e dhëmbëve si dhe deri tek estetika, botokset. Për të sjellë të gjitha këto shërbime në mënyrë sa më profesionale kemi bashkëpunime dhe me mjekë profesionist të jashtëm siç është Ortodonti, imolantologu etj. Ajo që ofrohet është shërbimi i kualifikuar dhe cilësi maksimale në kohë dhe kosto të arsyetueshme.

Pas një rrugëtimi disavjeçar në profesionin që ju përfaqësoni, cila është rëndësia që do ta përkufizonit në një të vetme?

Profesionalizëm, cilësi maksimale, sterilitet absolute.

Cilat janë frytet e punës së palodhur dhe kujt i jeni mirënjohëse për çdo hap përparues që keni bërë?

Frytet e punës sime jam duke i parë çdo ditë e më shumë. I jam falënderuese familjes sime, të cilët më kanë mbështetur në çdo hap timin si moralisht edhe ekonomikisht, më kanë dhënë kurajë në hapat e mija të parë dhe sot çdo arritje ia dedikoj atyre. Ju jam falënderuese gjithashtu të gjithë pacientëve të cilët kanë zgjedhur dhe vazhdojnë çdo ditë e më shumë të zgjedhin Klinikën Dentare Brilant. Pa besimin e tyre nuk do kishte marrë këto përmasa që ka sot Klinika Dentare Brilant.

Pse duhet të kenë besim pacientët te klinika “Brilant”?

Besimi krijohet me kohën, por deri më tani kush ka marrë shërbime dentare nga Klinika Brilant i ka qëndruar besnik, sepse pacientët arrijnë ta kuptojnë sesa shumë i përkushtohesh punës. Pacientët shohin që çdo gjë është e pastër dhe sterile dhe hapet aty në prezencë të tyre. Pacientët e kuptojnë me kalimin e kohës që puna që bëhet, i reziston kohës pasi materialet e përdorura janë më cilësoret dhe teknikat me bashkëkohoret.

Si do ta përkufizonit punën tuaj në katër vite, punën tuaj te “Brilant”?

Më pëlqen shumë shprehja: Puno fort dhe lëre suksesin tënd të bëjë zhurmë.

Femrat kanë shqisën e gjashtë, intuitën, që i ndihmon t’ia dalin mbanë në pengesa apo zgjidhje të çastit. Sa ia njihni vetes këtë cilësi?

E njoh veten si një femër që e kam shumë të theksuar intuitën. Mund të them që intuita nuk më gabon kurrë.

Nëse nuk do të ishit bërë stomatologe, cili do të ishte profesioni që do të kishit bërë po kaq mirë?

Nëse nuk do isha bërë stomatologe, padyshim do isha bërë piktore. Por jam pajtuar me mendimin që kam bërë zgjedhjen e duhur, pasi tani ndihem më e kompletuar, pasi kam një profesion që është stomatologjia dhe një pasion që është piktura dhe çdo ditë i ndërthur të dyja pasi edhe të modelosh një dhëmb apo të bësh një punim estetik është art më vete.

Nisur nga më sipër, kur ju duhet të arsyetoni, veproni me mend apo me zemër?

Mundohem t’i vë në ekuilibër të dyja edhe mendjen edhe zemrën. Asgjë nuk mund të bëhet perfekt nëse nuk ka zemër brenda. E pranoj që fillimisht kam bërë një zgjedhje me mend për të ardhmen time, por gjatë gjithë kohës e kam ushqyer veten time me një dashuri të pamasë për profesionin që zgjodha dhe sot jetoj në harmoni me mendjen dhe zemrën, dhe nëse koha do kthehej pas dhe do më duhet ta zgjidhja përsëri, e them me bindjen më të plotë prapë stomatologjinë do zgjidhja. Pavarësisht që është një punë e lodhshme, e bëj me kaq shumë dashuri. Nuk e mendoj jetën time në një profesion ndryshe.

Në psikologji një imazh i bukur thuhet se ‘zbut’ shpirtin, lehtëson dhe zgjidh situatat duke falur mirësi njëkohësisht. Sa ju ka ndihmuar bukuria për t’ia dalë në jetë por edhe në profesion?

Pamja fizike sa mund të ndihmojë edhe mund të jetë penguese, pasi krijon skepticizëm te njerëzit për t’i besuar një vajze të re. Fillimisht, kur kam mbaruar studimet dhe kërkoja të punësohesha diku, pamja ime ka qenë shumë penguese, pasi askush nuk kishte besim që unë mund të isha e aftë në profesionin tim. Prej 4 vitesh unë e ushtroj profesionin në klinikën time dhe nuk mund të them nëse më ka favorizuar apo penalizuar, pasi pacientët e zgjedhin Klinikën Brilant për shërbimet cilësore që ofrohen.

Natyrshëm rrjedh pyetja: keni më shumë pacientë meshkuj apo femra?

Pacientët janë të të dyja gjinive e grupmoshave.

Ju jeni quajtur edhe si “dentistja e vipave”. Sa jua përkëdhel sedrën kjo gjë?

Kjo për arsye pasi shumë personazhe të njohur në Shqipëri kanë zgjedhur dhe i kanë besuar Klinikës Dentare Brilant shëndetin e dhëmbëve të tyre. Sigurisht që ndihem e përkëdhelur nga ky fakt, por për mua të gjithë pacientët janë njësoj dhe të gjithë trajtohen me të njëjtin përkushtim dhe profesionalizëm.

Janë ata bashkëpunues apo tekanjozë?

Të gjithë pa përjashtim janë shumë bashkëpunues.

Keni sakrifikuar për të arritur ato që keni dashur? Çfarë sakrificash?

Kam sakrifikuar jashtëzakonisht shumë. Sakrifica më e madhe që kam bërë, është që jetoj larg familjes vetëm për këtë profesion. Familja ime nuk mund të shpërngulej dot për shkak të punës që kanë ndërtuar në vendin e tyre dhe nga ana tjetër unë isha shumë kërkuese dhe zgjodha Tiranën për të hapur klinikën time, pasi këtu shoh më shumë të ardhme. Kam sakrifikuar nga koha ime, pasi i kushtoj jashtëzakonisht shumë kohë klinikës dhe mbarëvajtjes së saj. Kam sakrifikuar ëndrrën time pikturën për këtë profesion. Kam sakrifikuar kohën time të lirë, daljet e shpeshta. Për të pasur diçka duhen sakrifikuar shumë të tjera.

Jeni ju një vajzë që bëni kompromise?

Nuk jam natyrë që bëj kompromise.

Paragjykoheni? Sa shpesh e hasni dhe si reagoni?

Ndoshta edhe mund të paragjykohem, por jam moskokëçarëse në këtë aspekt. Përpiqem të bëj jetë normale brenda normave, brenda etikës dhe për aq sa unë jam në harmoni me veten, të tjerët le të paragjykojnë. Mbetet problem i tyri jo i imi.

Familja është modeli ku ngrihen bazat e personalitetit, sa ka ndikuar ajo tek ju?

Është e vërtetë që familja është baza për formimin e personalitetit të fëmijës së tyre. Unë vi nga një familje e mrekullueshme ku ka mbizotëruar harmonia, dashuria për njëri-tjetrin dhe njerëzit që na rrethojnë dhe një familje, që e duan punën e ndershme. Me prindërit kam marrëdhënie shoqërore, gjithmonë më kanë qëndruar pranë me këshillat e tyre dhe duke ditur se çfarë fëmijësh rritën dhe edukuan, ata më kanë dhënë liri në moshë shumë të re, e këtë liri unë nuk ua shpërdorova asnjëherë, por përkundrazi, kam punuar fort që t’i bëj ata krenarë dhe të mos pendohen aspak për zgjedhjet e mia.

Të mësuarit e shumë gjërave në jetë shërbejnë për rritjen dhe ndërtimin e një personaliteti të fortë, por edhe garancie për të ardhmen brenda asaj që do të ndërtosh për veten. Si ka ndodhur me ju?

Dija është një armë shumë e fortë për veten. Unë investoj më tepër në libra sesa në veshje. Përpiqem që të gjej kohë çdo ditë për të lexuar dhe për të mësuar diçka të re. Sa më shumë të dish, aq më tepër vetëbesim ke te vetja dhe nga ana tjetër, sa më shumë të dish, aq më pak të duket sikur di.

Ju pëlqejnë sfidat, sa shpesh përfshiheni në to?

Më pëlqejnë sfidat me veten. Kam një shpirt luftarak. Pres shumë nga vetja dhe dua të arrij çdo gjë vetë në jetë. Nuk jetoj dot në ujëra të qeta. Sapo arrij diçka, e vë veten përballë një sfide të re, brenda një afati të caktuar kohor dhe në 90% të rasteve e kam arritur.

Cilat janë prioritetet e tua?

Prioritet për mua mbetet familja dhe puna.

Lamë pas një muaj të rëndësishëm sa i takon besimit mysliman, po ju vetë a besoni në zot?

Besoj shumë në Zot, në një fuqi të mbinatyrshme dhe lutem çdo mbrëmje para se të fle dhe çdo mëngjes sa hap sytë, dhe falënderoj Zotin për çdo gjë të mire që më ka sjellë në jetën time.

Çfarë ju lidh pas fesë, cilat janë ato virtyte për të cilat koha vlen t’ua kërkojë njerëzve t’i zbatojnë?

Më pëlqen që fetë t’i shoh në këndvështrimin edukues. Të gjitha besimet fetare pa përjashtim, të mësojnë që ta duam njëri-tjetrin, të falim më shumë, të kemi më shumë shpresë për të ardhmen, të jemi njerëz më besnikë, të dhurojmë më shumë dashuri, të ndihmojmë njerëzit në nevojë, të shpërndajmë më shumë paqe.

Romantike, melankolike apo krejt e kundërta?

Brenda meje qëndron një shpirt i butë dhe si e tillë,mendoj që jam një natyrë romantike. Më pëlqen më shumë të dhuroj sesa të më dhurojnë.

Elegante, e hirshme… çfarë bën ti për pamjen e jashtme?

Pamjen na e ka fal Zoti. Nuk është se i kushtoj shumë kohë pamjes time të jashtme, por me aq mundësi sa kam, përpiqem të jem e rregullt dhe e kuruar pasi në radhë të parë tregoj respekt për veten time dhe për njerëzit që takoj gjatë ditës.

Periudhë pushimesh, janë ato terapia më e mirë për t’u stakuar dhe rimarrë energjitë?

Pushimet sigurisht që janë një terapi shumë e mirë, por telefoni i një mjeku nuk rri kurrë i fikur, as kur jemi me pushime. Vitin që kaloi nuk kam bërë pushime, e mesa duket, as këtë vit nuk do bëj, pasi periudha e pushimeve për të tjerët është fluksi i punës për ne dentistët. Megjithatë, shpresoj t’i gjej disa ditë për të rimarrë energji të reja për punën.

Botuar në revistën “Psikologjia”, Nr. 121

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com