Psikofakt

November 23, 2015 | 10:47

Familja: E shenjtë?

MondiNga Edmond Tupja

Familja, si nocion dhe si realitet, ka evoluar historikisht, por sot, sidomos në Shqipëri, ajo po bën një hop cilësor, sipas mendimit të sociologëve, duke u zhveshur nga tiparet e saj tradicionale, sigurisht më shumë në zonat qytetëse, kryesisht në kryeqytet, sesa në ato fshatare. Me copëtimin, prej disa dekadash, e familjes së madhe patriarkale në fshatra, dukuri të reja janë shfaqur që po e afrojnë strukturën e familjes shqiptare me atë të familjes në vendet e zhvilluara të botë demokratike.

Gjithsesi, pak flitet për krizë të familjes, veçanërisht pas pranimit de facto e de jure të ekzistencës edhe të familjes të bazuar në bashkëjetesën e çiftit jashtë kuadrit të martesës tradicionale. Aktualisht, pra, flitet më shumë për krizë të çiftit sesa për krizë të familjes, edhe pse e para ndikon tashmë në evoluimin e familjes. Kështu, është shfaqur edhe një formë e re familjeje, ajo e familjes me një prind, me nënën, në shumicën e rasteve. Nga ana tjetër, vihet re edhe një formë tjetër e familjes, ajo e familjes së rindërtuar, d.m.th. e një familjeje ku njëri nga pjesëtarët e çiftit, ndonjëherë edhe tjetri njëkohësisht, ka sjellë një fëmijë nga një martesë e mëparshme. Së fundi, por ende jo në Shqipëri, martesa midis individëve të së njëjtës gjini dhe, rrjedhimisht, krijimi i familjeve homoseksuale, si edhe, veçanërisht, e drejta e tyre për të birësuar fëmijë ose edhe për të pasur fëmijë biologjikë falë disa metodave si ndërzimi artificial vetjak apo, kundrejt pagese, i një femre tjetre, pra, edhe këto dukuri dëshmojnë evoluimin e pandërprerë të familjes si nocion e si realitet nëpër botë.

Problemi që shtrohet është po aq i vjetër sa vetë jeta shoqërore mbi tokë: Në gjirin e shoqërive moderne, a mbetet familja ende e shenjtë, sigurisht jo më në kuptimin fetar të fjalës sipas imazhit të Familjes së Shenjtë të përbërë nga Maria, Jozefi e Jezui? Me emancipimin ekonomik e socialkulturor të femrës, me përpjekjet për vendosjen e barazisë gjinore në të gjitha sferat e jetës sociale, si edhe me institucionalizimin e divorcit prej shumë dekadash në vendin tonë gjithashtu, duhet pranuar se karakteri i “shenjtë” i familjes në jetën e përditshme sa vjen e po zbehet; jo të pakta janë familjet që krijohen e shpërbëhen si “pa të keq”, pavarësisht dramave që shkaktojnë sidomos te fëmijët e mitur, edukimi e mirërritja e të cilëve varen në një masë të konsiderueshme edhe nga prania, përkujdesja e përfshirja e të dy prindërve njëherazi.

Nga ana tjetër, problemi ka nisur të shtrohet edhe nga pikëpamja sociologjike: Tashmë, në shekullin XIX, Balzaku shkruante se “Familja do të jetë gjithmonë në themel të shoqërive”. Sot, duke vënë re prirjen e shtetit e të shoqërisë civile për të marrë gjithnjë e më shumë pjesë në edukimin e fëmijëve jo vetëm nëpërmjet shkollës, por edhe nëpërmjet strukturave të tjera sociale, duke vënë re

gjithashtu se familja nuk mund ta mbajë e vetme barrën përherë e më të vështirë të edukimit të fëmijëve e të të rinjve, sot, pra, po ndryshon, sigurisht në botën e emancipuar, mënyra e përgatitjes së brezave të rinj për të marrë dora-dorës stafetën e zhvillimit të shoqërisë në tërë fushat e rëndësishme të veprimtarisë njerëzore. Si pasojë, me shumë gjasë, edhe teza e Balzakut duhet rishikuar: për këtë, fjalën e kanë filozofët, sociologët, psikologët, edukatorët, por edhe vetë familjet.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top