Në fokus

December 14, 2020 | 10:10

Federata e Mjekëve Europianë apelon: Shqiptarët po përdorin antibiotikë të gjeneratës së katërt për të trajtuar koronavirusin, por ky është një gabim fatal

I këtij mendimi janë ekspertët shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në vende të ndryshme të botës. Federata e Mjekëve Shqiptarë në Europë e drejtuar nga mjekja Aurora Dollenberg me seli në Gjermani ka mbledhur në një konferencë virtuale mjekët shqiptarë në të gjithë botën për të diskutuar mbi mënyrën e trajtimit të pandemisë.

Aurora Meta Dollenberg, psikoterapiste, Hanover

Aurora Meta Dollenberg, psikoterapiste, Hanover

Mjekët kanë nxjerr në pah mënyrën e gabuar të trajtimit me antibiotikë kur nuk është e nevojshme.

Valbona Selimaj mjeke pediatre-infeksioniste në Belgjikë, gjatë fjalës së saj u shpreh se: “Në Shqipëri mjekët japin antibiotikë të gjeneratës së 4-ët, japin oksigjenoterapi në shtëpi në mënyrë masive”.

Ajo e konsideroi këtë një abuzim që rëndon në xhepat e qytetarëve sot por edhe dëmton shëndetin e tyre “Ky është një abuzim i jashtëzakonshëm dhe në qoftë se do të vazhdojë edhe për 2 apo 3 muaj në të ardhmen njerëzit do të na vdesin sepse nuk do të kemi antibiotikë për të trajtuar një pneumokok” u shpreh Selimaj.

Ndërkohë mjeku internist në Angli, Adrian Fandi theksoi se të tillë antibiotikë duhet të jepen vetëm me lejen e mikrobiologut, pas testimeve. “Është çmenduri, këtu ato antibiotikë janë shumë restrikt, është çmenduri të përdorësh antibiotikë venoz në shtëpi, siç ndodh në Shqipëri”- tha Fandi.

Ajo çfarë mjekët apelojnë është trajtimi në mënyrë simptomatike e rasteve të lehta. Nazer Ahmeti, mjek internist në Hamburg cilësoi se përdorimi i antibiotikëve nuk ka asnjë efekt në trajtimin e Covid-19: “Këtu kemi një infeksion viral, si do ta mjekojmë një infeksion viral me antibiotikë? Ne me antibiotikë mjekojmë vetëm infeksionet bakteriale”.

Mjeku anestezist –reanimator në Francë Teni Kamberi iu referua Francës e cila fokusin e ka tek parandalimi nëpërmjet testimeve dhe gjurmimit të rastit, ndërsa kur vjen puna tek trajtimi, si të gjithë mjekët shprehet se: “Rastet e lehta ne i lëmë në shtëpi, vitaminë C, D, Zink dhe paracetamol, kaq mjafton”.

Për të venë në jetë praktikat më të mira që ndiqen sot në botë për trajtimin efikas të Covid-19 deri në imunizimin e popullatës me anë të vaksinës, Federata e Mjekëve Shqiptarë në Europë po përpilon një udhërrëfyes. Kryetarja e kësaj Federate Aurora Dollenberg u shpreh se është shumë e rëndësishme që protokollet të unifikohen për të mos lejuar mjekët të japin mjekim të gabuar, që rëndon shëndetin e popullatës.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top