FB

July 11, 2022 | 10:01

Fëmija nuk e dëgjon fjalën e parë!

Prindër! Kur flisni me fëmijën sidomos për t’i tërhequr vëmendjen, fjalën kryesore nuk duhet ta thoni të parën, pasi fëmija nuk e dëgjon.

Nga Lira GJIKA, psikologe

Kur fëmijës i thuhet “mos e bëj”, fëmija fjalën “mos” nuk e dëgjon. Kjo ka lidhje me mënyrën se si e mëson fëmija të folurin. Nëna ja rrokëzon fjalët fëmijës kur do ta mësojë. Ajo shqipton rrokjen e parë dhe nxit fëmijën të artikulojë rrokjen e dytë. E njëjta gjë ndodh edhe me fjalën, nëna thotë fjalën e parë dhe fëmija shton fjalën e dytë. Nëna e fillon dhe fëmija e vazhdon. Pra, mësimi i shqiptimit fillon me rrokjen e fundit dhe dalëngadalë te fjala e fundit. Fëmija mësohet të përqendrohet te rrokja dhe fjala e fundit. Kështu, kjo mënyrë të mësuari bëhet edhe mënyrë të dëgjuari.

Të gjithë specialistët që merren me gjuhën dhe edukimin e fëmijës së vogël rekomandojnë, që gjatë të folurës të përdoren edhe shenjat, si lëvizja e kokës apo e dorës në mënyrë mohuese apo pohuese, pasi gjuhën e trupit fëmija e ka më të lehtë për ta kuptuar. Duke i bashkuar të dyja, fjalët dhe shenjat, fëmija do t’i marrë më mirë komandat dhe do të kuptojë më saktë se çfarë kërkohet prej tij dhe çfarë po i thuhet. Kjo “paaftësi” e fëmijës për të mos dëgjuar fjalën e parë, mund të zgjasë deri nga mosha 3-4 vjeç.

Nëse prindërit tregohen të kujdesshëm në formulimin e komandave me fjalë, fëmija e ka më të lehtë të zhvillojë përqendrimin dhe të dëgjuarin sipas radhës së fjalëve, gjë që ndihmon shumë në të ardhmen në drejtim të vëmendjes dhe zhvillimit të intelektit.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top