Në fokus

September 26, 2016 | 10:51

Fëmijët, lojërat elektronike dhe libri

Sipas një studimi, fëmijët e moshës midis 8 dhe 18 vjeç mesatarisht kalojnë më shumë se 7.5 orë në ditë të përfshirë në “e-media” – rrjetet sociale, videolojërat, muzikë dhe televizion. Gjatë dy dekadave të fundit, libraritë, sidomos ato për fëmijë, tregojnë një rënie konstante të shitjeve, fillimisht duke çuar në falimentim disa zinxhirë librarish në vitet 1990. Ato janë në përpjekje që të mbajnë të njëjtin hap me gjigandë on-line të e-books, si Amazon. Megjithatë, përveç shitësve të “e-books”, një tjetër konkurrent i fortë që rrezikon biznesin e librarive, megjithëse nuk ka lidhje me librat, por për shkak të mosleximit, është “entertainment media” dhe sidomos lojërat elektronike të çdo formati (PC, PS3, Xbox, Nintendo, I-touch, etj). Sipas ‘Kaiser Family Foundation’, fëmijët e moshës 8 deri 18 vjeç shpenzojnë mesatarisht më tepër se 7.5 orë në ditë duke u marrë me “e-media” – rrjete sociale, lojëra kompjuterike, videouebsajte, muzikë dhe televizion. Duke marrë parasysh edhe ‘media multi-tasking’ – psh, duke luajtur me I-phone ose PSP, ndërkohë që shohin televizor ose dëgjojnë muzikë – faktikisht ato janë duke ju marrë gati 10.5 orë përmbajtje me e-media gjatë një dite. “Sasia e kohës që të rinjtë shpenzojnë me media është rritur deri në atë pikë, sa të jetë sa një javë pune me kohë të plotë”, – thotë presidenti i fondacionit.

Përse ka ardhur koha që prindërit duhet të nxjerrin nga dollapët e lodrave librat me përralla, në vend që thjesht t’i dorëzojnë fëmijës një Play Station? Sipas John Hutton dhe shumë pediatërve, psikologëve dhe psikiatërve për fëmijë, përgjigjja është e thjeshtë: “Sepse do mund të ndikojë në llojin e personit që fëmija do të bëhet”. Hutton është i apasionuar kur flet për pasojat në shëndet të medias elektronike te fëmijët dhe se si krahasohet me kohën e shpenzuar duke lexuar. Ai është baba i tre fëmijëve dhe një pediatër që fusha e kërkimit përfshin shkollimin dhe edukimin e fëmijës. “Faktikisht gjuha njerëzore zhvillohet nga procesi merr-dhe-jep”, – shpjegon Hutton. Kur një nënë i thotë fjalën elefant fëmijës së saj dhe i tregon me gisht një imazh, jo vetëm që zhvillon fjalorin e fëmijës, por edhe kultivon (ushqen) marrëdhënien prind-fëmijë. “Ju jeni në fakt duke shpenzuar një kohë shumë speciale në komunikimin tek-e-tek”, – thotë ai. “Sidomos në ditët e sotme, kur të gjithë jemi me shumë nxitim, kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme”. Dr. Pamela High, drejtoreshë e Pediatrisë së Zhvillimit dhe Sjelljes në Shkollën Mjekësore Alpert e Universitetit Brown, e shpjegon atë kështu: “Leximi është i ndërlidhur me qendrat gjuhësore në trurin në zhvillim të një fëmije. Ne kemi bërë kërkime shumë të mira, që fillojnë që kur fëmijët janë ende foshnje, të cilat tregojnë se fjalët e thëna drejtpërsëdrejti një fëmije, bisedat e përditshme me të, mund të duken si të pavlera, por janë faktikisht parashikuesi më i mirë që ne kemi rreth zhvillimit të gjuhës së tyre gjatë jetës. Vlen për t’u shtuar që, zhvillimi i mirë gjuhësor te parashkollorët është një parashikues i mirë i suksesit të mëvonshëm në shkollë. “Fjalët e thëna në afërsi të fëmijës, si për shembull nga një shfaqje televizive, nuk kanë të njëjtin impakt, – shprehet ajo. – Gjithashtu – dhe kjo është diçka tej mase e rëndësishme – t’i lexosh një fëmije, e motivon atë që të mësojë të lexojë kur të rritet. Fëmijët që mësojnë se librat janë të mrekullueshëm dhe përmbajnë histori shumë të bukura, dhe që e mendojnë kohën e leximit të librit së bashku me prindin si një kohë shumë të veçantë, janë më të predispozuar të punojnë për të kapërcyer çdo pengesë që mund të ndeshin gjatë të mësuarit të leximit veçanërisht”. Përfitimet nga të lexuarit që në moshë të re shkojnë përtej një lidhjeje prind-fëmijë dhe premisave të mira për shkollën, thotë psikiatrja Sarah Knox. Ajo është e specializuar për të punuar me fëmijë dhe adoleshentë. Të mësosh si të imagjinosh, vjen dorë për dore me të mësuarit e leximit. Zhvillimi i imagjinatës i ndihmon fëmijët të përpunojnë ndjenja të ndërlikuara. “Mendojeni leximin, – shprehet ajo, – si një mënyrë për të zhvilluar muskujt e imagjinatës së një fëmije. Duke lexuar një libër – dhe këtu dua të them tregime artistike – një fëmijë mund ta identifikojë veten me të gjitha llojet e personazheve dhe karaktereve të ndryshme. Ajo mund ta imagjinojë veten si një princeshë magjike, por edhe si një njerkë e ligë apo shtrigë. Një libër siguron një vend në mendjen e fëmijës, ku ai apo ajo mund të interpretojnë shumë ndjenja dhe ide në mënyrë të sigurt”, – shpjegon Knox. Një djalë i vogël mund ta imagjinojë veten si një pirat të pashpirt, pa pasur nevojën që të vrapojë në rrugë duke tundur shpatën. Kur një fëmijë është i aftë të ketë një koleksion të pasur eksperiencash në kokën e tij – pra, të vihet në rolin e gjithë këtyre personazheve dhe karaktereve – ai zgjeron aftësinë e tij për të toleruar dhe për të kuptuar ndjenjat e tij, ashtu si dhe ndjenjat e të tjerëve. “Eksperienca e leximit i krijon fëmijës një mënyrë tjetër të menduari, i zhvillon atij një arsyetim më të qartë të kuptimit të vetvetes, kush është ai, duke i dhënë një mundësi më të mirë për të empatizuar me të tjerët, duke e bërë më të aftë për të negociuar me botën e tij emocionale. Këto janë fuqia e vërtetë në jetë”. Mënyra se si ndërtohet struktura e librit – fillimi, zhvillimi dhe fundi – i ofron diçka tjetër fëmijës. “Fillimi, zhvillimi dhe fundi, nëse e mendon, ka shumë të bëjë me mënyrën se si secili prej nesh ka nevojë të njohë ç’janë marrëdhëniet, – vazhdon ajo. – Përgjatë jetëve tona, ne njihemi me njerëz, ne krijojmë njohje dhe formojmë lidhje.

Young boy travels with tablet on train

Dhe si çdo marrëdhënie tjetër, ne duhet të jemi të aftë të merremi me fundin e një të tille”. Në pikëpamjen e Hutton-it, struktura e kufizuar me fund e një libri ka dhe një përfitim tjetër të rëndësishëm. “Që një fëmijë të zbulojë se çfarë ndodh në fund të librit – pra, për të marrë “shpërblimin” le të themi – ai ka nevojë që ta lexojë të tërin. Kjo jo vetëm që krijon vetëbesim, por edhe forcon aftësinë e fëmijës për t’u ulur për një detyrë, të përqendrohet në të dhe ta mbarojë”. Një libër siguron një vend në mendjen e fëmijës, ku ai apo ajo mund të interpretojnë shumë ndjenja dhe ide në mënyrë të sigurt”. Një djalë i vogël mund ta imagjinojë veten si një pirat të pashpirt, pa pasur nevojën që të vrapojë në rrugë duke tundur shpatën. Pavarësisht gjithë presionit negativ që lojërat kompjuterike ushtrojnë te fëmijët, nuk janë tërësisht të këqija. Këto lojëra zhvillojnë aftësitë motorike, koordinimin dhe aftësinë që të zgjidhin problemet dhe të ndërtojnë bashkëpunimin. Ashtu siç na shpjegon Sandra Calvert, profesoreshë psikologjie në Qendrën e Medias Dixhitale për Fëmijë në Universitetin e Georgetown, videolojërat i tërheqin disa fëmijë në një mënyrë që librat nuk e bëjnë. “Shumë prej këtyre videolojërave janë të bazuara mbi pamje, çka i bën ato shumë të mira për t’u mësuar atyre informacionin hapësinor, koncepte shkencore, apo STEM-in jo formal të të mësuarit (science, technology, engineering and mathematics), – thotë ajo.

– Historikisht, ne i kemi dhënë prioritet fjalës dhe gjuhës në formimin kulturor. Por sot, të dyja drejtimet: fjala – gjuha dhe e-media me lojërat elektronike, janë që të dyja mënyra të vlefshme mendimi. Disa individë janë të prirë në drejtim të përpunimit të imazheve, kështu që teknologjitë e reja i ndihmojnë ata që të kenë atë qasje ndaj informacionit që i përshtatet mënyrës se si truri i tyre punon”. Hal Halpin, themeluesi i ‘Entertainment Consumers Association’, shoqata e tregtarëve të industrisë së videolojërave, thotë: “Mendoj se një nga gjërat që ne kemi mësuar nga gjithë kërkimet e bëra mbi lojërat elektronike, ajo për të cilën shkencëtarët bien dakord (kur je duke luajtur një videogame), është se ti je duke aktivizuar shtigje të reja neurale dhe je duke e angazhuar trurin. Asnjëherë s’do të më dëgjoni të them se ‘lojërat nuk ju ndikojnë’, sepse ato realisht ju ndikojnë. Është thjesht një çështje: nëse loja ka përmbajtjen e përshtatshme për personin e duhur, në moshën e duhur. Dhe prindërit janë më të aftit për ta bërë këtë përcaktim”. Pak janë specialistët e kësaj fushe që pohojnë se dhuna e shfaqur në video mund të jetë e padëmshme në zhvillimin e një fëmije. AAP (The American Academy of Pediatrics) e quan ekspozimin ndaj dhunës nëpër e-media si një “rrezik të konsiderueshëm” në shëndetin e fëmijëve dhe adoleshentëve dhe bën një lidhje mes dhunës mediatike me rritjen e agresivitetit, humbjen e ndjeshmërisë ndaj dhunës, ëndrrat e këqija dhe frikën e pabazë ndaj dëmtimeve. AACAP (The American Academy of Child and Adolescent Psychiatry), ndërkohë që konstaton se videolojërat mund të promovojnë të mësuarit dhe të zgjidhurit e problemave, paralajmëron se fëmijët e ekspozuar ndaj dhunës në këto lojëra mund të bëhen “të pandjeshëm ndaj tmerrit të dhunës”, mund ta imitojnë dhunën që shohin ose ta përdorin atë për të zgjidhur problemet në jetën e tyre. Psikiatri i fëmijëve Michael Brody, drejtues i Komitetit të Medias së AACAP, thotë: “Lojërat ‘first person shooter’ janë vërtet shumë, shumë popullore dhe ka mjaft kërkime që na tregojnë një rritje në ndikimin e agresivitetit në mendimet dhe sjelljen e fëmijës, ndërkohë që i luan ato”. Ai thekson “se për faktin që shumica e lojërave sot luhen në celularë apo pajisje të tjera të lëvizshme, prindërit e kanë gjithnjë e më të vështirë që të shikojnë përmbajtjen e tyre. Fëmijët gjithashtu janë nën rrezikun e takimit me grabitës të huaj në lojërat bashkëpunuese në internet.

Përtej dhunës, – shton Brody, – unë jam i shqetësuar për mënyrën se si këto lojëra u zënë vendin aktiviteteve të tjera – leximit, apo të luajturit me shokët”. Filma apo novela shumë të suksesshme, si ‘Grand Theft Auto’ apo ‘Call of Duty”, nuk janë të vetmet e-media nga të cilat prindërit duhet t’i ruajnë fëmijët e tyre. Studimet tregojnë se video që mësojnë foshnjat se si të mësojnë – Baby Einstein apo Brainy Baby – në fakt vonojnë dhe pengojnë zhvillimin e gjuhës së foshnjave apo fëmijëve. Fakte dhe prova nga kjo fushë, si dhe kërkime të tjera e shpunë AAP në 1999 që t’u rekomandojë prindërve që fëmijët nën moshën 2-vjeçare të mos ekspozohen ndaj ekraneve. Për fëmijë më të rritur, AAP i sugjeron prindërit që të limitojnë kohën e shpenzuar para ekraneve deri ne 2 orë në ditë. Jane Healy është një psikologe edukative dhe autore e studimit – “Failure to Connect (Mungesa e lidhjeve): Si ndikon kompjuteri trutë e fëmijëve tanë dhe çfarë mund të bëjmë ne rreth kësaj”. Healy ka shqetësime serioze rreth ndikimit që gjithë këto e-media kanë te fëmijët. “S’ka dyshime, – thotë ajo, – që lidhjet neurale që krijohen kur fëmijët luajnë lojëra elektronike janë të ndryshme nga ato që përdoren për të lexuar. Thellësisht, shqetësimi im – dhe të tjerë e thonë këtë gjithashtu – është se ne po humbim fuqinë e reflektimit, të të menduarit dhe fuqinë e rritjes dhe mbajtjes së vëmendjes.

1

Do të theksoja që në shumicën e aktiviteteve pamore – online, në ekrane, nëpër televizorë – është në fakt truri i programuesit që bën shumicën e punës. Fëmija thjesht i përgjigjet, ashtu si një mi në një labirint. Mund të duket i shpejtë dhe i zgjuar, por është thjesht një përgjigje që ai u bën stimujve. Të luash videolojëra, – shton ajo Healy, – kushtëzon trurin që t’i përgjigjet diçkaje që na ngacmon e na tërheq dhe më pas të shohë përreth për një ngacmues tjetër që e tërheq. Kjo nuk është duke na zhvilluar mundësinë e përdorimit më të thellë të trurit tonë. Aftësia për të zgjidhur problema në një nivel më të thellë, aftësia për të marrë, për të përfituar nga pikëpamjet e dikujt tjetër, për të reflektuar mbi çështje, tema apo marrëdhënie – këto janë gjërat që unë mendoj se të lexuarit me kuptim i zhvillon”. Në 2009, presidenti Obama shpalli fushatën “Krijo për të edukuar”.

Kjo iniciativë është e përqendruar në shtytjen dhe inkurajimin e zotësisë në lëndët STEM. Një nga elementet kyç të programit është “Sfida Kombëtare e Videolojërave STEM”. “Ka vërtet aktivitet të lartë intelektual në komunitetin e videolojtarëve”, – thotë Kumar Garg, zëvendëskëshilltar në Zyrën e Shkencës dhe Teknologjisë në Shtëpinë e Bardhë. “Dhe ne po zbulojmë që ky komunitet kërkon të bëjë diferencën”. Si pjesë e kësaj iniciative, krijuesit e lojërave kanë filluar t’u shtojnë komponentë edukativë lojërave shumë popullore dhe komerciale. “Merr për shembull një lojë si Spore, që flet rreth formimit të ‘krijesës së ardhshme’. Po sikur Spore t’i bënte fëmijët të lumtur për të mësuar matematikë dhe shkencë?” Sfida gjithashtu u jep fëmijëve mundësinë që të krijojnë lojëra origjinale vetë. Alan Gershenfeld, president i E-Line Media dhe një partner te ‘Sfida’, mendon se është diçka veçanërisht emocionuese. “Të krijosh (projektosh) lojëra, – thotë ai, – kërkon aftësi si ‘të menduarit rreth sistemeve’, ‘të zgjidhurit e problemeve’, ‘të menduarit kritik’, ‘dizajnit përsëritës’, pra ‘kreativitet’ dhe ‘bashkëpunim’ – gjë që fëmijët e dashurojnë… Besimi im është se nëse jemi në gjendje të trokasim tek pasioni natyral që fëmijët kanë, ne mund t’i motivojmë ata që të duan të mësojnë lëndë siç janë matematika dhe shkenca”. Roger Altizer është një avokat i videolojërave dhe profesor në Universitetin e Utah-ut. Ai mendon se çdo rrezik që videolojërat krijojnë, janë gati të papërfillshme ndaj oportuniteteve që ato japin për të mësuar. Në nivelin më të ulët bazë, një lojë është thjesht një problemë logjike – me aftësinë e stimulimit të imagjinatës, jo si një problemë me fjalë që mund të ndeshet në lëndën e matematikës. “E keni parasysh atë shprehjen, të humbasësh në një libër? Epo, fëmijët humbasin në videolojëra, – thotë ai, – sepse këto lojëra sigurojnë eksperienca të pasura dhe emocionuese. Fëmijët fillojnë të krijojnë rregulla të reja loje, zgjerojnë rrjedhën e historisë së lojës më tej, pasi ata kanë mbaruar së luajturi, madje shkruajnë historitë e tyre rreth personazheve të lojërave. Ka një shqetësim që ekziston prej kohësh rreth pasojave që kanë videolojërat te fëmijët, – vazhdon Altizer. – A ekzistojnë gjëra pozitive si rezultat i konsumimit të mediave, veçanërisht argëtimi interaktiv dhe videolojërat? Unë mendoj se përgjigjja është po, dhe mendoj se kjo është një pyetje që vetëm sapo është bërë. Kur Gutenbergu shpiku makinën e shtypjes, i bëheshin pyetje të çdo tipi, si: Kush duhet dhe kush s’duhet të lexojë? A duhet gratë të lexojnë? A duhet fëmijët të lejohen të lexojnë? Unë garantoj që ka pasur njerëz që kanë thënë ‘Të lexuarit është i dëmshëm për fëmijët. Ata nuk do të mësojnë të jenë pjesëtarë produktivë të shoqërisë, sepse do të rrinë duke lexuar, jo duke punuar!’ Sot ne kemi një situatë të re: videolojërat. Ato janë rrotull prej vetëm 30 vjetësh dhe ne akoma kemi të njëjtin debat”.

Me rritjen e popullaritetit të lojërave dhe e-medias, që nuk tregon fund, pyetja për prindërit është si ta drejtosh fëmijën përmes kësaj bote. Donald Shifrin është një pediatër në Bellevue, Washington, dhe anëtar i Këshillit të Komunikimeve dhe Mediave – AAP. “Vështirësia me të cilën po përballemi sot është se ne jemi në hapat e parë të një paradigme të re. A është aksesi ndaj gjithë kësaj medie elektronike diçka e mirë apo e keqe? Akoma nuk e dimë përgjigjen e kësaj pyetjeje. Thjesht mund të pohojmë se ne jetojmë në këtë epokë dhe se përfshirja në mediat elektronike është gjithnjë në rritje. Një problem është se tërë këto pajisje janë kaq përfshirëse, sa të rinjtë bëhen të varur ndaj tyre dhe e kanë të vështirë të rrinë pa to. Të rinjtë dhe celularët e tyre janë një shembull konkret”. “Unë jam i shqetësuar, – vazhdon ai, – kur shoh një fëmijë 1 vjeç që vjen për t’u vizituar në një takim të lënë me doktorin dhe kur fëmija fillon të qajë, prindi nxjerr I-phone-n që t’i tregojë një video, dhe ai pushon. Jam paksa i shqetësuar se mos këto pajisje mund të kthehen në një mekanizëm të mangët për të qetësuar të rinjtë. Në fakt, studimet më të fundit na tregojnë se një fëmijë mëson shumë herë më mirë nga një person real, i gjallë, sesa nëpërmjet pajisjeve elektronike”. Në fund, Hutton thotë se rebusi qëndron më tepër te prindërit sesa fëmijët. “I gjithë procesi i uljes së bashku me fëmijën për të lexuar një libër merr kohë, kërkon mundim, nuk është joshës për fëmijën – dhe gjithnjë e më tepër kjo lloj eksperience jepet edhe përmes pajisjeve elektronike. Unë shqetësohem shumë për faktin që ne i shtyjmë fëmijët të bëjnë më tepër e më shpejt – për t’u bërë më ‘të zgjuar!’. Fëmijët mund të mësojnë të shtypin butonat, por disa nga benefitet më të rëndësishme që dikush përfiton nga leximi – gjuha, empatia, emocionet – ndoshta janë duke u neglizhuar”.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top