Editorial

September 26, 2016 | 11:10

Fshehja e depresionit

Sa njerëz keni njohur në jetën tuaj ose keni dëgjuar nga të afërmit apo media të kenë patur probleme depresioni?? Sa herë ju ka ndodhur të jeni habitur se ai burri i mirë e i qetë, kishte vrarë veten në kushte depresive?? Sa shumë jeni shokuar që komshija juaj e ëmbël dhe e qeshur, prej kohësh kishte patur probleme me depresionin dhe askush nuk e kishte kuptuar deri ditën e e letrës së lamtumirës??

Nga Jeta Toçila Shkurti Psikologe ligjore

Nga Jeta Toçila Shkurti
Psikologe ligjore

Sigurisht që rastet nuk janë të shumta, pasi shumë njerëz e kalojnë jetën në përpjekje për të fshehur depresionin e tyre. Ata vendosin maskën e njeriut të lumtur. Ata nuk duan të pranojnë se ndjenjat e tyre janë të rënda. Ata besojnë se duke vazhduar jetën normalisht, depresioni do të largohet vetë. Në disa raste, duhet pranuar që ka funksionuar. Por për shumicën e njerëzve janë shtuar ndjenjat e vetmisë dhe trishtimit. Disa prej tyre i fshehin për të mos shqetësuar njerëzit që i rrethojnë me hallet e veta. Ata mund të fshehin faktin se nuk flenë mirë, nuk hanë ose nuk pinë normalisht. Kur një person ka ndryshime në mënyrën e të ngrënit ose gjumit, është një shenjë serioze që dicka nuk shkon. Gjumi është baza e shëndetit të mirë mendor. Kur dikush mezor fle (ose fle gjatë) cdo ditë, kjo mund të jetë shenja e depresionit të fshehur.
Ka të tjerë që i drejtohen për ndihmë ushqimit ose alkoolit. Mbingrënia mund të ndihmojë dikë me depresion të ndihet më plot fizikisht, gjë që e bën më pas të ndihet më bosh emocionalisht. Të pirit mund të përdoret për të mbuluar ndjenjën e trishtimit dhe vetmisë që shpesh shoqëron depresionin. Por ka raste që një person mund të humbë interesin fare për ushqimet dhe pijet, sepse këto nuk i sjellin më kënaqësi.
A ju kujtohet ndonjë person që njihni, i cili ju ka lënë përshtypjen sikur mezor skalit një buzëqeshje dhe që duket i qeshur kot në raste pa lidhje?

Ka të ngjarë që po. Ata veshin maskën e lumturisë, e cila sa më gjatë të qëndrojë në fytyrë aq më shumë hollohet. Kjo është arsyeja se pse njerëzit me depresion të fshehur përpiqen të mos kalojnë shumë kohë me të tjerët. Ata duken sikur janë gjithmonë me nxitim dhe kanë gati justifikimin për të mos drekuar ose kaluar kohë me ju. Ju mos mendoni se ka dicka që nuk shkon tek ju. Jooo! Miku ose mikesha juaj ka një problem. E di që është vështirë të shohësh pas maskës së lumturisë, depresionin e fshehur. Në ndonjë moment mund të kapet dicka, gjatë një bisede të përgjumur, por kjo nuk të jep sigurinë e plotë. Ose kur gjatë bisedës normale ata fillojnë të filozofojnë mbi ekzistencën njerëzore, vdekjen ose kuptimin e jetës. Ata do donin të flisnin për ndonjë vend opsional për një jetesë më të mirë dhe duken sikur janë në kërkim të udhëtimit të jetës.
Ata do luftonin egër për të mbajtur të fshehtë depresionin e tyre. Ndonjëherë mund të dorëzohen dhe dikujt t’i tregojnë. Ai mund të jeni edhe ju, miku ose mikja e tij nëse keni treguar aftësitë e një dëgjuesi të mirë e të hapur. Por mund të jetë mjek apo psikologu, tek i cili ndoshta mund të shkonin në seancën e parë. Kjo do të ishte akoma shumë mirë. Megjithatë të nesërmen ata do të kuptonin se kanë folur shumë për veten, e se kanë shkuar tepër larg. Duke kërkuar ndihmë ata i kanë pranuar vetes se vuajnë nga depresioni. Kjo është beteja e tyre, ata kurrsesi nuk duan të tregohen të dobët dhe dikush tjetër ti zbulojë.
Duhet të mbani parasysh se njerëzit me depresion të fshehur kanë një intensitet të lartë në emocionet e tyre. Për shembull mund të shpërthejnë në lot në një skenë filmi, gjë që nuk ka qenë tipike më parë për ata. Ose mund të zemërohen papritmas me ndonjë shofer në trafik që i preu rrugën, ose dikush që nuk e ka për zakon të thotë fjalë të ëmbla dashurie, papritmas thotë “të dua”. Duket sikur mbajtja e ndjenjave depresive të mbyllura si në kuti, bën që të dalin jashtë më lehtë ndjenjat e tjera. Këta persona arrijnë të shohin gjërat në mënyrë më pak optimiste se zakonisht. Psikologët i referohen me termin realizmi depresiv, që do të thotë se kur një person vuan nga depresioni, ai mund të ketë një pamje më realiste për botën dhe ndikimin e tij mbi të. Njerëzit që nuk vuajnë nga depresioni priren të jenë më optimist dhe të kenë pritshmëri të pabazuara në rrethanat e kushtet e tyre aktuale. Është vështirë të mbulohet realizmi depresiv, për shkak se ndryshimi në qëndrime mund të jetë i vogël fare dhe nuk bie në sy si depresiv.

Çfarë të bëjmë?
Na ndodh që të flasim me njëri-tjetrin duke mos u parë në sy, aq sa nuk arrijmë të shohim modelin e ri të flokëve të partneres apo nëse partneri është i rruar ose jo. Shpesh na ndodh të komunikojmë më tepër përmes telefonit, dhe në këtë mënyrë nuk arrijmë të shohim shprehjet faciale që shoqërojnë një bisedë. Na humbet rasti të dallojmë maskën e lumturisë apo të shohim që personi që duam është ende në shtrat ose në tavolinë duke ngrënë ngadalë mëngjesin e vonë. Na humbet rasti të bisedojmë në mbrëmjë, duke shpenzuar kohë me gjërat e vogla të shtëpisë dhe jo ato madhoret të shpirtit. Na vjen për të qeshur kur partneri befas qan me një skenë filmi, dhe harrojmë të pyesim veten pse nuk qava edhe unë me atë skenë? Kritikojmë për dietën e vazhdueshme ndërkohë që është vetëm një mungesë interesi për ushqimin. E quajmë tip fjalëpakë dhe nuk arrijmë të kujtojmë oratorinë e dikurshme.

Për të gjitha këto më sipër do të sugjeroja të shfaqim më tepër vëmendje për njerëzit që kemi afër, të cilët i duam dhe na intereson shëndeti i tyre. Për shkak të mungesës së vëmëndjes, dukuri e cila vihet re sot në cdo moshë, ne mund të humbim njerëz të dashur e të rëndësishëm të jetës tonë. Mos më keqkuptoni, nuk po them se shërimi vjen nga vëmëndja. Por vëmendja është gjysma e shërimit! Pjesa tjetër i takon profesionistëve.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top