Në fokus

December 9, 2020 | 9:10

Festat, çasti i duhur për të dashur veten!

Kur flasim për festat e sidomos për krishtlindjet, në mendje na vijnë fytyra të lumtura fëmijësh, atmosfera e ngrohtë e shtëpisë, gatimet e mira, ditët e pushimeve, shtëpia plot më njerëz të dashur, të cilët mund të mos i kemi parë për një kohë të gjatë ose mund të jemi ne që udhëtojmë edhe shkojmë tek ata. Kjo është kartolina më e bukur në të cilën na pëlqen t’i vendosim krishtlindjet, por për fat të keq jo për të gjithë është i njëjti përjetim.

Ervisa LULA, Psikologe Organizative

Ervisa LULA, Psikologe Organizative

I trishtuar mes njerëzve të lumtur

Disa prej njerëzve e kalojnë këtë periudhë me një stres të shtuar, dhe përjetojnë atë që quhet “Christmas Blues”. Ka shumë faktorë që ndikojnë dhe e shkaktojnë këtë gjendje, por e vështirë paksa për t’u menaxhuar prej tyre, pasi të tjerët presin që të jesh domosdoshmërisht i lumtur, por në fakt ti nuk ndihesh ashtu. E për të dhënë një panoramë të shkurtër, po përpiqem të sjell disa nga arsyet që i mbushin me emocione negative këta persona gjatë kësaj periudhe të vitit.

Në shoqërinë e varfër në të cilën jetojmë, është mëse e kuptueshme që një pjesë të mos ketë mundësi financiare për të mbushur tavolinën me ushqim të bollshëm siç e kërkon tradita, disa nuk arrijnë dot të blejnë një dhuratë për fëmijët e tyre, dikush tjetër nuk ka afër fëmijët për shkak të emigracionit apo divorcit e si pasojë i duhet ta festojë vetëm, dikush tjetër ndihet i lodhur dhe nuk arrin dot të menaxhojë të gjitha angazhimet e atyre ditëve festive, si blerja e ushqimeve, dhuratave, gatimi, etj,. Dikush tjetër nuk arrin dot të bëjë një listë të re prioritetesh për vitin tjetër që e pret, dhe teksa bën bilancin e vitit të shkuar ndihet i dështuar dhe i pa motivuar, dikush tjetër ndihet tejet i lodhur nga puna dhe ngarkesa e këto ditë ndjen se ka nevojë më shumë të qetësohet e të çlodhet, duke mos bërë mundësisht asgjë…

Merru me veten, fokusohu tek e tashmja

Kjo periudhë na jep mundësinë të mendojmë më shumë e të pushtohemi nga mendimet negative, të bëhemi kritikë me veten. Si fillim mund të krahasojmë veten më të tjerët që na rrethojnë. Ata mund të kenë një shtëpi më të bukur se ne, mundësi më të mira për të festuar, mund të kenë raporte më të mira në familje, mund të kenë një familje më të lumtur, e duke menduar kështu fokusohemi tek ato që na mungojnë. Duke e krahasuar jetën tonë me dritat dhe ngjyrat që hasim kudo nëpër rrugë gjatë festave, jeta jonë mund të na duket bosh. Për të gjithë ata që nuk arrijnë dot ta shijojnë këtë periudhë, koncepti i krishtlindjeve të lumtura duke i largët në kohë, ndërkohë që tani statistikat tregojnë se lufta me depresionin po bëhet një betejë shumë e fortë për një pjesë të madhe njerëzish.

Megjithatë, sigurisht që jemi ne ata që duhet të ndihmojmë dhe duam veten. Nëse ndihesh i trishtuar, por i rrethuar nga njerëz të lumtur, tregohu i sinqertë me veten dhe pranoje atë që po të ndodhë. Merru me veten dhe fillo të kujdesesh për të, të ushqehesh shëndetshëm, të bësh sport dhe aktivitete të cilat të bëjnë të ndihesh mirë, shiko një film që të pëlqen shumë, bëj një ecje të gjatë në park, merru me mendimet e tua negative dhe përpiqu t’i ndryshosh ato duke e hedhur vështrimin tek ato që ke dhe jo ato që të mungojnë, shtyje veten të jesh aktiv dhe të merresh me diçka që të jep kënaqësi, mos u izolo, këto ditë mund t’i shfrytëzosh edhe për t’u angazhuar me nisma në ndihmë të atyre që nuk kanë e që janë shumë të varfër, në kontakt me ta do arrish të kuptosh se sa shumë ke në të vërtetë.

“Pastroni” mendjen

Harroje lumturinë e përjetuar në të shkuarën dhe mos mendo as të ardhmen. Fokusohu tek e tashmja, tek shtëpia jote, njerëzit që të rrethojnë e që të duan, ushqimi i shijshëm, atmosfera që ti do, shiko, dëgjo, nuhat atë që ti dëshiron. Funksionon njësoj si në terapi ku përballë ke psikologen, bëhu i vetëdijshëm për mendimet dhe ndjenjat e tua, vetëm kështu do arrish të ndryshosh gjendjen tënde e të kesh mirëqenien psikologjike aq shumë të nevojshme.

Gjatë atyre ditëve festive mos u merrni vetëm me pemën, mos zbukuroni vetëm atë e pastroni shtëpinë, por vendosni të pastroni mbi të gjitha mendjen tuaj, të vlerësoni më shumë veten e të vendosni edhe kufijtë tuaj. Shikoje këtë periudhë festash si çastin  e duhur për të dashur pak më shumë veten.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 150

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top