FB

January 14, 2022 | 8:25

Fillimet e reja… koha është një linjë e vazhdueshme që nuk e kontrollojmë dot

Njerëzimi është munduar gjithmonë të masë kohën, të organizojë sekondat, orët, vitet. Çdo ditë e re, çdo javë e re, çdo vit i ri, na duket si një cikël i cili mbyllet e prej së cilit mund të ketë një fillim të ri. Duket sikur, megjithëse e dimë mirë se koha është një linjë e vazhdueshme që nuk e kontrollojmë dot, duke e organizuar, sikur e mbajmë nën kontroll.

 

Nga Edlira ÇEPANI

Nga Edlira ÇEPANI

Shumë shpesh dëgjojmë të thuhet, se mund ta lësh jetën që ke pas krahëve dhe të nisësh një jetë të re, të zgjedhësh të fillosh nga e para, të kërkosh më shumë, por a është kaq e lehtë? Ne i jetojmë ditët të ngarkuara me bagazhet e së shkuarës, së bashku me mendimet për të ardhmen. Endemi në rrjeta që i kemi tjerrur pa kuptuar dhe jeta jonë, e jetuar ndryshe, na duket si një labirint pa rrugëdalje. Në shpejtësinë me të cilën ndodhin gjërat, në vrullin me të cilin ecën bota, ne vrapojmë për të kapur ritmin, ndonjëherë pa e kuptuar as se për ku. Nuk arrijmë të ndalojmë e të shohim se ç’bëhet rreth nesh, të shohim ku jemi, të reflektojmë ku duam të shkojmë.

Shohim paralelisht me ne njerëz që nxitojnë, të mbijetojnë, të kapin ritmin, të arrijnë qëllimet dhe shpesh na merr turma, në rrugëtimin që vendos shumica. Ndoshta s’e dimë as ku po shkojmë, por thjesht na merr rryma dhe në një moment e shohim veten amorfë e nën hijen e qëllimeve që na ka vendosur bota.

Nxitojmë, nuk shijojmë, vrapojmë, konformohemi, krahasohemi me të tjerët, vrapojmë sërish, lodhemi, por nuk ndalojmë… e kështu i tjerrim vetes ato rrjetat e labirintet nga të cilat pastaj duket sikur nuk shpëtojmë dot. Në çdo fillim viti, njerëzit kanë më shumë shpresë për të ardhmen. Në orën 12:00 të ndërrimit të viteve, kemi tendencën të lutemi për një të ardhme më të mirë e t’i bëjmë vetes premtimin se këtë vit do jemi më të mirë, do bëjmë më shumë për veten e për të tjerët, do të arrijmë çdo gjë që i kishim vënë vetes qëllim çdo vit të shkuar e që s’e kishim realizuar dot. Si fillim i ri, viti fillon me energji të reja, me emocion, me premtime. Megjithëse ora 12 vjen edhe ndryshe në shumë shtete, dikur më shpejt e dikur më vonë, duket se për shumë njerëz është ai momenti kyç i ndjesisë së ndryshimit, të fatit, të jetës, moment i duhur për hapin e një fillimi të ri. Në fakt nuk është.

Nuk ka rëndësi nëse është Dhjetor, Janar, Shkurt apo çdo lloj muaji tjetër. Nuk ka rëndësi nëse është ora 12 apo çdo orë tjetër, çdo mëngjes, çdo darkë, çdo moment është koha e duhur për një fillim të ri. Nuk është i thjeshtë, por nuk është as i pamundur. Shpesh nuk ka nevojë për ndryshime drastike që ta përmirësojnë jetën brenda një dite, nuk besoj as që janë të mundura. Ato që bëjnë realisht ndryshimin janë vendimet e vogla që marrim çdo ditë për të bërë një hap jashtë rrjedhës, jashtë nxitimit, konformizmit e vorbullës që na përcakton bota.

Mundësia e fillimeve të reja, vjen me reflektimin se çfarë duam ne realisht nga jeta? Sepse nëse nuk e dimë çfarë duam, si mund ta kërkojmë atë që duam? Në këtë fillim viti, mes premtimesh të panumërta, ndoshta duhet t’i bëjmë vetes edhe një premtim tjetër. Të ndalemi pak më shpesh, me veten, të kuptojmë çfarë duam e çfarë na duhet.

Bota ka dy mënyra për të na trajtuar që në fakt përmblidhen në një. E para ka lidhje me presionin që ne nuk e ndryshojmë dot rrjedhën e jetës sonë, nuk dalim dot nga rrethi ku kemi lindur, nga fati i paracaktuar i shtresës ku kemi lindur e nga gjithë stereotipet që na ka vendosur shoqëria mbi krye.

Tjetra është që kemi një presion të vazhdueshëm për t’u krahasuar me të tjerët e për të ndjekur rrugëtimin e tyre. Fillimet e reja, duhet të nisin me forcën tonë për të hequr nga mendja këto korniza e shumë të tjera dhe për të synuar lirinë e zgjedhjes së një rrugëtimi të ri. Një rrugëtim me gjithë bagazhet e së shkuarës që nuk i largojmë dot, një rrugëtim pa ditur se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, por një rrugëtim me atë që kemi në dorë të ndryshojmë tani, të tashmen, minutën, orën, ditën e sotme, me zgjedhjen për të bërë atë që duam e për t’u bërë ata që duam, që sot. Të tjerat vijnë vetë, hap pas hapi…

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 163

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Drejtor Marketingu - Geart Shehu: 0682097486
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
Boana Shenjtolli: 0694767053
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top