Këshilla & Arsye

November 10, 2017 | 9:31

Flet mjekja kardiologe: Infarkti, shenjat e para me të cilat shfaqet dhe si të mbroheni

1

Për të parandaluar infarktin apo për t’u mbrojtur nga pasojat që ai mund të sjellë në momentin kur ndodh, me rëndësi është të mos neglizhohen shenjat e para. Një dhimbje e fortë në kraharor, bllokimi i frymëmarrjes, mpirja e krahut, të përzierat dhe djersitja mund të jenë tregues të një infarkti, ndaj duhet që i sëmuri të dërgohet menjëherë në spital. Sipas mjekes kardiologe, Daniela Teferici, 6 orët e para janë elementare për të shpëtuar muskulin e zemrës nga një dëmtim i pakthyeshëm që mund të vërë në rrezik jetën.

Përmes një interviste dhënë për gazetën, doktoresha na njeh në mënyrë të detajuar me shenjat që manifeston infarkti në kategori të caktuara, siç janë të moshuarit dhe diabetikët, faktorët e riskut, masat që duhen ndërmarrë, komplikimet dhe metodat e trajtimit.

Daniela Teferici Mjeke kardiologe

Daniela Teferici
Mjeke kardiologe

Doktoreshë, cilat janë shenjat e para apo shqetësimet që manifeston infarkti?

Infarkti përkthehet ndryshe si bllokim i enëve të gjakut. Pra, është bllokimi i arterieve koronare, të cilat ushqejnë zemrën. Infarkt ndodh atëherë kur kemi bllokim total të enës, thënë ndryshe ajo zonë e miokardit apo muskulit të zemrës nuk furnizohet më me gjak. Në rast se koha që kalon është e gjatë, atëherë ndodh nekroza, vdekja e muskulit të zemrës. Në momentin që ndodh kjo, ajo pjesë kthehet në cikatrice, e cila nuk kryen më funksionin e saj fiziologjik. Për t’u ndalur në pyetjen tuaj, infarkti është një patologji, i cili i ka të shprehura shumë simptomat. Ankesa kryesore është dhimbja e gjoksit, e cila është një dhimbje shumë e fortë, që kërkon me patjetër trajtim spitalor. Kurrsesi infarkti nuk mund të trajtohet në shtëpi, pasi dhimbja që manifeston zgjat mbi 20 minuta, nuk qetësohet me tableta, por kërkon mjekim spitalor. Një shenjë tjetër mund të jetë frymëmarrja e theksuar, ajo që ne e quajmë edemë pulmonare akute. Marrja e frymës është kaq e theksuar, sa pacienti mbytet. Në të tilla raste rekomandohet dërgimi i pacientit në qendrën më të afërt spitalore. Po ashtu mund të shfaqë djersitje, të përziera dhe të vjella, të cilat shpeshherë konfundohen me një helmim apo sëmundje të stomakut. Në një përqindje më të vogël rastesh, manifestimi i infarktit të miokardit ka shenja më të zbehta. Zakonisht kjo ndodh te pacientët e moshës së tretë dhe te pacientët diabetikë.

Ju pohuat se te pacientët e moshës së tretë dhe te diabetikët shenjat nuk janë të forta, atëherë si shfaqet?

Këto dy kategori nuk shfaqin dhimbje të forta në kraharor, por vetëm një ndjenjë bezdisëse në gjoks, ndjenjë e lehtë apo diskonfort, të përziera, por jo kriza. Kjo bën që pacienti të mos dërgohet në urgjencën spitalore, por të trajtohet në shtëpi, duke qenë se ankesat  janë jo të mëdha. Konstatohet që ka bërë infarkt vetëm në momentin që bën një EKG (elektrokardiogramë) apo një EKO. Në këto raste kemi të bëjmë me një kontingjent të vogël njerëzish.

Fakti që qëndrojnë në shtëpi, i vë ata në rrezik?

Risku më i madh është në orët e para të infarktit, sepse në orët e para ndodhin shumë komplikacione, sikundër mund të ndodhë edhe një aritmi vdekjeprurëse. Në rastet kur kalojnë disa ditë, risku për një vdekje të papritur fillon të ulet.

Por në momentin që ndodh infarkti?

Sigurisht që në momentin kur ndodh infarkti janë të riskuar, por diçka që suportohet dhe që mund të tejkalohet në kushte shtëpie është diçka më e lehtë për t’u përballuar. Kur është një infarkt masiv i madh ose bën vdekje të menjëhershme, ose bën edemën pulmonare akute që imponon dërgimin me urgjencë të të sëmurit në spital.

Sa predispozitë ka që një i sëmurë diabetik të bëjë infarkt?

Personat diabetikë janë dyfish më të rriskuar për të bërë infarkt miokardi në raport me të tjerët. Diabeti konsiderohet një nga faktorët më madhorë për të pasur sëmundje arteriosklerotike të zemrës. Ndaj duhet kujdes i dyfishtë dhe të mos nënvlerë- sohen ankesat, sepse te diabetikët infarkti mund të shfaqet pa dhënë shumë ankesa.

Image result for heart attack

Ne folëm për shenjat që infarkti jep në momentin që ndodh, por a ka sinjale të tjera që shfaqen më herët dhe që shërbejnë si tregues për riskun që na kanoset?

Patjetër, në përqindjen më të madhe ka shenja paralajmëruese. Është ajo që ne e quajmë angina pectoris e qëndrueshme, pra dhimbja e gjoksit kur personi bën një sforcim, ngjit shkallët apo kur bën punët e përditshme. Përkundrejt saj është angina pectoris e paqëndrueshme që është parainfarkti. Në këto raste pacienti ka dhimbje edhe në qetësi, dhimbje e cila zgjat disa minuta. Infarkti gjithnjë ka shenja pararendëse, ka dhimbjen e gjoksit, vështirësinë në frymëmarrje përpara se të ndodhë ajo që unë do ta quaja stuhia. Një person, nëse është i kujdesshëm, e kupton që ka disa muaj që ka ndryshuar diçka tek ai. Ndërsa më përpara ka qenë i palimituar në aktivitetin e tij të përditshëm, tani ka një ndryshim. Marrja e frymës, dhimbja e gjoksit e pengon. Këto janë shenja tipike, të cilat nuk duhet të neglizhohen.

Çfarë rekomandohet në këto raste?

Menjëherë duhet të drejtoheni te mjeku kardiolog, i cili nisur nga ankesat, bën vlerë- simin nëse janë dhimbje tipike për sëmundjen e arterieve koronare apo jo. Ka persona që frikësohen nga mpirja e krahut, me mendimin se rrezikojnë infarktin. Por diagnozën mund ta përcaktojë vetëm mjeku. Ka shumë faktorë të tjerë që ne na bëjnë të mendojmë për sëmundjen e arterieve koronare, të tilla si duhanpirja, diabeti, yndyrat e larta, mungesa e aktivitetit fizik etj. Konkretisht, nëse paraqitet një mashkull mbi 40 vjeç me këta faktorë, atëherë risku është edhe më i lartë. Pra, seksi mashkull ka më predispozitë të bëjë infarkt.  Nëse i neglizhojmë këto shenja dhe nuk paraqitemi për trajtim. Mund të ndodhë bllokimi i menjëhershëm i arteries koronare, pra infarkti akut i miokardit. Kur krizat janë të forta, nuk të japin mundësi të mendohesh, në këto kushte mund të ndodhë edhe një aritmi vdekjeprurëse, insuficiencë akute kardiake, të cilat po ashtu janë urgjencë mjekë- sore. Por mund të ndodhë edhe vdekja e papritur. Të gjitha këto varen nga madhë- sia e enës së gjakut, e cila është bllokuar sepse kur është degëzim i vogël, nuk rrezikon. Pra, ka të bëjë me hapësirën e muskulit të zemrës që furnizohet më me gjak. Edhe një zonë e vogël mund të bëjë atë aritminë vdekjeprurëse, nëse nuk bëhet goditja elektrike, personi rriskon jetën.

Moshat e reja mund të pësojnë vdekje të papritur nga infarkti?

Po, mund të ndodhë, varet nga madhësia e infarktit. Kur kemi një bllokim të enës së gjakut, e cila ka ardhur gradualisht, siç ndodh te mosha e tretë, organizimi ka mekanizmat e vet përshtatës. Në mënyrë që të furnizojë me gjak këtë muskul që nuk po merr gjak sa duhet, enët sekondare fillojnë të zhvillojnë dhe marrin funksionin e enës kryesore ku ka ndodhur edhe bllokimi. Edhe në rast se ndodh infarkti dhe kjo zonë mbyllet totalisht, atëherë zemra merr furnizim nga enët më të vogla. Te moshat e reja nuk ka pasur kohë që të ndodhë ky adaptim, kjo përshtatje. Mbyllja e menjëhershme e enës kryesore të gjakut çon në fatalitet, pra në vdekje të papritur. Në këto kushte moshat e reja janë më të rriskuara në raport me moshat e vjetra. Përdoruesit e kokainës janë po ashtu shumë të riskuar.

Por nëse nuk ke një historik të tillë, pra nuk je përdorues i lëndëve narkotike, sa mundësi ka të ndodhë infarkti?

Mundësia e infarktit lidhet gjithnjë me faktorët e riskut që ke. Trashëgimia është një ndër faktorët. Po ashtu diabeti, hipertensioni, rritja e yndyrave, konsumimi i duhanit dhe jeta sedentare. Nuk mund të ndodhë infarkti te një që nuk i ka këta faktorë rreziku. Pra, probabiliteti është shumë i ulët. Shkalla e riskut varet nga faktorët që përmenda pak më lart.

Ne folëm për rëndësinë e mosneglizhimit të shenjave të hershme, por në momentin që ndodh infarkti, sa kohë kemi në dispozicion?

Në rast se fillojnë shenjat e infarktit, e vetmja gjë që duhet bërë është të transportohesh në spital, pasi është një urgjencë madhore mjekësore. Në spital fillohet trajtimi medikamentoz dhe njëkohësisht kryen koronarografinë, ku shikohet se ku është vendi, ena që është bllokuar dhe bëhet stentimi apo zgjerimi i enës. Kur është shumë e përhapur, pacienti transferohet në kardiokirurgji për bypass-in e zemrës. Këto janë dy rrugët e trajtimit invaziv. Është shumë e rëndë- sishme që pacientët të paraqiten shpejt në spital, pasi sa më shpejt të paraqitesh në spital, mundësisht brenda 6 orëve të para nga fillimi i dhimbjes, aq më të pakta janë pasojat e infarktit të miokardit. Ti e shpëton atë muskul, përfitimi është maksimal. Nëse kalon një apo dy ditë, përfitimi që mund të kesh është shumë më i vogël.

Sëmundjet e zemrës janë shkaku kryesor i mortalitetit, por komplikime të tjera që mund të sjellë infarkti cilat janë?

Infarkti i miokardit mund të çojë në insuficiencë kardiake. Disa ditë pas infarktit, mund të ndodhë çarja e zemrës, e cila është një komplikacion fatal. Po ashtu mund të ndodhë këputja e fijeve që mbajnë një nga valvulat e zemrës, valvulën mitrale. Në rast se kalohet faza akute, duhet treguar shumë herë më tepër kujdes për komplikacionet. Vetëm trajtimi në kohë bën të mundur parandalimin e tyre.

Çfarë këshillash duhet të kenë parasysh ata që kanë kaluar një herë infarkt?

E para, është mjekimi i të gjithë faktorëve të rrezikut që ka pacienti. Nuk mund të vazhdojë të konsumojë duhan një pacient që ka kaluar infarkt. Diabetikët duhet të trajtojnë shumë mirë diabetin. Duhet praktikuar ecja dhe duhet mjekuar hipertensioni gjithashtu. Trashëgimia dhe mosha janë faktorë të pamodifikueshëm. Pra, do të jetë shumë strikt në menaxhimin e faktorëve të rrezikut, sepse sëmundja e arterieve koronare mund të përsëritet.

Kur ndodh përsëritja e infarktit dhe sa e vështirë është që të menaxhohet?

Në rast se kalon një infarkt, nuk do të thotë se në të ardhmen nuk do të bllokohet një nga enët e tjera. Nëse faktorët e rrezikut nuk modifikohen, mund të ndodhë bllokimi i së njëjtës enë apo i enëve të tjera. Pra, mund të bësh një infarkt të dytë, që mund të jetë edhe fatal, sepse një pjesë e muskulit të zemrës ka dalë jashtë funksionit nga infarkti i parë. Atëherë po të ndodhë një infarkt i dytë, shanset për të ndërruar jetë janë shumë të mëdha. Pacienti duhet që të ndryshojë në mënyrë rrënjë- sore stilin e jetesës për të parandaluar përsëritjen e kësaj sëmundjeje.

Nisur nga përvoja juaj, kur ndodh infarkti? Ka një interval kohor?

Varet sa i kujdesshëm je për trajtimin e faktorëve të rrezikut. Mortaliteti është shtuar vitet e fundit për shkak të stilit të jetës krejtësisht të pashëndetshme. Por sot diagnostikohet shumë herë më mirë, mjekohet shumë herë më mirë.

Metodat e trajtimit që aplikohen në vendin tonë, a janë të duhurat?

Janë ato që aplikohen në të gjithë botën. Është koronarografia, trajtimi me stent ose kalimi në operacion, që është bypass-i. Sot realisht bëhet më shumë, diagnostikohet më shumë dhe trajtohet më shumë. Por mortaliteti ka njohur rritje, sepse është numri më i madh i njerëzve, të cilët sëmuren nga sëmundja e arterieve koronare. /Panorama

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top