Në fokus

November 10, 2017 | 9:16

Të lyhesh me benzinë: një reflektim mbi motivet e vetëvrasjes

Në foto: Murgu budist nga Vietnami, Thích Quang Duc, u vetëdogj për të protestuar kundër amerikanëve (1963)

Në foto: Murgu budist nga Vietnami, Thích Quang Duc, u vetëdogj për të protestuar kundër amerikanëve (1963)

Një burrë u përpoq t’i jepte fund sot jetës publikisht (dhe tragjikisht): u lye me benzinë dhe deshi të digjej para Parlamentit. Mirëpo, dikush që e pa skenën njoftoi policinë dhe ai u shpëtua në kohë. Më vonë, 35-vjeçari tregoi arsyen që e shpuri drejt atij veprimi: pamundësia për të takuar fëmijët pas divorcit me gruan. Kjo nuk ishte përpjekja e tij e parë; para disa ditësh, ai kishte tentuar të hidhej nga një vinç. Ndoshta, kjo e sotmja mund të mos jetë as përpjekja e tij e fundit (pavarësisht thirrjes së dëshpëruar të babait të tij për ndihmë).

Lediona Braho, psikologe klinike

Lediona Braho, psikologe klinike

Një nga shqetësimet kryesore rreth këtij lajmi, përveç vështirësisë për ta ndihmuar të riun, lidhet me përhapjen e lajmeve mbi ngjarje të ngjashme. Përpjekjet për t’i dhënë fund jetës po shtohen dita-ditës dhe shumë njerëz ndihen të tmerruar nga lajme të tilla. Disa, madje, fikin televizorin dhe nuk duan të dëgjojnë. Ka edhe nga ata që nuk e prishin terezinë, pasi ekspozimi i vazhdueshëm dhe i zgjatur ndaj ngjarjeve të këtij lloji ka pikërisht një efekt të kundërt: mund të na bëjë të pandjeshëm ndaj njerëzve që vuajnë apo ndaj viktimave.

Në fakt, nuk po pretendoj të shkruaj për diçka të panjohur. Përpjekjet për të vrarë veten janë aq të lashta sa vetë njerëzimi. Që në antikitet, njerëzit janë përpjekur t’i japin fund jetës së tyre me mënyra të ndryshme dhe për arsye të ndryshme. Mirëpo, kur na avitet vdekja, ne nuk mund të tregohemi të pandjeshëm, pasi në një formë apo në tjetrën kemi për detyrë mbrojtjen e jetës.

Pse flakën? 

Vetëdjegia, edhe pse nuk është një praktikë e panjohur, mbetet e pazakontë. Disa njerëz zgjedhin të djegin trupin për arsye të ndryshme sociale, ekonomike dhe politike. Ndonjëherë arsyet janë fetare dhe shihen si “garanci për të shkuar në Parajsë”. Mirëpo, në më të shumtën e rasteve, arsyeja është protesta. Shumë mund të kenë dëgjuar për historitë e murgjve budistë që u vetëdogjën në mesin e shekullit të kaluar.

Djegia e trupit është një praktikë më e shpeshtë në Lindje se në Perëndim. Sipas studiuesve që e kanë shqyrtuar fenomenin në botë, “spektakli” i djegies së vetes ndodh në një përqind të rasteve të vetëvrasjes në vendet me të ardhura në larta (në Europën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara), por ky numër është më i madh në vendet me të ardhura të ulëta.

Vetëdjegia mund të shihet si një rrugëzgjidhje nga disa njerëz që përpiqen të arratisen nga problemet e mëdha të jetës. Shumica e atyre që tentojnë ta bëjnë këtë gjë kanë histori të mëparshme përpjekjesh për vetëvrasje dhe mund të jenë duke vuajtur nga çrregullime psikologjike si: Çregullime të Humorit (Depresion Madhor dhe Çrregullim Bipolar), Skizofreni, Çrregullime Personaliteti, Çrregullime Ankthi, Abuzim me Substanca ose Hipokondriazë.

Sa?

Akti i vetëvrasjes merr miliona jetë në të gjitha vendet e botës. Dhjetë deri në njëzet milionë njerëz vrasin veten çdo vit. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë një parashikim. Në vitin 2020, përpjekjet për të vrarë veten mund të dhjetëfishohen ose të njëzetfishohen në të gjithë botën. Sipas OBSH-së, mund të ndodhë një vetëvrasje çdo 20 sekonda.

Burrat apo gratë?

Sipas studimeve, personat më në risk për të bërë vetëvrasje janë burrat mbi 45 vjeç. Këtu ka një paradoks gjinor: vajzat dhe gratë bëjnë më shumë përpjekje se djemtë dhe burrat, por janë këta të fundit ata që e finalizojnë më shpesh aktin. Në shumë vende, veçanërisht në Perëndim, vetëvrasja konsiderohet si një “akt mashkullor” dhe një “sjellje jonatyrale” për gratë. Në disa vende të Lindjes, vetëvrasja shihet si një sjellje femërore, e nxitur nga paaftësia e grave për të kontrolluar emocionet e forta. Megjithatë ka edhe vende ku gratë kryejnë më shumë vetëvrasje se burrat, si për shembull, në Kinë.

Pse?

Nuk ka një arsye të vetme. Parashikuesi më i fortë janë problemet e shëndetit mendor, të pranishme në rreth 90 përqind të atyre që bëjnë vetëvrasje. Më të shpeshtat janë: Depresioni Madhor, Abuzimi me Substanca, Çrregullimet e Personalitetit dhe Skizofrenia. Faktorë të tjerë mund të jenë: dhimbja shpirtërore e padurueshme (ndjenjat e boshllëkut, dëshpërimit dhe mungesa e shpresës), veçimi nga njerëzit, humbja e marrëdhënieve të rëndësishme, probleme në punë, tipare të caktuara të personalitetit (agresiviteti dhe impulsiviteti), një histori familjare vetëvrasjeje ose histori abuzimi në familje, vështirësia për të kërkuar ndihmë, mungesa e shërbimeve, përpjekjet e mëparshme (dikush që ka tentuar më parë vetëvrasjen është më në risk për ta përsëritur) dhe ekspozimi ndaj sjelljeve vetëvrasëse. Faktorë të tjerë me natyrë sociale janë: varfëria, papunësia dhe mungesa e burimeve.

Si ta dallojmë?

Pikasja e dikujt që mendon të vrasë veten mund të jetë e vështirë, por jo e pamundur. Secili duhet të shohë për këta “flamuj të kuq”: personi shprehet se është i pashpresë, se mendon të vrasë veten apo se nuk ka arsye të jetojë; ai merr risqe të mëdha që mund ta çojnë drejt vdekjes (e nget makinën shumë shpejt), përfshihet në sjellje të rrezikshme (konsumon alkool ose drogëra), fle shumë pak ose fle shumë, ha shumë pak ose ha shumë, ndërpret marrëdhëniet me njerëzit, shpreh zemërim ose dëshirë për t’u hakmarrë, si dhe jeton në një ankth apo tension të vazhdueshëm.

A ka shpëtim?

Nëse dyshoni se një person i afërt me ju ka mendime ose bën përpjekje për të lënduar veten, përpiquni ta dëgjoni dhe të kuptoni atë që ai po përjeton, pa harruar të drejtoheni te një specialist i shëndetit mendor, i cili duhet të vlerësojë gjendjen e tij. Trajtimi i shqetësimit do të varet nga arsyeja që qëndron pas mendimeve për vetëvrasje. Edhe pse vetëvrasja është një shqetësim serioz, ajo mund të parandalohet.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top