Psikofakt

November 19, 2015 | 7:42

Forcëdobësia e çiftit

MondiNga Edmond Tupja

Historia e çiftit është ndoshta e vjetër sa vetë njerëzimi ose, më saktë, sa vetë njerëzimi kur ky nisi të qytetërohej. Kush thotë çift, thotë marrëdhënie të shumëfishta e të ndërlikuara, për të cilat shumë është shkruar, shkruhet e do të shkruhet në varësi të zhvillimeve të shoqërisë nga të gjitha pikëpamjet. Sigurisht, është theksuar se marrëdhëniet në çift kanë disa pika të dobëta, por edhe disa të forta. Prandaj termi, gjithsesi i sajuar, “forcëdobësi”, kur flitet për çiftin, më duket se hedh një dritë jo vetëm interesante, por edhe domethënëse mbi vetë thelbin e çiftit.

Në këtë kuadër, mund të flitet për dialektikën e marrëdhënieve midis protagonistëve të çiftit. Nga njëra anë, kemi marrëdhëniet në mos konfliktuale, të paktën problematike për arsye nga më të ndryshmet, kurse, nga ana tjetër, kemi marrëdhëniet e shëndetshme për arsye po aq të ndryshme. Kohezioni, pra, qëndrueshmëria e çiftit, është funksion i luhatjes së tij midis këtyre dy tipa marrëdhëniesh. Kjo luhatje, nga ana e saj, është funksion faktorësh objektivë e subjektivë, socialë e psikologjjikë, mendësish e rrethanash të jashtme, meqenëse, siç thuhet rëndom, jeta në përgjithësi dhe ajo e çiftit në veçanti nuk janë kurdoherë fushë me lule.

Për ta zhvilluar edhe më tej idenë e forcëdobësisë së çiftit, me interes më duket teza se një çift që nuk përballet me asnjë vështirësi në marrëdhëniet e tij, mund të rrezikohet më shumë sesa një çift që, herë pas here, përplaset me të tilla. Kjo përplasje përbën një shkollë të vërtetë ku çifti mëson se si t’i përballojë e t’i kapërcejë vështirësitë qofshin ato afatshkurtra apo afatgjata. Pra, paradoksalisht, dobësia e çiftit ka në embrion edhe forcën e tij. Për rrjedhojë, mund të pohohet se pa dobësi nuk ka forcë te çiftet, sidomos, ato të reja që ende nuk kanë kaluar përmes sprovës së kohës. Disa psikologë, kur përmendin të ashtuquajturën “krizë” të çiftit, shprehen se, ç’është e vërteta, çifti, që të ekzistojë, ka nevojë, herë pas here, për gjendje krize, d.m.th. për momente dobësie të acaruar në marrëdhëniet e tij të brendshme, në mënyrë që të reagojë shëndetshëm e të rigjejë forcën në dukje të humbur.

Para disa kohëh, duke trajtuar temën e çiftit te po kjo revistë, e kam krahasuar çiftin me një vegël muzikore, me fizarmonikën, duke u shprehur si vijon: “Një fizarmonikë vazhdimisht e mbyllur nuk nxjerr asnjë tingull, as një fizarmonikë përherë e hapur cep më cep. Kurse një fizarmonikë në lëvizje, po, nxjerr tinguj, sigurisht edhe të dhimbshëm, por edhe të gëzuar”. Çka do të thotë se protagonistët e çiftit (dy skajet e fizarmonikës), duhet edhe të largohen (momenti i dobësisë së marrëdhënieve midis atyre), edhe të afrohen (momenti i forcës së marrëdhënieve midis atyre); rrjedhimisht, po të pushojë ky largimafrim, çifti në mos shpërbëhet, gjallon për disa kohë, por edhe sikur ky gjallim të zgjaste deri në vdekjen e njërit prej protagonistëve, çifti do të ishte thjesht hije e vetvetes.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top