Dëshmi

March 17, 2024 | 0:36

Fotografi shqiptar Vlasov Sulaj rrëmben çmimin e parë të artë, në 20-vjetorin e festivalit ndërkombëtar FIIPA Awards 2024 në Itali, me kategorinë No More

Nga Orjona Tresa

 

Mjafton një moment për të krijuar një histori, për të ngritur një kauzë, për të celebruar një jetë, apo një mrekulli. Ngjizja është një proces ndjesor, ndërtuar mbi shqisa dhe emocione. Ato nuk flasin, por fotografojnë çastin. Dhe vepra është bërë. Për të mos mbetur e tillë, një poezi që emocionet krijojnë, për një artist fotografie celuloidi apo të digjitalizuar, shndërrohet në një trofe të radhës. I tillë ishte dhe çmimi më i fundit për fotografin e njohur, bashkëpunëtorin e Revistës Psikologjia, Vlasov Sulaj, i cili rrëmbeu vendin e parë si fotografi më i mirë në edicionin e 20-të të Festivalit Ndërkombëtar të Fotografisë, Videos dhe Komunikimit Vizual në Itali.

432412580_1018996249672736_7685113826547677693_n

Ceremonia e çmimeve u mbajt në Orvieto, me praninë e personaliteteve vendas dhe të huaj, me një organizim ku ndërthureshin e shkuara me të tashmen, një fotografi e arrirë e shpërfaqur në kostumet e mikpritësve të mbrëmjes gala. Vlasov Sulaj mori çmimin si fotografi më i mirë ndërkombëtar në kategorinë No More.

Fotografia flet më shumë se fjalët, ajo përjetëson kohën. Në heshtje të plotë, rrëfen mistere, është e përjetshme, e shenjtë. Ky sukses nuk është vetëm një vërtetim i aftësisë së Vlasovit, por edhe një dëshmi e përkushtimit të tij me shpirt ndaj fotografisë në të gjitha dimensionet e saj. Dhe, nuk është i vetmi trofe i fituar me zotësi. Vitin e kaluar ai tërhoqi një tjetër çmim të parë si fotografi më i mirë në gjininë e lajmeve në edicionin e 13-të të Festivalit Ndërkombëtar të “Fokus Award”.

 

Fotografia, një shkrepje që kap shpirtin

Një telefonatë e beftë, si një rrufe, grishi emocionet e forta prej artisti. Ishte një “Po, ti ke fituar”, apo çfarë? Ftesa pas aparatit inteligjent i barti shumë pikëpyetje, aq sa nuk mund ta besonte nëse diçka po rrokullisej për t’i dhënë atë që priste në të vërtetë. Në një kohë kur besimi, jo vetëm në art, është zbehur, nuk mund ta imagjinonte vazhdimësinë e një realiteti që në fakt do të përmbushej brenda 24 orësh. Dhe ajo që e dëshiroi aq shumë, nga një vend që artin e ka kryefjalë, Festivali i Fotografisë FIIPA Awards 2024, i dha vendin e parë në kategorinë No More jashtë kufijve.

Për Vlasov Sulaj, fotografia është më shumë se një profesion, është një shkrepje që kap shpirtin për të përcjellë mesazhe të ndjera me botën. Në çdo shkrepje të tij, ai bën të qartë se për të, fotografia është më shumë se thjesht imazhe – është një lloj magjie që e bën botën të ndjehet më të bukur.

Çdo foto e tij është përsiatje e një momenti, një histori që rrëfen në heshtje. Mbi 16 vite në profesion, ai lëvruar çdo zhanër në lëmin e fotografisë, fillimisht në atë klasik, lirik, thelluar mandej në atë të fotoreporterit. Në galerinë e pafundme që zotëron, dokumentohen shumë ngjarje. Mund të konsiderohet si fotografi i plumbave, në ngjarjen famëkeqe të 21-janarit, fotografi i studentëve në protestat për rritjen e kërkesave në rimëkëmbjen e arsimit, fotografi i protestave civile për rritjen e çmimeve, por gjithashtu edhe fotografi i mjaft evendeve të rëndësishme që përkojnë me data historike, festivale apo teatro. Ai konsiderohet gjithashtu si fotograf karakteresh, ku në arkivën e tij numërohen me qindra personazhe publikë dhe jo publikë, nga jeta mondane dhe deri ajo e sheshtë, “personazhe” që kanë prekur zemrën e tij prej artisti, duke nxjerrë figura të papërsëritshme, të cilat janë vlerësuar me çmime prestigjioze kombëtare dhe ndërkombëtare. Është fitues dhe pjesëmarrës gjithashtu i një prej katalogëve më në zë të fotografisë Imago Mundi.

 

Më shumë për FIIPA Awards 2024

FIIPA Awards 2024 është Festivali i 20-të Ndërkombëtar i Fotografisë, Videos dhe Komunikimit Vizual që mbahet në Itali. Këtë herë vendi mikpritës ishte Orvieto, i cili u bë kryeqyteti i fotografisë italiane dhe ndërkombëtare me: leksione, ngjarje, seminare, seminare, ekspozita.

Edicioni i 2024, i quajtur “OF24, Punctum!”, lindi nga nevoja për t’u përqendruar, siç citonte Roland Barthes, në pikën e fotografisë: “Ajo që më angazhon në një fotografi, plaga që më ngjall. Është momenti në të cilin imazhi më shikon dhe vepron në kujtesën time, ai vepron mbi mua. Sot më shumë se kurrë, në epokën e teknologjive të reja ku fotografia po përjeton përmbysje mbresëlënëse dhe frenetike, bëhet shumë e vështirë të përkufizosh të vërtetën nga e pavërteta, realja nga surrealja, fotografia nga sintografia.

FIOF është e vetmja shoqatë në Itali që ka marrë për 3 vite radhazi nga Kreu i Shtetit, një medalje si çmim përfaqësimi për ngjarjet e ndryshme të fotografisë italiane dhe ndërkombëtare.

432406881_1018995713006123_6046865026161246254_n

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top