Në fokus

October 27, 2017 | 9:36

Fuqia e përqafimit

(Nga shënimet e një terapisteje EMDR)

1

Lediona Braho, psikologe klinike

Lediona Braho, psikologe klinike

Para pak ditësh, mora pjesë në një trajnim për psikologjinë e emergjencave. Trajnimi ishte pjesë e formimit në vazhdim si terapiste EMDR, e organizuar nga EMDR Shqipëria me mbështetjen e EMDR Italia dhe organizatës “ARES”. Përfaqësuesja e organizatës, trajnerja jonë, quhej Dorotea Ricci (shkurt: Tea). Që në fillim, ajo na tha arsyet pse ardhja në Shqipëri ishte e rëndësishme për të. I ishte dashur të priste disa vjet, derisa “ne të ishim gati”. Siç ndodh me shumë njerëz që maten të vijnë në vendin tonë derisa vendi ynë të jetë gati për t’i pritur.  Por kur vijnë, vijnë me aq gjallëri sa të mbushet mendja se “pritja ia ka vlejtur”. Besoj se të gjithë, të vegjël e të mëdhenj, jemi mësuar me këtë ndjesi kolektive ekzaltimi pas një pritjeje të gjatë.

Tea kishte arsye logjike dhe emotive për të ardhur në Shqipëri. Logjika e ardhjes ishte trajnimi për terapistët EMDR shqiptarë për të ndihmuar njerëzit në kriza dhe emergjenca, duke ofruar ekspertizën e saj të gjatë në këtë fushë. Tema ishte interesante dhe kishte ngjallur kuriozitet qëkur ishte shpallur njoftimi për trajnimin. Ndaj, shumë prej anëtarëve të EMDR Shqipëria, por edhe psikologë të tjerë, konfirmuan praninë e tyre në trajnimin “Psikologjia e Emergjencave Sociale-Mjekësore”, më datat 21 dhe 22 tetor.

Ndërsa arsyeja emotive e Teas kishte të bënte me lidhjen e organizatës “ARES” me Shqipërinë. Pak vetë e dinë se “ARES” ka lindur në Shqipëri, në vitin 1999 si ide e Marco Esposito gjatë misionit “Ylberi” (Rainbow Mission). Në atë kohë, Marco mendonte se shërbimi vullnetar në fushën e kujdesit shëndetësor duhet të bëhej më i organizuar. Si një shpëtimtar që kishte ardhur në Shqipëri pas luftës së Kosovës, Marco themeloi “ARES” dhe trajnoi disa profesionistë. Marco nuk jeton më, shumë gjëra kanë ndryshuar prej atij viti të largët dhe siç tregon bashkëshortja e tij, Olivia, “ARES tashmë ka ecur shumë përpara”. Ardhja e Teas ishte si një përmbushje premtimi.

Ditën e parë të trajnimit, ajo na tregoi një kolazh fotografish: momente nga ndërhyrjet që skuadra e saj kishte kryer në raste emergjencash. Një pjesë ishin të dhimbshme, pasi tregonin njerëz të tmerruar dhe qytete të shkatërruara nga Europa deri në Azinë e largët. Shumë fotografi të tjera tregonin momente të lumtura dhe gazmore: njerëzit, të vegjël dhe të mëdhenj, brenda “kufirit” të spitalit fushor, që flisnin për dhimbjen e tyre, që mjekoheshin, ndihmoheshin, dëgjoheshin, bëheshin më të fortë për të përballuar dhimbjen dhe në fund, përcillnin me mall një skuadër shpëtimtare. Pas “paradës” së gjatë të fotografive, Tea filloi të fliste për viktimat e emergjencave, përjetimet e tyre dhe gjëra të tjera me rëndësi teorike.

aerial

Si në të gjitha trajnimet, ne prisnim të mësonim teknikën e ndërhyrjes në rastet emergjente. Edhe pse në Shqipëri nuk kemi ende një skuadër psikologësh që t’i bashkohet Emergjencave Civile, nevoja dhe dëshira janë shumë të mëdha. Mirëpo, trajnerja po na linte në pritje, a thua se nuk kishte mjaftuar pritja e gjatë për një trajnim të tillë.

Në fillim, disa prej nesh u mërzitën. Dikush u shpreh i zhgënjyer gjatë orës së pushimit. Mërzi? Zhgënjim? Mendova: është ende herët!

Ditën e dytë, trajnerja tregoi disa aspekte të tjera teorike. Më pas, pamë video nga misioni shpëtimtar në Filipine. Kujtoj se, në vitin 2013, Filipinet u tronditën nga një tajfun që mori mijëra jetë njerëzish. Skuadra e shpëtimtarëve të “ARES” qëndroi tre javë në ishull. Në fillim, pamë tmerrin e banorëve, gjithçka e shkatërruar. Më pas, pamë momentet e stabilizimit dhe gjetjes së shpresës. Në fund, momentet e lamtumirës me banorët.

Historia e radhës ishte po aq emocionuese. Tea na tregoi për një djalë 8-vjeçar dhe betejën e tij për jetën me hemofilinë në një spital të madh në Itali. Ajo e kishte takuar gjatë kohës që ai po kurohej në spital, derisa ai e kishte fituar betejën. Na tregoi vizatimet interesante të tij dhe progresin që ai kishte bërë, javë pas jave, edhe pse i mbushur me tuba dhe i shtrirë në një shtrat midis “qenies dhe mosqenies”. Historia dhe puna me djaloshin që arriti të shërohej dhe të shihte “yllin e mëngjesit” në qiellin e kaltër, si Princi i Vogël i Antoine de Saint-Exupery, na shkaktoi emocione më të forta.

Picture1.jpg

Ndieja se diçka po lëvizte rreth nesh. Një energji, një vibrim. Ajri në sallë nuk ishte më i njëjtë. Mbi supet tona filloi të rëndonte pesha e emocioneve të përziera. Disa dilnin për të marrë ajër dhe riktheheshin më “të çliruar”. Asgjë nuk ishte si një ditë më parë. Tashmë, kishim shkuar shumë larg. Një kolege nuk i përmbajti dot emocionet dhe trajnerja iu afrua për ta qetësuar. Të gjithë prisnim një teknikë, një ndërhyrje specifike. Në fund të fundit, për atë kishim ardhur dhe nuk po e merrnim. Ende.

Tea e ftoi kolegen tonë të ngrihej, e shtrëngoi fort dhe i kërkoi ta lëshonte trupin. Jeni hedhur ndonjëherë me parashutë? Si jeni ndjerë në momentin e shkëputjes nga toka? Sekondi i shkëputjes nga toka ishte i njëjtë. Tre përpjekje. Trajnerja po priste me durim, teksa shtrëngonte fort kolegen tonë (dhe bashkë me të, të gjithë ne, një nga një). Në fund, ajo u lëshua dhe trajnerja e mbajti edhe më fort duke e përqafuar gjatë dhe duke e parë në sy. Çfarë shtrëngimi! Çfarë shikimi! Ne ishim të mbërthyer. Na kishte mbajtur të gjithëve. Na kishte parë të gjithëve. Na kishte përqafuar të gjithëve.

Në fund të trajnimit, grupi punoi një ushtrim interesant. Zgjodhëm bashkarisht një ngjarje tronditëse që e kishim dëshmuar të gjithë: aksidenti i Himarës (maj 2014), ku kishin mbetur të vdekur 13 studentë. Secili e tregoi ngjarjen sipas këndvështrimit të vet, më pas të gjithë u ftuan të shprehnin mendimet për ngjarjen, emocionet që ngjarja kishte shkaktuar dhe ndjesitë trupore të momentit. Një hap i rëndësishëm ishte kur trajnerja pyeti secilin për “gjërat që kishim bërë ose gjërat që do të donim të bënim” në lidhje me ngjarjen. Ushtrimi u shoqërua nga emocione të forta: trishtim, pikëllim, faj, zemërim; por në fund, ndjenja e çlirimit ishte mbizotëruese. Nuk është aspak e lehtë të flasësh për traumat dhe ngjarjet e dhimbshme të jetës, por kësaj here ia kishim dalë! Kishim folur për një ngjarje që na kishte tronditur të gjithëve dhe duke folur, në praninë e një trajnereje më tepër se inkurajuese, ia kishim dalë të përballonim një peshë të rëndë dhimbjeje. Me një ushtrim. Për vetëm 30 minuta!

Fundi i trajnimit ishte tepër emocionues. Ndodhi ajo që nuk kishte ndodhur në asnjë trajnim: trajnerja na përqafoi të gjithëve. Mund të duket e zakonshme, por mënyra sesi ajo përqafonte ishte e pazakontë: të shihte me sytë e saj të thellë, sikur donte të bërtiste me të madhe “Unë besoj tek ti!”, pastaj të rrokte në kraharor dhe të mbante ashtu të përqafuar për disa sekonda.

22730442_10214223794377184_7240282263708136465_n.jpg

Ato pak sekonda i ngjanin një përjetësie. Kur dola, nuk isha më e njëjta me njeriun që isha të shtunën në mëngjes. Kisha marrë me vete dhe e kisha futur thellë, në xhepin e krahut të majtë, një teknikë. Ndoshta jo teknikën që kisha pritur. Një teknikë që as më kishte shkuar në mendje. Kisha marrë me vete teknikën e përqafimit, që ma dha pa kushte jo vetëm një trajnere, por një grua me zemër të madhe. Grazie Tea Ricci!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top