Pika referimi

October 27, 2017 | 9:47

Nga Imo Alikaj: “Këpucët” e autizmit

Çdo ditë, në përfundim të punës, diku rreth orës 14 e 25, përballem gjithmonë me një raft me këpucë. Janë këpucë fëmijësh, gjithmonë të pastra, të reja. Herë pas here mendoj që, në qoftë se nuk do u rritej këmba këtyre fëmijëve do të mbeteshin me të njëjtat këpucë. Ato nuk vjetrohen asnjëherë. As pis nuk bëhen.

Imo Alikaj, Psikologe klinike, Terapiste ABA Terapiste EMDR niv.1 Animatore sociale

Imo Alikaj, Psikologe klinike, Terapiste ABA
Terapiste EMDR niv.1
Animatore sociale

Më ka ndodhur shumë rrallë që në atë raft të shoh këpucë të ndotura. Në fakt, tani që kujtoj më gjatë, vetëm një herë më ka ndodhur. Sa herë i shoh, përherë të njëjtat, përherë të pastra, çdo herë e njëjta ndjesi!

Ata janë fëmijët me autizëm. Unë do t’i mbështes që ata të veshin atletet e tyre gjithmonë në orën 14 e 25. Ata i kanë shumë të vështira lidhëset e atleteve. Të gjithë fëmijët në fakt, i kanë të vështira lidhëset. Ne, të rriturit, i kemi “bezdi” dhe shpesh i shmangim. Nejse, askush nuk e quan këtë “pa aftësi”.

Disa prindër tregohen të kujdesshëm dhe praktikë; blejnë për fëmijët atlete me ngjitëse. Por ka edhe nga ata që i kanë me lidhëse dhe që i veshin vetë atletet. Gjithsecili ka strategjinë e vet për t’i veshur atletet. Ata nga dita në ditë mësojnë diçka për veshjen e atleteve, së paku përpiqen dhe lodhen shumë për të mësuar. Rrisin dhe përmirësojnë aftësitë e tyre. Çdo ditë një gjë të vockël. Por, atletet mbeten të njëjtat, të reja, të pastra. 

foto ilistruese

foto ilustruese

Dekurajuese!

Dekurajuese po aq sa mëngjeset kur i marr poshtë pallatit dhe i zbres te dera e qendrës ku shkojnë për të marrë shërbimin. Dekurajuese po aq sa pasditet kur i marr te dera me furgon dhe i zbres poshtë pallatit. Dekurajuese po aq sa “zënkat” apo “kërkesat” kokëforta të prindërve që furgoni të hyjë në rrugicën qorre të pallatit dhe fëmija të zbresë në shkallën e parë apo edhe të hyjë në oborrin e shtëpisë.

Dekurajuese!

Në kundërshtim me këpucët e mbathura pak, dashuria e fëmijëve për  shëtitjen është shumë e madhe. Për shëtitje janë të gjithë gati. Kurdoherë! Çfarëdo qofshin duke bërë, sapo dëgjojnë fjalën “shëtitje”, ata ngrihen në këmbë dhe hidhen përpjetë, siç bëjmë në “normalët” kur marrim lajme të mira.  

Shëtitja e tyre është një xhiro e shkurtër, monotone, disa metra larg qendrës. Gjithmonë e njëjta rrugë, i njëjti vend pushimi, poshtë një rrapi të vjetër. Por kaq mjafton për të kuptuar që ata e duan shëtitjen.

Dikush prej tyre dashuron grimcat e vogla të dheut, ndaj i merr ato ndër duar dhe i lëshon sipër pantallonave. Një tjetër pëlqen të provojë kumbullat e pabëra, për dreq gjithmonë ia ndalojmë ta provojë shijen e tyre të thartë. Dikush tjetër rrokulliset në bar…

Të gjithë janë të lumtur, të paktën ashtu duken.

Vetëm kalimtarët e zakonshëm nuk janë të qetë. Ata zgurdullojnë sytë dhe ndryshojnë rrugë. Thua se aty përpara tyre kanë zbritur alienë.

Ejjj! Mos kini frikë nga autizmi.

Ju që ecni në rrugë me vrap se jeni vonë për në punë, ju që shtyheni dhe ngjisheni në autobusët e linjave, ju që e pini kafen nën rrezet e ngrohta të diellit, ju që e fikni dhe pastaj ndizni një cigare tjetër, ju që ecni majë takave sepse punoni në zyrë, edukatorë e mësues mos kini frikë! Edhe ju prindër mos kini frikë nga autizmi!

Nëse afroheni dhe depërtoni në sytë e tyre, që disa thonë “janë bosh” e disa thonë “janë të padepërtueshëm”, do ta kuptoni sa shumë flasin ata.

Ata thonë që duan të shëtisin, të luajnë, të komunikojnë, të kuptojnë, të han, të flenë dhe të jetojnë me ne, mjafton t’u jepni një dorë, të ecni krah tyre, të ecni në rrugën e tyre.

A mund të vishni edhe ju “këpucët e autizmit”?

Nëse po, duhet të dini që do ecni shumë pak dhe se shumë pak njerëz do ju shoqërojnë.

Do të shihni që do të mbeteni me të njëjtat këpucë.

Sot do preferoja të quhem e cekët, mjafton që dikush të mendojë për ato këpucë që nuk vjetrohen kurrë.

 

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com