Këshilla & Arsye

April 9, 2020 | 15:08

Genta Ruçi: Për ju prindër të fëmijëve me aftësi ndryshe, këshilla orientuese në këto ditë të vështira 

 

 

Në punën me fëmijët me Aftësi Ndryshe është me rëndësi krijimi i rregullave të qarta, të cilave duhet t’u përmbahemi në mënyrë rigoroze, me qëllim që të kemi një qëndrueshmëri në sjellje dhe në përvetësimin e informacioneve të reja. Janë rregulla të atilla që duhet të ndiqen në shkollë, në mjediset terapeutike dhe në shtëpi, aty ku fëmija kalon pjesën më të madhe të kohës. 

Msc.Genta Ruçi, Psikologe Shkollore, dhe për fëmijë me Çrregullim të Spektrit Autik

E në këto ditë të vështira për të gjithë, rutina dhe rregullat që ishin vendosur mund të kenë ndryshuar. Mjedisi-shtëpi po mbush gjithë kohën e këtyre fëmijëve, ndaj prindi tashmë po luan role të shumta, jo vetëm si prind por edhe si mësues dhe terapist. E kuptueshme që kjo nuk është aspak e lehtë, dhe nën ndikimin e një presioni të tillë, shumë prej prindërve mund ta kenë të vështirë t’i orientojnë dhe organizojnë aktivitetet në funksion të fëmijës. 

Disa nga këshillat që do listoj më poshtë, kanë të bëjnë me sjelljet e prindërve ndaj fëmijëve me Aftësi Ndryshe.

Pranoni bashkëpunimin | Në shtëpi nuk ndodhen një pjesë e materialeve terapeutike apo të shkollës, por ndodhen të gjitha materialet e domosdoshme për të punuar me fëmijën në pavarësinë vetjake, me nxitjen e aftësive komunikuese, akademike dhe me përforcimin e sjelljeve pozitive. Pranoni dhe ndiqni udhëzimet që mësuesit ju dërgojnë për t’u kryer në kushte shtëpie.

Mos ndërhyni në gjithçka që fëmija bën | Vërtetë ka shumë gjëra që fëmijët kanë vështirësi t’i realizojnë, por ndërhyrja juaj e pengon edhe më shumë zhvillimin dhe aftësimin e tyre. Lërini të kryejnë veprime në mënyrë të pavarur (të ushqehen, lahen, lajnë dhëmbët, të vishen etj).

Mos krahasoni arritjet e fëmijës suaj me fëmijët e tjerë | Komunikoni me mësuesin dhe terapistin e fëmijës suaj, por jo të kryeni punën që realizon një prind tjetër me fëmijën e tij. Zhvillimi ndryshon nga një fëmijë në tjetrin, ashtu siç ndryshojnë aftësitë, të kuptuarit, të komunikuarit, sjellja, ndaj, diçka që për një fëmijë është lehtësisht e perceptueshme, për fëmijën tuaj mund të jetë irrituese, e pakuptueshme dhe mund të shkaktojë ankth, sjellje të papërshtatshme dhe refuzim pune.

Merreni ju situatën në kontroll | Ndodh shpesh që për të mos nxitur të qara, sjellje kundërshtuese dhe refuzuese, prindërit dorëzohen, duke lejuar që fëmija të kryejë çdo veprim që dëshiron. Një mënyrë e tillë është në kundërshtim me rregullat e vendosura së bashku, por mbi të gjitha është në kundërshtim me të mirën e fëmijës dhe me progresin e tij. Ato kanë nevojë të vazhdueshme për ndihmën tuaj, orientimin dhe nxitjen që të kuptojnë dhe jetojnë në përputhje me kërkesat e nevojshme.

Përqendrohuni te pikat e forta | Secili prej fëmijëve ka aftësi të veçanta, dhe me rëndësi që këto aftësi t’i përdorim si motivim por dhe si një mënyrë për të arritur përmbushjen e hapave të tjerë.

Kujdes në ndërtimin e pritshmërive | Përmbajuni Planeve Edukative Individuale dhe jo të ndërtoni objektiva që nuk shkojnë në përputhje me to. Punoni në përputhje me zhvillimin e fëmijës dhe jo të quajmë informacionin e zotëruar, thjesht sepse duam të kalojmë në objektiva të tjerë. Disa objektiva duan shumë kohë të arrihen, e disa të tjera kapërcehen shumë lehtë. Ecni me ritmin e fëmijës suaj dhe jo me ritmin që ju dëshironi  që të ketë.

1

Mos i mbingarkoni | Shpeshherë prindërit të frustruar nga fakti që po humbasin kohë, i mbingarkojnë fëmijët me informacione të shumta, kryesisht akademike, duke i vendosur përballë fletëve format me ushtrime të shumta që duhen kryer çdo ditë. Kuptoni që jo të gjithë e kanë arritur aftësitë akademike, kuptoni që një tërësi informacioni e dhënë njëherësh do sjellë më pak rezultat në përgjigjet që do merrni. Oragnizoni kohën dhe sasinë e informacionit që i paraqisni fëmijës, jepini kohë që të kuptoni nëse informacioni është zotëruar dhe përgjithësuar. Mos harroni lojën, ka nevojë shumë për argëtim në këto ditë.

Argëtojini dhe përfshijini | Përpiquni të organizoni aktivitete së bashku, që nxisin emocione pozitive dhe përfshijini në sa më shumë gjëra që ju kryeni në shtëpi.

Prindërimi i një fëmije me aftësi ndryshe kërkon që të përshtateni ndaj vështirësive dhe aftësive të fëmijës suaj. Të kërkoni dhe pranoni ndihmë profesionale dhe gjatë këtyre ditëve, duke respektuar ato “rregullat” e vendosura së bashku me mësuesit dhe terapistin. E rëndësishme është të vazhdojmë të ndjekim sadopak rrjedhën e punës së mëparshme, por duke pasur kujdes të vazhdueshëm për t’iu përmbajtur udhëzimeve që u jepen.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top