Në fokus

September 4, 2020 | 11:36

Hajrije Emini Sinani: Ekstrovertët dhe introvertët…Të pagdhendurit dhe të ndrojturit

Çdo ditë jemi në kontakt të vazhdueshëm me njerëz të ndryshëm, disa nga ata janë të ngjashëm me ne kurse disa tjerë janë ndryshe nga ne ngase janë më të mbyllur apo më të hapur, më komunikues apo më të ndrojtur, më shoqërues apo më pak shoqërues, i duan ndryshimet apo nuk i duan ato dhe mijëra karakteristika tjera që na bëjnë neve të jemi ndryshe nga çdokush por shumë empatik ndaj dikujt dhe tepër indiferent ndaj një tjetri.

Nga Hajrije Emini Sinani – Psikologe

Çka është ekstroversioni dhe introversioni?

Këto përkufizime dolën në skenë falë psikologut të njohur zviceran Karl Jung, i cili në vitin 1921 botoi librin “Natyrat psikologjike” pas publikimit të së cilit ekstroversioni dhe introversioni u bënë orientimi dhe baza kryesore e personalitetit të njeriut.

Sa për ekstrovertët, energjia psikike e tyre drejtohet në drejtim të së jashtmes dhe ky është shkaku që ata janë të kthyer kah bota e jashtme edhe me qëndrimet dhe veprimet e tyre. Janë të gjallë, komunikues, reformues, të shoqërueshëm, të zhurmshëm, impulsiv, të hapur, marrin vendime të nxituara, e duan vetëparaqitjen kurse vëmendja dhe paraja ua zgjasin jetën.

Introvertët, nga ana tjetër, energjia psikike e tyre drejtohet kah e brendshmja, andaj ata janë më të qetë, më pak të shoqërueshëm, flasin pak, janë më të ngadaltë, marrin për sipër vetëm një punë, janë të saktë, të qëndrueshëm dhe qëndrueshmërinë e tyre nuk e tundon statusi ekonomik e as ai social.

Karakteristikat e mësipërme na tregojnë se kemi të bëjmë me dy psikotipa të ndryshëm. Megjithatë, sipas Jungut, të dy tipat ndërthuren te të gjithë njerëzit dhe kombinimi i tyre shihet tek çdo personalitet. “Asnjë njeri nuk është njëqind për qind ekstrovert apo introvert dhe po të ishte do duhej të mbyllet në spitalin psikiatrik” – thotë K. Jung.

Ne jemi një mix i dy tipave sepse çdo individ është ekstrovert në disa situata dhe introvert në disa tjera, por ajo se çfarë jemi shumicën e kohës e përcakton tipin tonë.

Këto dy tipa përcaktojnë mënyrën se si ne funksionojmë por jo dhe suksesin tonë, sepse suksesi ynë varet vetëm nga angazhimi ynë, qofshim ekstrovert apo introvert. Me njërin tip kemi përparësi në disa fusha dhe me tipin tjetër ecim para në disa tjera.

Shembulli më i mirë për këtë është suksesi i pazëvendësueshëm botëror i ekstrovertëve dhe introvertëve ideal që janë shembull për ne se si mundet t’i kapim majat vetëm duke e njohur tipin tonë, objektivin që kemi përbrenda dhe vizionin e qartë drejt të ardhmes.
Bota sot njeh suksesin e madh të ekstrovertit Martin Luter Kingut të ri bashkë me introverten Roza Parksin, ekstrovertin Dejl Karnegi dhe introvertët reformues si Ajnshtajni, Elenor Ruzvelti apo Stiv Ouzniakut.
Janë kaq të ndryshëm nga njëri-tjetri por asnjëri më pak i rëndësishëm se shoqi, kush tjetër mund të të ngritë kaq lartë përveç vetvetes?!

Nëse jeni një tip shumë komunikues, ju pëlqen biseda në grup, i jepni gjallëri festës dhe nuk doni që festa të mbarojë, organizoni piknikë shoqërorë, keni nivel të spikatur humori, keni nevojë për shoqëri sepse nuk e duroni dot vetminë, flisni shumë saqë disa herë u dalin fjalë edhe pa menduar, flisni më shumë se sa dëgjoni, dëshironi një zyrë pune të përbashkët me të tjerët, ju pëlqejnë tubimet me njerëz, diskutoni problemet me tjerët, atëherë ju jeni një person i kthyer kah bota e jashtme dhe jeni ekstrovert.

Ndërsa nëse jeni një tip që shkoni nëpër tubime por bezdiseni shpejt dhe ju mungon komoditeti dhe rehatia e shtëpisë, i mendoni fjalët përpara se t’i flisni, preferoni biseda të qeta dhe të ngrohta me miqtë e ngushtë e jo në shoqëri të gjerë, jeni dëgjues i mirë, ju pëlqen vetmia, preferoni diskutime ballë-përballë, nuk ju pëlqejnë mosmarrëveshjet, nuk e pëlqeni punën në grup sepse ndiheni më të sigurt kur punoni vetëm dhe nëse për ju nuk është primare vëmendja atëherë ju jeni i kthyer kah bota e brendshme dhe jeni introvert.

Vendet që kanë shumë emigrantë zakonisht janë me shumicë ekstroverte sepse ekstrovertët u dalën përballë rreziqeve dhe marrin iniciativën e ndryshimit të vendit, gjuhës, kulturës dhe pas gjithë kësaj ata ambientohen me çdo gjë të re në një vend të ri, kurse introvertët janë komfortë brenda zonës së tyre dhe nuk i parapëlqejnë ndryshimet e mëdha sepse i shohin si rreziqe dhe mendojnë më shumë pasojat.

Nëse i kuptoni dy tipat lartë atëherë do e kuptoni edhe arsyen pse dikush flet pa mbarim dhe ju bezdis, ka zë të lartë dhe ju shqetëson, energjia nuk i shteron kurrë dhe duket sikur gjithmonë është me bateri që nuk mbarojnë kurrë, ndërsa, nga ana tjetër, ka disa të tjerë që ju dilni përpara syve dhe nuk ju njohin, nuk ju japin vëmendje dhe ju nevrikosin, nuk ju flasin dhe i mendoni mendjemëdhenj, janë të thjeshtë në veshje e ju i quani demode, nuk u kushtojnë rëndësi disa gjërave që për ju kanë shumë vlerë dhe u hidhëroheni për pakujdesinë.

E gjithë kjo rrjedh nga mënyra se si është gatuar fiziku dhe psikiku ynë, mjafton që ta pranojmë të kundërtën e gjithë kësaj historie.

Ligji i pandryshueshmërisë kërkon që ne ta njohim divergjencën mes njerëzve sepse rrotullohemi rreth tyre çdo ditë dhe njohja e saj do na bënte më mendjehapur.

Ka dallime pafund edhe brenda natyrës ekstroverte ashtu si ka dallime pafund edhe brenda asaj introverte. Në ndërtimin e një individi luajnë rol një sërë faktorësh prandaj jemi kaq të ndryshëm nga njëri-tjetri. Çdo njeri është shkencë në vete dhe nuk mjafton një jetë për ta zbërthyer.

Ndryshe thënë, çdokush që nuk është i aftë ta kuptojë dhe pranojë divergjencën do të të shajë.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top