Pika referimi

April 21, 2020 | 8:03

Hajrije Emini Sinani: Pashmangshmëria e ndryshimit, e nesërmja është gënjeshtra më e bukur për ndryshimin e së sotmes

Nga Hajrije Emini Sinani – Psikologe

 

 

“Fillimi është i vështirë, por fundi do të jetë përrallor!”- është rrengu që na mban vazhdimisht në ajër. Ne e presim fundin që nga fillimi, sepse na mungon atraksioni për të tashmen, dhe kështu e humbim kohën e së sotmes për të jetuar në iluzionin e së nesërmes.

Anashkalimi i përgjegjësive personale dhe i vetëpërmirësimit nuk është gjë tjetër vetëm se një mekanizëm mbrojtës, një këshillues i rremë, i cili na qetëson përballë vetes duke na arsyetuar dembellëkun.

E nesërmja është gënjeshtra më e bukur për ndryshimin e së sotmes. Të gjithë e kemi provuar dhe e dimë sa ëmbël tingëllon ndryshimi i së nesërmes që nuk vjen asnjëherë, ndërsa ne qëndrojmë në pritje të vazhdueshme. Gjithmonë do të ketë të nesërme nëse nuk ka një të sotme të fuqishme.

Ndryshimi mund të fillojë tani në këtë çast, në këtë orë dhe në këtë ditë, por si? Mjafton që ne të jemi të vetëdijshëm për veset tona, t’i njohim ato mirë dhe duke e njohur mirë realitetin e vetes, të hartojmë planin e ndryshimit. Vetëdijesimi rreth realitetit dhe pranimi i problemit janë një hap i madh drejt ndryshimit.

2Ndryshimi është i pashmangshëm dhe gjithkush ndryshon por, kur këtij ndryshimi i paraprin vetëdija mbi realitetin e veprimeve vetjake ndryshimi merr kah pozitiv sepse ne reflektojmë kurse mungesa e vetëdijes të bën të ngulfatesh edhe më shumë në humnerën e pandryshueshmërisë së gjendjes. 

Nuk e di nëse ne ngjitemi në shkallët e jetës apo nëse jemi ne vetë shkalla dhe nga themelet e forta të brendësisë përballojmë trupat dhe sulmet e jashtme që ngjiten vazhdimisht mbi ne, qofshin sfidat e përditshme, apo qoftë energjia toksike që e thithim nga toksikët.
I gjalli shkel mbi ne, duam apo nuk duam, prandaj po e quaj këtë brendësi si shkallë. Por, një shkallë e fortë nuk rrëzohet; ajo duron dhe përballon, andaj na duhet një material i veçantë ndërtimi dhe ky material nuk vjen përnjëherë por duhet mbledhur gjatë ditëve të jetës, gjatë fazave mbi të cilat ndërtohet jeta jonë por ne i tejkalojmë si diçka e parëndësishme.

Nuk ka mundësi të jemi të përkryer, nuk ka mundësi të mos kemi nevojë për ndryshim, nuk ka mundësi të mos e njohim veten dhe ta jetojmë lirinë e vërtetë. Dhe nëse ne vërtetë e mendojmë të kundërtën atëherë kemi nevojë shumë serioze për ndryshim të menjëhershëm.

Duhet të mësohemi t’i hedhim hapat e parë. Fillimi i shprehive të reja është i vështirë sepse ato nuk janë të njohura për trurin tonë, por kur ne i përsërisim vazhdimisht shprehitë e reja ato do të regjistrohen në trurin tonë dhe truri do t’i përvetësojë si shprehi, tani më, të njohura.

Ne zhvillohemi vërtetë kur ndryshojmë shprehitë e vjetra negative me shprehi të reja pozitive. Kjo bëhet duke u vetëdijesuar për shprehitë që nuk i duam, duke pasur vullnetin e plotë për ndryshim dhe në fund t’u prijë veprimi, duke i eliminuar dalë-ngadalë të gjitha.

Të zgjedhim shprehinë që urrejmë më shumë tek vetja dhe ta ndryshojmë! Nëse ne kemi goditur në shenjë mund t’ua mbyllim portën shumë veseve tjera duke u bërë më të mirë dhe e mira është ajo që na qetëson shpirtërisht dhe na bën të reflektojmë.  

Me vetëpërmirësim ne kemi më shumë vetëkontroll, si pasojë ne rrisim vetëvlerësimin personal. Duke qenë në ndryshim të vazhdueshëm progresiv ne jemi të dobishëm për familjen dhe për shoqërinë.

Fundin e lumtur e përcakton fuqia e punës së fillimit dhe fotografia se si duam ta shohim botën ne, e jo iluzioni ynë. Të ruhemi nga iluzioni, sepse ai shpik episode të bukura në mendjen tonë dhe jemi ne protagonistët kryesorë që manipulohemi nga ai duke na bërë të ndjehemi si super-heronj dhe si revolucionarë të mëdhenj. Nëse ne i japim arsye kësaj fantazie episodet do të ndërrohen gjithmonë dhe do kenë tematika të ndryshme, por megjithatë fantazi do mbeten.

Ne vërtetë lindim me sy por jo me vizion, lindim me mendje por jo dhe të mençur. Jemi krijesa më e përsosur por jo vetë përsosmëria. Unë, ti dhe çdokush ka nevojë për ndryshim!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top