Në fund të Nëntorit të vitit të largët 1944, kur Shqipëria sapo ishte çliruar, Bardhyli, një djalë 14-vjeçar, gjeti një bombë dhe iu drejtua Bertit, shokut të tij të ngushtë: “Prite!” Por bomba i rrëshqiti nga duart dhe plasi. Berti u plagos në qafë dhe pas gjysmë ore dha shpirt në duart e gjyshes së tij që ishte e pafuqishme të bënte diçka që të mund ta shpëtonte…
Nga Lira GJIKA, psikologe
Berti ishte vetëm 14 vjeç kur vdiq dhe nëna e babai i tij provuan një dhimbje të pafund. Bardhyli shkoi në shtëpi dhe tregoi çfarë kishte ndodhur e ç’kishte bërë. Prindërit e tij u tronditën dhe nuk dinin se çfarë të bënin dhe si të silleshin me djalin e tyre, si edhe me familjen e Bertit i cili nuk ishte më. Shtëpitë e tyre i ndante një mur. Ata qëndruan në shtëpi të pafuqishëm, të tmerruar dhe të turpëruar pasi ata ishin edhe miq. Prindërit e Bertit pas shokut të tmerrshëm që i pushtoi dhe nuk i lëshonte, nuk e humbën toruan dhe nuk lejuan që hakmarrja të diktonte veprimet e tyre. Të nesërmen që Bertin e kishin çuar në banesën e fundit, prërgatitën nje ibrik me kafe dhe shkuan te familja e Bardhylit dhe pinë kafe sëbashku në shtëpine e tyre dhe u thanë se ata ishin miq si më parë. Bardhyli erdhi para prindërve të Bertit dhe ra në gjunjët e tyre duke qarë dhe kërkuar falje për veprimin që kishte bërë. Prindërit e Bertit i thanë që e besonin se e kishte bërë pa dashje dhe e kishin falur. Mbas disa ditësh kthehet nga lufta daja i Bertit. Kur merr vesh se çfarë kishte ndodhur, kërkon të shkojë të hakmerret për Bertin. Berti dhe daja kishin qenë shumë të lidhur dhe kishin kaluar shumë kohë bashkë. Babai i Bertit ndërhyri menjëherë dhe me autoritetin që i jepte dhimbja nga vdekja e të birit ndaloi kunatin e tij dhe dajën e Bertit që të kryente hakmarrjen. “Unë nuk hakmerrem. Unë nuk kryej veprime që nuk zgjidhin asgjë, por vetëm shtojnë të keqen. As Berti nuk do të donte hakmarrje, pasi ata ishin shokë dhe ajo që ndodhi ishte një aksident.” Prindërit e Bertit patën edhe fëmijë të tjerë, të cilëve gjithashtu nuk u ushqyen asnjë ndjenjë hakmarrjeje. Vëllezerit e Bertit i flisnin Bardhylit edhe pse e dinin te vërtetën. Ata nuk ishin ushqyer me ndjenjën e hakmarrjes dhe të urrejtjes. Fëmijët e Bardhylit nuk u panë asnjëherë si fëmijët e armikut. Ata vërtetë nuk u bënë më miq, por nuk kishin frikë nga njëri-tjetri.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.