Dëshmi

June 10, 2022 | 8:25

I rrituri nuk duhet të rrijë indiferent ndaj zënkave të fëmijëve, ja pse

Shpesh në rrugë apo në mjediset e shkollave hasen grupe fëmijësh që kanë vënë në mes një nga shokët dhe e fyejnë apo godasin. Për çudi, asnjë i rritur nuk ndërhyn. Kalojnë pranë tyre indiferent apo të bezdisur dhe nuk u shkon në mendje që e kanë për detyrë të ndërhyjnë për të mbrojtur fëmijën që po keqtrajtohet, por edhe fëmijët që po keqtrajtojnë, sepse janë përfshirë në një “lojë” të dyshimtë, që u vret të mirën.

Nga Lira GJIKA, psikologe

Është një numër fëmijësh që janë të ndrojtur apo ndihen inferior ndaj shokëve të tyre dhe shpesh bëhen pre e fyerjeve dhe talljeve, e deri te dhuna fizike. Fëmijët, këtë trajtim të shokut apo shoqes së tyre, në përgjithësi e përftojnë si lojë. Por, të rriturit pranë tyre, prindër, mësues apo edukatorë, duhet të jenë të vëmendshëm dhe ta ndalojnë. Ata me durim duhet t’u flasin fëmijëve për të mirën dhe të keqen, edhe pse kjo lojë është e keqe. Të rriturit duhet të ndërhyjnë duke u thënë fëmijëve: “Nuk ju detyron njeri ta doni shokun apo shoqen, por jeni të detyruar të respektoni dhe të mos fyeni tjetrin. Këto veprime nuk mund dhe nuk duhet t’i bëni. Ky veprim është i ndaluar sepse bëni keq si tjetrit, po ashtu edhe vetes tuaj. Ju me këtë veprim zhvilloni të keqen. Po sikur të ishit ju në vendin e shokut apo shoqes tuaj, si do të ndiheshit?” Ka raste që fëmijët thonë: “Po mua nuk mund të ma bëjnë”.

I rrituri me qetësi, duhet të shpjegojë se asnjë nuk është aq “i fortë” dhe nuk duhet të jetë aq i fortë sa të mendojë si të bëjë keq. Sepse kur tallemi me tjetrin në fakt mendojmë të keqen. Gjithashtu këto mënyra të sjelluri tregojnë vetm frikë të madhe dhe paaftësi për të njohur të mirën. I rrituri nuk duhet të rrijë indiferent përpara situatash të tilla. E ka për detyrë të mos jetë indiferent ndaj të keqes.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top