Në fokus

April 22, 2020 | 8:06

Imo Alikaj: Lëreni të ardhmen të mbetet e ardhme!

Nëse çdo ditë e më shumë, duke ndenjur të mbyllur dhe të privuar, humbni durimin, ndiheni të frikësuar, të frustruar, të lodhur, nervoz apo ankthioz, kuptoni që po kërkoni të njihni dhe të lidheni vetëm me të ardhmen dhe fatkeqësisht të tashmen e keni humbur.

Msc. Imo Alikaj Psikologe Klinike Psikotraumatologe EMDR

Dhe nëse po përhumbeni në valët e panjohura dhe thithëse të së ardhmes, është e thjeshtë, keni humbur edhe veten. Po, e keni humbur! Dhe kur e humbet veten, humbet edhe atë shijen e ëmbël të gjërave të vockla të ditës. Prandaj nuk mund të luani, nuk mund të buzëqeshni, nuk mund të punoni, të krijoni, të dashuroni…

Por… ju jeni këtu, tani.

Dhe mund të rigjeni një rrugë që t’iu jap përsëri mundësinë të luani, të buzëqeshni, të punoni, të krijoni, të dashuroni…

Të dashuroni! Edhe ato gjëra të cilat nuk i kishit menduar ndonjëherë.

P.sh, mrekullinë e hapjes së derës, palosjen e bluzës, pastrimin e tavolinës…

Mendoni për diçka që ndodh çdo ditë më shumë se një herë; diçka që ju e merrni për të mirëqenë, si p.sh, hapja e derës. Pikërisht në momentin që ju prekni dorezën e derës për të hapur derën, ndaloni një moment dhe bëhuni i ndërgjegjshëm për ku jeni, si ndiheni në atë moment dhe ku do t’ju çoj dera.

1Në mënyrë të ngjashme, në momentin kur ju hapni kompjuterin për të filluar punën, merrni një moment për të vlerësuar duart tuaja që e bëjnë të mundur këtë proces dhe trurin që lehtëson të kuptuarin tuaj si ta përdorni kompjuterin. Po nëse nuk do ishte e mundur?

Por mund të mrekulloheni edhe me pulitjen e syve. Nuk keni ndaluar asnjëherë dhe të mendoni për këtë, apo jo? Mendoni për një çast dhe vetëm vëzhgoni si ndodh. Mundohuni të kuptoni. Ku jeni? Si ndiheni? Si hapen qepallat? Çfarë bëjnë të mundur hapja e qepallave? Si pushojnë për fraksionin e sekondës qepallat mbi sy? Po nëse nuk do të mund të pushonin? Po nëse nuk do mund të hapeshin qepallat?

Zgjidhni një pikë të tillë kontakti përgjatë ditës suaj. Në vend ta bëni këtë në çdo moment të ditës, zgjidhni momente rastësore për të ndaluar dhe zhvilluar ndërgjegje të qëllimtë për atë çfarë jeni duke bërë dhe bekimet që sjellin këto veprime në jetën tuaj.

Ky ushtrim shërben për të zhvilluar një rritje të vetëdijes dhe vlerësimit për detyrat e thjeshta ditore dhe rezultatit që arrini me to.

Do të mrekulloheni me ato gjërat e vockla që deri tani, i keni marr për të mirëqena.

Do të jeni falenderues!

Pra, do të jeni tani, këtu…

Dhe do të keni gjeni rrugën që iu jep mundësinë të luani, të buzëqeshni, të punoni, të krijoni, të dashuroni… përsëri.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top