Në fokus

December 17, 2020 | 8:55

Informacion mbi njohuritë rreth kontratës së punës, marrëdhënies me punëdhënësin dhe mbarëvajtjen

Një ndër elementët më të rëndësishëm të marrëdhënieve të punës  midis punëdhënësit dhe punëmarrësit është Kontrata. Ajo është elementi më i rëndësishëm midis subjekteve të saja, punëdhënës dhe punëmarrës, që në momentin që lidhet ajo. Palët bien dakord, pasi e kanë lexuar atë, kanë marrë informacionin e duhur, apo kanë negociuar kushtet dhe elementët të saj, të hyjnë në marrëdhënie juridike të punës.

Dr. Donila Pipa

Dr. Donila Pipa

Neni 21 i Kodit të Punës, pika 1 dhe 2, përcakton formën e lidhjes së kontratës që është vetëm e shkruar. Gjithashtu edhe ndryshimi i kontratës bëhet përsëri me shkrim dhe pasi palët bien dakord për ta bërë atë.

Por kur quhet e lidhur një kontratë pune?

Kontrata e punës quhet e lidhur kur punëmarrësi pranon kryerjen e një pune ose shërbimi, për një periudhë kohe të caktuar ose të pacaktuar, brenda kuadrit të organizimit dhe sipas urdhrave të punëdhënësit dhe që, në bazë të këtyre rrethanave, kryhet vetëm kundrejt pagesës.

PRA nëpërmjet punëdhënësit dhe punëmarrësit ekziston një marrëdhënie pune, shërbim-shpërblim. Neni 12 i Kodit të Punës, përcakton dhe përkufizimin e kontratës së punës.

Në kontratën e punës punëmarrësi merr përsipër të ofrojë punën ose shërbimin e vet për një periudhë të caktuar ose të pacaktuar kohe, në kuadër të organizimit dhe të  urdhrave të një personi tjetër, të quajtur punëdhënës, i cili merr përsipër të paguajë një shpërblim. PRA një ndër elementët më të rëndësishme të këtyre marrëdhënieve është dhe paga.

Po a ju paguhen punëmarrësve orët shtesë?

Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë përcakton që  nenin 88 pika 1 dhe 2 të saj përkufizimin e orëve shtesë;  Me orë shtesë kuptohet çdo orë pune e kryer mbi kohëzgjatjen ditore normale ose javore maksimale të punës.  Quhet orë shtesë çdo orë pune e kryer mbi orarin normal të punëmarrësit që punon me kohë të pjesshme.

Në të njëjtën kohë neni 90 I Kodit të Punës,  përcakton që Numri maksimal i orëve shtesë përcaktohet në kontratën kolektive ose kontratën individuale të punës.

Punëdhënësi mund të kërkojë kryerjen e orëve shtesë të punës, por jo më shumë se 200 orë në vit. Nuk mund të kërkohet kryerja e orëve shtesë javore kur punëmarrësi ka kryer 48 orë pune në javë. Në raste të veçanta, për një periudhë deri në 4 muaj, mund të punohet me shumë se 48 orë në javë, por koha mesatare javore e punës, për këtë periudhë, nuk duhet të jetë më shumë se 48 orë.

Kodi  punës ndalon:

kryerjen e orëve shtesë të punës nga gratë shtatzëna dhe pas lindjes së fëmijës, derisa fëmija të mbushë moshën 1 vjeç;

kryerjen e orëve shtesë për personat me aftësi të kufizuar, për shkaqe objektivisht të justifikuara, që lidhen me shkallën e aftësisë së tyre të kufizuar dhe natyrën e punës për të cilën kërkohen orët shtesë.

Ka vetëm një rast përjashtimor, por me autorizimin e Inspektoratit të Punës, kur numri maksimal i orëve shtesë mund të tejkalohet në rastet e forcës madhore ose të punëve urgjente në dobi të popullsisë

A duhet të kompensohen orët shtesë?

Neni 91 i Kodit të punës përcakton  dhe mbron punëmarrësin në momentin që kryen orë shtesë, duke e kompensuar me pushim ose pagën normale dhe një shtesë jo më pak se 25 për qind të saj. Këtu kemi një përjashtim vetëm kur në kontratën kolektive të punës  kur parashikohet ndryshe .

Por, Punëdhënësi në marrëveshje me punëmarrësin, mund të kompensojë orët shtesë të punës me një pushim të paktën 25 për qind më të madh, që i korrespondon kohëzgjatjes së orëve shtesë dhe që jepet brenda 2 muajve nga dita e kryerjes së punës, me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe në kontratën kolektive.

Si kompensohen orët shtesë të punës të kryera gjatë pushimit javor ose në ditët e festave zyrtare?

Orët shtesë të punës të kryera gjatë pushimit javor ose në ditët e festave zyrtare kompensohen me pushim ose pagë të paktën 50 për qind më të madhe se orët shtesë të bëra ose paga normale, me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe në kontratën kolektive

Sot në një botë digitale dhe globale, ka shumë faqe uebi, instagrami, apo konsulenca juridike falas, ku palët si punëdhënësi apo punëmarrësi, apo persona të tjerë të interesuar , mund të marrin informacionin e duhur, me qëllim që marrëdhëniet punëdhënës-punëmarrës mos konsiderohen si marrëdhënie armiqësore, por marrëdhënie bashkëpunuese, ku një pale ofron shërbimin dhe tjetra shpërblimin.

Sot, duhet të dimë të drejtat tona, dhe të na respektohen, pasi në qoftë se një punëmarrës nuk shpërblehet për punën e kryer, për orët shtesë, nuk ka rendiment në punë, nuk ka motivim dhe kjo ndikon në mënyrë të tërthortë dhe tek punëdhënësi.

A ka diskriminim në marrëdhëniet e punës shtet- privat për punëmarrësin si subjekti më i dobët?

Udhëzimi nr 29, date 10.09.2020, përcakton përveç të tjerave dhe ngarkesën mësimore të personelit akademik të institucionet të arsimit të lartë sipas ndarjes në  kategori që e ka përcaktuar ligji i arsimit të lartë

140 orë për kategorinë profesor, 165 orë për kategorinë lektor dhe 195 për asistent-lektor , ngarkesë mësimore vjetore në auditor.

Gjithashtu përcakton dhe orët suplementare në auditor nuk mund të jenë më shumë se  200 orë, dhe në raste specifike me propozim të njësisë bazë dhe miratimin e drejtuesit të njësisë kryesore, personeli akademik me kohë të plotë mund të mbulojë edhe  100 orë në auditor mbi limitin 200 orë.

Ndërsa për institucionet jopublike, në titullin dispozitat e fundit,pika 5, përcakton që ngarkesa minimale përcaktohet nga vetë institucioni,  ndërsa ngarkesa maksimale nuk mund të tejkalojë kohën e punës së përcaktuar në Kodin e PUNËS.

MOS vallë në këtë rast kemi të bëjmë me një rast diskriminimi, sikundër Ministria, Komisioneri për  Mbrojtjen nga diskriminimi apo institucione të tjera, duhet ta shikojnë me kujdes ,pasi sot për fat të keq diskriminohemi, edhe ndonjëherë nga një diskriminim i shumëfishtë, i strukturuar, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë në marrëdhëniet e punës dhe në punësim?????

Të jesh pjesë e procesit të integrimit për tu aderuar në Bashkimin Europian, të  respektosh Konventat e Organizatës Ndërkombëtare të punës ku Shqipëria është pjesë, apo  si anëtarë e Këshillit të Europës. Dhe  të jesh pjesë e procesit të Bolonjës, apo të  ndihesh që jeton ne një botë pa barriera, duhet të jesh demokrat në veprime dhe në mendje, pasi diskriminimi në punësim, pagimi i orëve shtesë, respektimi I dinjitetit të punëmarrësit  është detyrim , jo vetëm dëshirë!

 

P.S Titulli i vendosur është redaksional

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top