Në fokus

January 9, 2018 | 9:07

INTERVISTA/ Sherif Merdani: Si na “ndryshoi” Celentano gjatë diktaturës

Nga UVIL ZAJMI

Deri ne vitin 1973, kur “revolucioni kinez” ndërpreu çdo lidhje kulturore me Perëndimin, stacionet e huaja televizive, sidomos ato italiane, ndiqeshin në grupe, në ato të pakta aparate televizive që gjendeshin në shtëpitë e shqiptarëve. Dhe ishte e pamundur që ajo frymë të mos përcillej edhe në Shqipëri. Kush më shumë e kush më pak, me apo pa vetëdije, do të “përvetësonte” diçka italiane. Adriano Celentano me bashkëshorten Claudia Mori Por ai që do të linte gjurmë të pashlyeshme në jetën e shqiptarëve gjatë viteve ’60-’70, e sidomos të këngëtarëve dhe kompozitorëve, ishte pa dyshim Adriano Celentano. Në 80-vjetorin e lindjes së këngëtarit dhe showmenit italian, këngëtari Sherif Merdani, kthehet pas në kohë.

celentano-mori

I sapokthyer nga Vjena, ku së bashku me bashkëshorten ka pasur fatin të ndjekë Koncertin e 1 janarit, Merdani tregon se si ka ndikuar “universi Celentano”, jo vetëm te këngëtarët e kompozitorët, që huazuan frymën e tij, por edhe te njerëzit e thjeshtë, që mësonin me një frymë këngët e tij dhe kërcenin nën atë muzikë në pistat e vallëzimit. Si i kujton Merdani këngët e famshme dhe jehona që kishin në Shqipëri. 

Sherif, sapo jeni kthyer nga Vjena, ku keni ndjekur Koncertin e datës 1 janar, si ju duket ta prekni vetë me dorë këtë aktivitet, që dikur vetëm mund ta ndiqnim nga ekrani?

Kam realizuar një ëndërr, një pasion të vjetër. Emocioni ishte shumë i madh. Të ishe pjesë, të përjetoje ato çfarë të ofronte mjedisi, atmosfera, orkestra, muzika, në atë sallë të mahnitshme, ishte e jashtëzakonshme. Të duket e pabesueshme kur je aty, në atë eveniment, ngjarje muzikore tradicionale me përmasa botërore, kur kujton se e vetmja mundësi e lejuar e kohës për ne, ishte ta ndiqje vetëm në televizor, çdo 1 janar. Për mua, ishte një mrekulli edhe frymëzues edhe në aspektin profesional dhe sigurisht atë jetësor. Meqë është 80-vjetori i Celentanos, le të kthehemi pak pas, në vitet ’60, si i kujtoni? Sigurisht që “universi Celentano” ka ndikuar në rininë, brezin e viteve ’60-70, me këngët kryesisht, por edhe si një personazh i veçantë, jo vetëm në aspektin artistik, por edhe më gjerë.

Një zë kumbues, spektakolar në skenë, me një stil të ri, tërheqës, pak amerikan, krijoi një figurë te re moderne për këngëtarët e fillimviteve ’60. Cili ka qenë efekti ‘Celentano’ në Shqipëri?

Është ndjekur, imituar, nga admiruesit e muzikës italiane në ato vite. Mjafton të dilte një këngë e tij, shumë shpejt do të mësohej teksti, muzika, e cila do të vallëzohej e këndohej kudo, në mbrëmje me shkollat, rininë, në familje, evenimente artistike të kohës. Në plazh, sigurisht, në pistat e famshme çdo mbrëmje, etj.

Çfarë ju tërhiqte asokohe te Celentano?

Sigurisht, mënyra interpretuese, zëri, por edhe këngët. Nga “24 milla baci”, duetet me Minën, këngët e famshme si “Il ragazzo della Via Gluk”, “Storia d’amore”, “Soto le lenzuola”, “Chi non lavora non fa l’amore”, që kanë lënë gjurmë, etj. Madje, kjo e fundit, kujtoj se u kritikua edhe Partia në gazetën “Zëri i Popullit” apo “Drita”, për tekstin dhe mesazhin që jepte, në kundërshtim me atë që ofronte muzika dhe formimi i njeriut të ri socialist.sherif-merdani

Ku e dëgjonit muzikën e tij?

Kontakti më Celentanon, muzikën, këngët e tij, ishte i menjëhershëm. Nga radio, me hit paradet e njohura të Lelio Lutazit, Sanremo apo Canzonissima, Teatro 10. Edhe në televizor nga kanalet e “Rai”-it, ku ndiqej me shumë dëshirë fundjava muzikore italiane, pasi nuk ishte i ndaluar.

Ndonëse ishin të paktë ata që kishin televizorë në ato vite, mblidheshim për të parë Celentanon dhe këngëtarët e tjerë. Të paktën deri në fillim të vitit 1973, kur kanalet televizive italiane u mbyllën. Sa ndikonte te ju stili Celentano?

Celentano ishte një pikë referimi i rëndësishëm për ne këngëtarët dhe kompozitorët. Kujtoj se janë vitet e shpërthimit të madh muzikor, si në Itali me Minën, Morandin, Ranierin, Pravon, Cinquetin, Batistin, Don Bakin, etj., po kështu edhe në Shqipëri, kur shfaqet një brez me këngëtarë të mrekullueshëm, njohës, admirues me dëshirën për një muzikë bashkëkohore. Ishte fat të kishe afër Italinë, dhe muzika e tyre ishte një element frymëzues për ne. Ndonëse mua më pelqente Tom Jones, impulset e para muzikore i merrnim më shpejt nga afërsia gjeografike, shijet dhe ndjeshmëria e njëjtë artistike që na lidhte me Italinë, në rastin konkret me këngëtarët që interpretonin atë muzikë të bukur.

A kishte ndër ju nga ata që ishin “shënjuar” nga Celentano dhe identifikoheshin si ndjekës të tij?

Celentano ka qenë i njohur, shumë i preferuar, i kënduar në Shqipërinë e viteve ’70, kudo në çdo qytet, madje, i njohur edhe për filmat që ka luajtur. Çdo këngë e tij përbënte lajm, kishte interes dhe shërbente si model për ta imituar, kjo edhe në veshje, stil, estetikë, në skenë. Por, sa e vështirë ishte ta imitoje me tipin dhe karakterin ndryshe që kishte. Kujtoj të paharruarin Francesk Radi. Ka adhuruar gjithçka të Celentanos, nga kitara, zëri, tekstet, stili, muzika. Nuk kishte rast, që Franko, gjatë netëve vallëzuese, argëtuese, të mos këndonte këngë të tij, madje, ishte shumë i njohur edhe për këtë detaj, pra, për ngjashmërinë artistike që reflektonte me Celentanon. Të interpretonte këngët e tij, nuk ishte vetëm kënaqësi e Frankos, por edhe dëshirë e miqve, spektatorëve ku ai ndodhej. I mjaftonte kitara, akordet dhe pastaj këngët me tekstet, të cilat ia njihte duke krijuar atmosfera të paharruara, një Franko të stilit Celentano, shumë spektakolar.

Ju që ia njihni fillimet, sa ka ndryshuar Celentano?

Mendoj aspak, duke transmetuar pa fund energji muzikore. Ndonëse ka 80-vjetorin, ai mbetet ende ai djali i ri si te “Il Raggazzo della Via Gluk”./Panorama

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com