Dëshmi

August 20, 2026 | 14:08

Isabel 10 vjeç / Magjia e një ditëlindjeje si në përrallë

Isabel mbushi 10 vjeç. Ishte në qendër të vëmendjes. Ndihej e lumtur. E përkëdhelur gjithashtu. Një ditë feste krejt e saja. Pranë e rrethonin njerëzit më të dashur: prindërit, motra dhe vëllai, si edhe katër gjyshërit. Tetë fytyrat që ka ndeshur më shpesh gjatë dhjetë viteve të para të jetës. Mjaftueshëm për ta bërë ditën të ngrohtë, edhe pse ditëlindja, për rastësi, kishte rënë në mesin e korrikut përvëlues.

isabel-10-vjec-135

A e dini se çfarë mban mend një fëmijë kur rritet? Ndoshta lojërat, jo ato elektronike, miqësitë e para plot frymëzim dhe ndonjë lëndim të vogël fizik që mund të ketë pësuar nga pakujdesia. Sepse të gjitha këto janë pjesë e fëmijërisë. Por ka edhe një veçanti që e bën të bukur rritjen dhe kapërcimin e fazave të jetës. Janë kujtimet që lindin nga përkujdesja, vëmendja, edukimi, argëtimi dhe udhëtimet, të cilat mbeten të pashlyeshme në kujtesën e një fëmije dhe formësojnë njeriun e së nesërmes. Në mijëra forma, ky shteg i padukshëm e bën rritjen më të plotë e, për rrjedhojë, më të bukur. Janë ato çaste që, përtej faktit se janë më mbresëlënëset, janë edhe më të shëndetshmet për shpirtin e njeriut, duke e bërë atë nesër të ndihet i plotë.

Isabel na mblodhi në këtë përvjetor të rëndësishëm të saj. Na kishte bërë ftesa të dedikuara. E më pas u zhvillua një festë e madhe, me gjithçka që plotëson botën e një fëmije në pragun e dekadës së parë të jetës. E kuruar me kujdes të veçantë nga vetë ajo, deri në detajet më të vogla: nga ngjyrat dhe personazhet e dashur, tek këndi i karaokes, ai i pikturës, stenda e kokoshkave, madje edhe pishina ku fëmijët u freskuan nga vapa e kësaj vere. Për disa orë, “Vila Balla” u shndërrua në një botë ku dëshira e saj vajzërore na ftonte të preknim diellin përmes dritës që përcjellin sytë e një fëmije.

isabel-10-vjec-160

Isabel mbushi 10 vjeç

Ajo erdhi në jetë më 17 korrik 2016, rreth orës 11:00 të paradites, në një të diel vere. Isabel lindi në Los Anxheles, Kaliforni, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. U deshën disa orë pritjeje, derisa dashuria mori kuptimin e saj më të bukur. Isabel është fryti i dashurisë së dy të rinjve që nuk ia lëshuan kurrë dorën njëri-tjetrit dhe që i rritën bashkë ëndrrat për jetën: Fabiola Hysenbelliu dhe Rigels Balla.

isabel-10-vjec-249Në pritjen e organizuar për familjarët dhe miqtë më të afërt, Fabiola dhe Rigelsi ndanë emocionet e ditës kur u bënë prindër për herë të parë dhe kujtuan rrugëtimin e bukur që ka nisur që prej atij çasti. Sot, familja e tyre është bërë edhe më e madhe e më e plotë, me ardhjen në jetë të Amaris dhe Lucasit, duke e kthyer shtëpinë në një univers ku gëzimi shumëfishohet çdo ditë. Krahas suksesit në karrierat e tyre, Fabiola dhe Rigelsi kanë dëshmuar se arritja më e bukur mbetet rritja me dashuri, përkushtim dhe dinjitet e tre fëmijëve të tyre.

isabel-10-vjec-30

Më shumë se një festë ditëlindjeje, ishte një takim zemrash. Një mbrëmje ku të afërmit dhe miqtë u mblodhën jo vetëm për të festuar dhjetëvjetorin e Isabel, por edhe për të kujtuar se familja është vendi ku koha fiton kuptim. Për gjyshërit, Melkën, Norën, Rakipin dhe Irfanin; për dajën Oni dhe hallat, Denisën e Ninën; për kushërirat e vogla, shoqet e ngushta, si edhe për miqtë e veçantë që kishin ardhur nga Kosova, 17 korriku i këtij viti do të mbetet një ditë të paharruar. Një ditë që do të na rikujtojë se nuk janë vetëm vitet ato që numërohen, por njerëzit me të cilët zgjedhim t’i jetojmë.

isabel-10-vjec-71

Isabel Balla është fëmija i parë i presidentes së Universitetit “Luarasi” dhe zëvendëspresidentes së “Hysenbelliu Group”, znj. Fabiola Hysenbelliu, dhe i z. Rigels Balla. Ajo është gjithashtu mbesa e parë e presidentit të Hysenbelliu Group, z. Irfan Hysenbelliu, themeluesit të grupit mediatik ku bën pjesë edhe “Gazeta Panorama” dhe “Revista Psikologjia”.

Gëzuar ditëlindjen, Isabel! Urojmë që, kur pas shumë vitesh të rikthehesh te këto radhë, të mos shohësh vetëm një shkrim kushtuar ditëlindjes tënde, por një copëz të fëmijërisë që ruan dritën e një dite që të gjithë do ta kujtojnë me buzëqeshje. Le të mbetet ky rrëfim në arkivin e kujtimeve të tua, si dëshmi se dhjetëvjetori yt ishte shumë më tepër se një festë, ishte një ditë e mbushur me dashuri.

isabel-10-vjec-242

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top