Qendër studimi pas shkolle
Nga klasa 1 deri të 9-të studim dhe argëtim
Mësim i gjuhëve të huaja
Ushqim i garantuar
Transport i përfshirë
Me filozofinë “No Stress në Monad për fëmijët”, MONAD Center sjell një qasje të re ndaj edukimit pas shkollës, ku dija ndërthuret me argëtimin, mbështetjen dhe zhvillimin individual. E themeluar nga Jeona Koka, qendra synon të krijojë një mjedis të sigurt, frymëzues dhe miqësor, ku fëmijët nga klasa e parë deri në të nëntën jo vetëm përforcojnë njohuritë, por zhvillojnë kreativitetin, mendimin kritik dhe besimin te vetja. Në këtë intervistë, themeluesja dhe administratorja e MONAD Center ndan vizionin e saj për një edukim pa stres e pa presion, ku çdo fëmijë mëson me dëshirë, zbulon potencialin e tij dhe përgatitet jo vetëm për shkollën, por edhe për jetën.

Jeona Koka, themeluese dhe administratore
Çfarë ju motivoi të hapnit një qendër studimi pas shkolle dhe si lindi ideja për MONAD Center?
Një shtysë shumë e thjeshtë dhe e buruar nga zemra: puna me fëmijët, dëshira për t’i ndihmuar të ndjekin rrugën e tyre në dije. Jam munduar të krijoj një hapësirë ku fëmijët të ndjehen të sigurt, të mbështetur dhe të lirë për të mësuar. Në themel, filozofia jonë është e thjeshtë: më pak stres, më shumë mësim përmes argëtimit dhe më shumë besim tek vetja.
Për cilat grupmosha është konceptuar MONAD Center dhe si organizohet puna me nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e nëntë?
Monad Center është konceptuar për nxënësit e moshës 6 deri në 15 vjeç, nga klasa e parë deri në klasën e nëntë. Në këto grup mosha është e rëndësishme që puna të organizohet duke marrë parasysh moshën, nivelin e njohurive dhe nevojat individuale të secilit fëmijë. Me nxënësit më të vegjël përqendrohemi te përforcimi i njohurive bazë, krijimi i zakoneve të mira dhe tek të mësuarit dhe zhvillimi i të menduarit kritik. Me nxënësit më të rritur, rëndësi më të madhe marrin organizimi i studimit, kuptimi i koncepteve zgjidhja e problemeve dhe zhvillimi i të menduarit
kritik. Për mua është thelbësore që fëmijët jo vetëm të kryejnë detyrat, por të kuptojnë atë që po bëjnë, të mësojnë si të mësojnë, të organizojnë kohën dhe të gjejnë zgjidhje në mënyrë të pavarur.

Sa rëndësi i keni kushtuar përzgjedhjes së stafit pedagogjik dhe cilat janë kriteret kryesore që kërkoni tek mësuesit dhe edukatorët?
Përzgjedhja e stafit pedagogjik është një përgjegjësi që e marr shumë seriozisht. Natyrisht, përgatitja profesionale dhe njohuritë në fushën përkatëse janë të domosdoshme, por bashkë me to vlerësoj shumë durimin, empatinë, përgjegjësinë dhe aftësinë për të komunikuar me fëmijët pozitivisht. Një mësues i mirë nuk është vetëm ai që di të shpjegojë mësimin, por ai që di ta bëjë fëmijën të kuptojë, të pyesë pa frikë dhe të mos dorëzohet përballë vështirësive. Njerëzit që bëjnë pjesë në Monad Center dua ta shohin çdo fëmijë si një individ me potencialin, personalitetin dhe ritmin e vet të zhvillimit.
Përveç mbështetjes në mësime, çfarë ofron MONAD Center në drejtim të mësimit të gjuhëve të huaja dhe zhvillimit të aftësive të tjera të fëmijëve?
Fëmijët kanë nevojë të zhvillojnë aftësi të tjera që i ndihmojnë të kuptojnë më mirë veten, të komunikojnë dhe të zbulojnë interesat e tyre. Pra, krahas mbështetjes me detyrat, Monad Center synon t’u krijojë fëmijëve mundësi për zhvillimin e gjuhëve të huaja, kreativitetit, imagjinatës dhe aftësive praktike, përmes aktiviteteve të përshtatura sipas grupmoshave. Një rëndësi të veçantë i kushtoj edhe mënyrës se si fëmijët mendojnë. Dua t’i nxis të bëjnë pyetje, të shprehin mendimet dhe idetë e tyre, të punojnë në grup dhe të gjejnë zgjidhje. Më pëlqen qasja edukative që u mëson fëmijëve si të mësojnë dhe si të mendojnë në mënyrë të pavarur. Qëllimi im është të krijojmë një përvojë edukative që i ndihmon ata të zhvillohen në disa drejtime, duke ruajtur gjithmonë kënaqësinë dhe kureshtjen për të zbuluar gjëra të reja.

Çfarë e veçon MONAD Center nga qendrat e tjera të studimit pas shkolle dhe cilat janë nevojat kryesore të fëmijëve që synoni të mbuloni?
Mendoj se ajo që e veçon Monad Center është filozofia mbi të cilën është krijuar. Nuk e shoh qendrën thjesht si një vend ku fëmijët qëndrojnë pas përfundimit të mësimit apo ku kryejnë detyrat, por si një mjedis që duhet të kontribuojë në mirëqenien dhe zhvillimin e tyre. E kuptoj se prindërit përballen me përgjegjësi dhe angazhime të shumta gjatë ditës. Për këtë arsye, kujdesi pas shkollës dhe organizimi i përditshmërisë së fëmijëve janë pjesë e rëndësishme e konceptit tonë. Ushqimi dhe transporti, sipas shërbimeve të përfshira në paketën e zgjedhur, synojnë t’ua lehtësojnë prindërve organizimin dhe t’u ofrojnë fëmijëve një rutinë më të strukturuar. Motoja jonë, “No Stress në Monad për fëmijët”, shpreh pikërisht këtë dëshirë: të krijojmë kushte ku të mësuarit të jetë një proces më i qetë, më pozitiv dhe më kuptimplotë.
Si kujdeseni që çdo fëmijë të marrë vëmendjen dhe mbështetjen e nevojshme, duke pasur parasysh se nevojat dhe ritmi i të nxënit ndryshojnë nga një nxënës tek tjetri?
Pikënisja ime është se nuk ka dy fëmijë të njëjtë. Ata ndryshojnë në mënyrën se si kuptojnë, në ritmin me të cilin mësojnë, në interesat që kanë dhe në mënyrën se si reagojnë përballë vështirësive. Prandaj, është e rëndësishme të kuptojmë se ku ka nevojë për më shumë mbështetje secili nxënës, në vend që të presim që të gjithë të ecin me të njëjtin ritëm. Një fëmijë mund të ketë nevojë për më shumë ushtrime, një tjetër për një shpjegim ndryshe, ndërsa një tjetër mund të ketë nevojë për më shumë inkurajim, në mënyrë që të fitojë besim te vetja. Synimi ynë është të ndërtojmë një marrëdhënie mbështetëse me çdo fëmijë, si dhe një komunikim e bashkëpunim të mirë me prindërit, sepse kjo ndihmon në krijimin e një mbështetjeje më të qëndrueshme për zhvillimin e tyre. Nuk dua që fëmijët ta matin vlerën e tyre duke u krahasuar me njëri-tjetrin. Dua që ata të mësojnë të vlerësojnë përparimin e tyre dhe të kuptojnë se gabimi nuk është dështim, por pjesë e natyrshme e procesit të të nxënit.

Cili është vizioni juaj për zhvillimin e MONAD Center në të ardhmen dhe çfarë dëshironi t’u ofroni më shumë fëmijëve dhe prindërve?
Vizioni im për MONAD Center është që ajo të zhvillohet si një qendër edukimi që ruan identitetin dhe filozofinë me të cilën u krijua, ndërsa zgjeron gradualisht mundësitë që u ofron fëmijëve. Dëshiroj që, përveç mbështetjes akademike, fëmijët të kenë gjithnjë e më shumë mundësi për të eksploruar kreativitetin, artin, gjuhët e huaja dhe aftësitë praktike. Dua që ata të zbulojnë talentet e tyre, të zhvillojnë kureshtjen dhe të fitojnë pavarësi në të menduar dhe në të vepruar.
Për mua, rritja e një qendre nuk matet vetëm me numrin e nxënësve apo me rezultatet akademike. Ajo matet mbi të gjitha me ndikimin që lë te fëmijët, me mënyrën se si ata fitojnë siguri në vetvete, përballen me sfidat dhe ndërtojnë marrëdhënien e tyre me dijen. Nëse arrijmë që fëmijët ta shohin të nxënit jo si një detyrim, por si një mundësi për t’u rritur, atëherë do të kemi realizuar një pjesë shumë të rëndësishme të misionit tonë.
Një fëmijë shkëlqen kur mëson me dëshirë, jo nën detyrim dhe presion. Dëshira ime është që MONAD të jetë një vend ku fëmija jo vetëm përgatitet për shkollën, por edhe për jetën.


Adresa: Parku Kombëtar, Liqeni Artificial i Tiranës
Cel: +355 69 833 4445
Instagram monad_center
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

