Në fokus

December 24, 2019 | 8:02

Jini të sjellshëm me veten!

Kur njerëzit përjetojnë një dështim, kanë tendencën të reagojnë në dy mënyra. Nga njëra anë, ka njerëz që e vënë veten në pozita mbrojtjeje dhe fillojnë t’ia hedhin fajin të tjerëve. Nga ana tjetër, ka njerëz që fillojnë të fajësojnë dhe keqgjykojnë veten. Fatkeqësisht, asnjë nga këto dy reagime nuk është veçanërisht i dobishëm.

T’ua hedhësh fajin të tjerëve, mund të shërbejë për të ruajtur vetëbesimin dhe për të mbajtur nën kontroll ndjenjën e dështimit, por nuk na ndihmon të mësojmë asgjë të dobishme për të ardhmen. Ndërsa vetëfajësimi, mund të na formojë një këndvështrim kaq negativ të vetes, saqë të dëmtojë vullnetin dhe aftësinë për t’u rritur e përmirësuar.

Por, kur janë të tjerët ata që gabojnë, e dimë me saktësi se cila është gjëja më e mirë që duhet bërë: në pjesën më të madhe të rasteve, jemi të sjellshëm, mirëkuptues dhe inkurajues. Me termin “self-compassion“, vështirësisht i përthyeshëm në shqip, nënkuptohet aftësia për të drejtuar këto sjellje pozitive edhe kundrejt vetes.

Përparësitë e kësaj sjelljeje

Fuqia e të qenit të sjellshëm e të mirëkuptueshëm me veten, ka treguar se njerëzit me një nivel të lartë vetë-dhembshurie kanë motivim më të madh për t’u përmirësuar dhe një ndjenjë më të fortë vërtetësie: dy faktorë që janë shumë të rëndësishëm, mes të tjerash, në aftësinë e njerëzve për të pasur sukses në punë. 

Shpesh na thuhet se rritja dhe përmirësimi i vetes kërkojnë vendosmëri, këmbëngulje dhe shumë punë. Por i gjithë procesi fillon nga një fazë reflektimi. Nuk mund të përmirësohemi nëse nuk kemi aftësinë për të bërë një vlerësim realist të vetvetes dhe të burimeve tona. Studimet tregojnë se njerëzit që kanë dhuntinë e vetë-dhembshurisë janë ata që kanë një këndvështrim më të vërtetë për veten dhe, njëkohësisht, janë më të motivuar të përmirësohen, shumë më tepër se sa njerëzit me vetëbesim të lartë.

Kush do veten është më i prirur të rritet

Vetë-dhembshuri nuk do të thotë vetëm ndjenjë empatie dhe mirëkuptimi kur gabojmë apo dështojmë në një fushë të caktuar, por ndihmon për të zhvilluar një ‘mentalitet rritjeje’ (a growth mindset). Thënë më thjeshtë: një sjellje mendore, performancë personale dhe profesionale jo fikse dhe statike, por dinamike dhe të hapur ndaj ndryshimit. Njerëzit me sjellje ‘fikse’ kanë tendencën të shohin karakteristika të vetes dhe të të tjerëve, si: të dhëna të pandryshueshme, ndërsa njerëzit me një sjellje të hapur besojnë në mundësinë për të përmirësuar dhe për t’u përmirësuar, prandaj janë më të prirur të provojnë diçka të re.

Duke u kthyer në fushën profesionale, njerëzit me mentalitet të hapur, shfaqin këmbëngulje më të madhe për të provuar dhe për t’u përmirësuar pas çdo përshtypjeje negative që marrin, ndërsa të tjerët kanë prirjen të besojnë se nuk ia vlen të sforcohen kaq shumë, duke qenë se natyra e tyre është e pandryshueshme.

Kush do veten është më besnik me veten

Vetë-dhembshuria lidhet pozitivisht edhe me një tjetër faktor të rëndësishëm për suksesin në punë: origjinalitetin. Edhe këtu, studiuesit kanë bërë një eksperiment nëpërmjet një testi që tregonte, ditë pas dite, nivelin e vetë-dhembshurisë dhe origjinalitetit të perceptuar nga pjesëmarrësit e studimit. Në fund, studiuesit kanë zbuluar se këta dy faktorë janë ngushtësisht të lidhur me njëri-tjetrin.

Edhe një herë vetë-dhembshuria duket se dominon mbi vetëbesimin, sepse personat, të cilëve u kërkohet të shprehin mirëkuptim për dobësitë e veta, ndihen më pas më afër vetes, sesa ata, të cilëve u kërkohet vetëm të listojnë pjesët pozitive të karakterit të tyre.

Njerëzit më të vërtetë, më të vetëdijshëm për veten, janë ata që ia dalin më mirë të jenë të aftë në punë, të kënaqin më shumë me performancën e tyre dhe për pasojë, të kenë më shumë sukses.

 

 

Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 144

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top