Këshilla & Arsye

September 8, 2020 | 8:04

Juliana Dulla: Ankthi, të zgjedhësh trajtimin e duhur! Si të çlirohesh nga mendimet negative

 

Çrregullimet e ankthit ndikojnë ndjeshëm, dhe sigurisht që ç’ekuilibrojnë jetën e individit. Por, nëse kërkohet ndihmë që në momentet e para të shfaqjes së simptomave, normalisht që edhe trajtimi do të jetë më i lehtë dhe siguron më tepër sukses gjatë terapisë.

Juliana Dulla, Master Shkencor, psikologe këshillimi, psikoterapiste EMDR, Niv.1

Juliana Dulla, Master Shkencor, psikologe këshillimi, psikoterapiste EMDR, Niv.1

Është parë që 80% e rasteve të cilët vuajnë nga ankthi, i përgjigjen shumë mirë kombinimit të terapisë me medikamente dhe psikoterapi. Gjithmonë e më shumë po kryhen studime për të parë dhe krahasuar njëkohësisht rezultatet e trajtimit me strategji e teknika të ndryshme, me qëllimin për t’u ardhur në ndihmë këtyre individëve. Për arsye se çrregullimet e ankthit kanë mjaft veçori të përbashkëta, ato mund të trajtohen nga të njëjtat teknika dhe sisteme terapeutike duke vepruar mjaft mirë tek të gjithë tipat e këtyre çrregullimeve.

Për shembull, terapia kognitive-bihejviorale vepron shumë mirë tek: çrregullimet e panikut, ankthi social, çrregullimin e ankthit të përgjithësuar, çrregullimin obsesiv kompulsiv dhe fobinë e thjeshtë. Kjo terapi është kombinim i strategjive me teknika të ndryshme për të ndihmuar personat të cilët vuajnë nga ankthi. I ndihmon ata të ndryshojnë mënyrën e të menduarit dhe të vepruarit duke iu përgjigjur frikës që kanë.

Mendimet kanë ndikim të madh në jetën e çdokujt. Ato ndikojnë në mënyrën se si ndihet dhe se çfarë bën në të përditshmen një individ. Terapia përqendrohet në pikën më kryesore, e cila është ndihma që i jep klientit të mësojë si të njohë mendimet dhe besimet e paarsyeshme dhe t’i zëvendësojë ato me mendime e besime të arsyeshme.

1

Gjatë seancave terapeutike mund të përdoren mjaft teknika e strategji për të përfunduar një terapi me sukses. Ai mund të kërkojë dhe inkurajojë klientin që t’i kushtojë vëmendje mendimeve negative të cilat i shfaqen gjatë ditës dhe ta përjetojë ndjesinë e tyre në vend që t’i shmangë apo ngjeshë.

Një pikë tjetër kryesore është ku klienti përqendrohet për të identifikuar se kush janë nxitësit, të cilët mund të jenë: mendimet, situatat apo ndjesitë fizike, që e çojnë në situata paniku apo ankthi, me qëllim që t’u kushtojë sa më pak rëndësi atyre. Individët që vuajnë nga obsesionet (mendimet) i mësohet si t’i ndalojë këto mendime e gradualisht e përball me “mikrobin” në rastin e obsesivëve.

Dikush që vuan nga fobia specifike mund të imagjinojë takime me objektin ose situatën e frikshme deri në momentin që është në gjendje të përballet realisht me frikën. Si strategji tjetër mund të përdoret edhe zëvendësimi i shprehjes shqetësuese që ngrenë shpesh këta klientë: “Po nëse”?  Dhe për ta zhvlerësuar këtë shprehje atyre u mësohet ta zëvendësojnë. Për shembull: Po nëse më zë paniku në radhë duke pritur? Unë mund të iki gjithsesi. Po nëse më bie të fikët?  Nëse kjo më ndodh, do më ndihmojë dikush.

Terapia konjitiv-bihejviorale konsiston në fuqinë e të menduarit për një ndikim sa më pozitiv te ndjenjat dhe veprimet e individit. Teknikat dhe strategjitë e CBT-së gjithmonë përdoren dhe përshtaten në varësi të rasteve dhe problemit që klienti ka. Çdo rast trajtohet në mënyrë të veçantë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top