Radiografi

July 20, 2018 | 9:37

Juliana Maçi: Chloè spa & beauty, dashuri me shikim të parë

Nga Orjona TRESA / Foto Vlasov SULAJ

Një ëndërr mund të mbesë aty, të venitet në çaste dremitjesh a gjumi të thellë, e imazhet e saj të mos i kujtosh më kurrë. Por e njëjta ëndërr, trajtësohet e merr formë nëse e sjell në mendje vazhdimisht e për më tepër kur e ushqen me ide të reja në tentativën e epërme për ta bërë të duket gjithçka e vërtetë. Sepse ndodh që një ëndërr, krejt ireale dhe delirante deri në absurd, të bëhet e prekshme, për të të dhënë po atë lumturi që ke përjetuar në gjumin e ëmbël të netëve më parë.

Ky ish një udhëtim i bukur, i realizimit dhe performancës në pjekuri kundrejt një dashurie të hershme. Me pak mund, sakrifica e këmbëngulje, ëndrra u bë realitet, sepse në fund të fundit ajo ish ëndrra që kishte shoqëruar jetën e saj. Në pikëtakimet e dikurshme në vijë lineare të mjegulluar, ku shfaqeshin njerëz me pamje të ç’fokusuar, tanimë i duhet të jetë e pranishme. Këtë herë fytyrat janë krejt të qarta ndërsa i duhet të përballet me ta. Kjo e ka plotësuar në vazhdimësi, duke i falur adrenalinë dhe motivim njëkohësisht. Nuk do ta besonte kush se nga jashtë, një ambient i bardhë, i pastër, me treguesit e brendshëm në miniaturë, e nga jashtë me një tabelë të madhe evidentuese “Chloè”, të ngrihej një institut bukurie luksi, gati një “perandori” e pabesueshme. E natyrshëm, brendia, një oaz paqeje dhe qetësie, kish marrë formën që e bëri ta dashurojë fort pas gjithë punës e sforcimit për një institut bukurie me ide e përmbajtje krejt moderne.

Juliana Maçi, sipërmarrësja e këtij investimi “të çmendur”, e dinte se do t’ia dilte. Të besuarit tek aftësitë vetjake, shqisa femërore që dikton me nuhatje pritshmëritë, e bënë të ngrejë një institucion të mirëfilltë, me të gjitha llojet e shërbimeve. Teksa hyra në labirintin e ndërtuar mbi disa koncepte bazë, sepse qendra është punuar me arkitekt imazherik të fushës, mikpritja u regjistrua në vëmendjen time, si hapi i parë i një shërbimi model. Natyrisht, sepse të kërkosh për një vend të tillë, pse ta mohoj, duhet ca kohë për ta gjetur, e për më tepër të gjesh dhe veten tënde aty brenda. Lirshëm pyes se sa nënndarje ka kjo hapësirë e madhe, trekatëshe. Përgjigja konsiston: 600 metër katror, ku përfshihen shërbime parukerie, estetikë, spa, masazheri terapeutike/relaksi, fizioterapi, shërbime kurative, palestër për ushtrime fizike sipas teknikave më në trend e natyrisht kurset e vallëzimit klasik, që është dhe pika e dobët e njeriut që e krijoi këtë parajsë. Pra gjithçka e mundshme.

Juli, siç e thërrasin miqtë, tanimë ka një vend ftues, ku çdokush mund t’i dhurojë vetes shërbimet më të nevojshme dhe tepër të dobishme për mirëqenien e njeriut. Në krah ka një mike të fortë, Marçelën, e të dyja bashkë me “armët” që kanë do të pushtojnë territore të reja, e padyshim e gjitha kjo do ta shndërrojnë këtë institut të ri bukurie në Tiranë, në një nga qendrat më të preferuar sipas pritshmërive që ai ka.

Të besosh tek ëndrrat!

Për një ëndërrimtare “të sëmurë”, gjithçka është e realizueshme. Juli e pohon vetë kur thotë se: “Asnjëherë në jetë nuk kam menduar që një ëndërr të mbetet e parealizuar. Por kjo ndodh, pa deliruar dhe pa kaluar limitet e tua, sepse të njohësh limitet, është gjëja më e mirë që çdo njeri mund të ketë. Kjo të ndihmon në çdo lloj fushe”. Gjithë jetës kish menduar për hapjen e një palestre të madhe, jo thjeshtë një SPA apo qendër masazhi. Kjo për të mos vijuar ndërtimin e klisheve që ka hasur vendi gjithë këta vjet.

“Këtu kam ndërtuar një institut bukurie. Gjithçka është këtu brenda, përfaqëson markat më të mira të Italisë. Janë importuar nga jashtë që nga pasqyrat, poltronet, produktet, ashtu sikundër dhe ndriçimi. Me këtë kam dashur të tregoj që e dua dritën e diellit pa ndikimin që mund të sjellin spa-të e tipit me ndriçim të zbehtë, stil oriental, të cilat japin një efekt gati-gati negativ.  

Në pjesën sipër, në katin e dytë, ku është pjesa e spa-së shumicën e shtretërve, të ambienteve ose kabinave siç quhen në gjuhën e spa-ve janë me rituale: balte, termale, aromaterapi. Pjesa tjetër është një dhomë mjeku reumatolog, një dhomë mjeku fizioterapist, një tjetër mjeku dermatolog, pasi çdo shërbim duhet bërë përmes testeve që kryen vetëm nën mbikëqyrjen e specialistit të fushës. Një herë në javë bëhet testi i lëkurës, i cili është falas, që klientët të mos marrin trajtimin që nuk i përshtatet për llojin e lëkurës, pasi mund të ndodhë të jenë alergjikë. Edhe në lidhje me masazhet, të cilat ndiqen nga mjeku specialist, ku veç të tjerave ndiqen dhe nënat shtatzëna me teknika të veçanta të fushës. Kjo hapësirë është gjithmonë me ofertë, pasi është një lloj shpërblimi që ua dhurojmë nënave në pritje të ëmbël”.

E në këtë oaz paqeje e qetësie ta pakushtëzuar, Juli pohon me bindje se: “Chloè ishte dashuri me shikim të parë. E adhuroj si qendër, e kam bërë ashtu siç kam dashur vetë. Gjithçka që prek këtu është ide e imja.  Gjithçka që jam munduar të fus këtu brenda është risi. Që nga produktet, të cilat janë të gjitha BIO të markës Philip Martins”. Çdo gjë ka lidhje me bukurinë, relaksin, çlirimin e energjive negative dhe rimarrjen e pozitivitetit. Por, sepse kështu duhet të funksionojë që një institut i tillë të ketë rezultate. “Spa-ja është një gjë shumë e bukur. Unë vetë jam frekuentuese e rregullt e saj. Jam gati manjake e gjërave që kanë lidhje me bukurinë dhe automatikisht është diçka që më pëlqen ta bëj”.

Pse Chloè?

Pakkush do ta besonte të kishte një degëzim të tillë edhe në formën e instituteve të bukurisë, sepse përgjithësisht është një markë e njohur për parfume, aksesorë e të tilla si këto. Por për Julin rastësia ishte mbret i çudisë. “Është pagëzuar vetë. Ne, bashkë me miken time të ngushtë, kishim në mendje njëmijë e një emra. Kërkuam në internet, bëmë letra me vrimë e nuk na mbushej mendja. Një ditë të bukur, pasi e kishim marrë si ambient e po shijonim një kafe së bashku, diku mënjanë ishte një kolltuk i prishur, që kish mbetur nga qendra e vjetër. Në një nga dhomat e saj, në errësirë, teksa do hyja deri në fund për ta parë se çfarë kishte dhe për ta zbrazur, pengohem me një objekt. Ishte një tabele ku shkruhej “Chloè Butik”. U pamë në sy me mikeshën dhe aty u morëm vesh. Ishte ogur për institutin që mban sot të njëjtin emër, duke gdhendur mbi të vetëm pjesën Spa&Beauty”.

Chloè, oaz i mirëqenies

Ndërsa hapësira në katin e parë i është përkushtuar parukerisë, një ambient i konsiderueshëm, gjithë dritë dhe funksional mes 4 poltronëve të shërbimit, 2 njësive me linjën e gjithfarëllojshme të kremrave Philip Martins, bart në aneksin gjithaq të rëndësishëm, njehsimin e produkteve dhe trajtueshmërinë e tyre sipas testimit të përdorur në formë prove mbi lëkurën e klientit. Mandej, në korridorin e ndërmjetëm me parukërinë dhe informacionin, në katër shkallë të vogla shkëputesh për të dalë te një hapësirë që është thembra e Akilit për të zonjën e këtij investimi serioz. Palestra dhe salla e baletit, të gërshetuara në formën më të mirë sa i takon nevojës së klientëve për të ushtruar aktivitetet fizik sipas teknikave të ndryshme, aparaturave dhe veglave stërvitëse që ndihmojnë në riekuilibrimin e mirëqenies fizike.

Në këtë ambient të bardhë, shtruar në dy faqe me pasqyra, kornizuar në një të dytën e gjatësisë me zbarrën e dancit, e përfunduar në faqen e tretë murale me po kaq të rëndësishmen në rrugëtimin e saj të dikurshëm si balerinë, me shkallën suedeze. Për këtë pjesë Juli thotë se nuk është më thjesht një nostalgji që i përket të shkuarës, por një e tashme që do të gëzojë dhe shumë të interesuar pas kësaj gjinie artistike, siç është vallëzimi klasik. “Në këtë organizim, kam bashkëpunim me Dorina Memën, si personal trajner, dhe me Rudina Xhajën, kampione e atletikës. Të dyja do të punojnë në profilet e tyre, të cilat janë të ndryshme. Sa i takon baletit, do jap edhe vet kontribut pasi kam shumë sy për të dalluar një balerinë klasike. Ky është oazi i paqes për mua, ku do ketë mësime vallëzimi edhe për çiftet e reja, ato që do martohen, apo për ata që e kërkojnë si kulturë”.

E në këtë angazhim serioz padyshim që zëri mbështetës dhe ai që i mundësoi njohjen me formën e njohur italiane Philip Martins, ishte Gabriele, përfaqësuesi ekskluziv i firmës dhe njëherësh distributor i Juliana Maçit. “E kam gjithaq një mik shumë të mirë, i cili miqësisht më ka ndihmuar duke montuar shtretërit, ka vënë vida, priza pa asnjë lloj kompleksi. Dora e tij ka prekur çdo gjë, që nga arredimi, duke parë në fabrika të ndryshme të Italisë dizenjo për një performancë sa më të mirë timen dhe bëri realitet atë që unë i kisha kërkuar”.

Çfarë do të gjeni pranë Chloè?

Takimi i parë nis në orën 10:00. Është orari që ndikon në mirëfunksionimin e institutit, sepse shërbimet për natyrën që kanë, duan një kohë të vetën. “Kam një krah të djathtë, Marçelën, menaxheren e institutit. Organizojmë ditën sipas prenotimeve të një nate më parë, ndofta një jave, varësisht axhendës. Krijojmë kushtet më të mira në ambientet e institutit dhe jemi gati për të mirëpritur të interesuarit, sipas shërbimeve të ndryshme që mund të jenë: mesazhe relaksi, shërbim estetik të trupit, që nga scrub-et, maskat, etj. Janë tri ambiente të mëdha, që funksionojnë ndryshe nga qendrat e tjera. Është gjithçka organike dhe biologjike. Nuk kemi asnjë preparat me kimikate.

Të gjitha janë bio, që nga shampot deri te deodorantet. Përdorim shumë edhe kënanë, të ngjyrave të ndryshme, përfshirë dhe neutralen, të cilat janë të njohura si ushqyesit më të mirë për flokun. Kemi scrub organik për kokën, desifektantë të skalpit për persona që kanë sëmundje të lëkurës. Sigurisht dhe produkte për trajtime patologjike, të cilat nuk janë medikamente, siç janë ato për probleme të zbokthit, dermatite. Me kremrat e fytyrës, përveç trajtimeve që bëhen këtu, kemi produkte që ua japim me vete klientit. 

Por, sipas mendimit tim personal, në institut ku kam të drejtën të përzgjedh një produkt, që do ta quaja “Kalin e betejës”, mbi tërë linjën e kremrave, është produkti i kaviales, i cili është TOP i të gjitha produkteve që janë në treg. Është krem rigjenerues, antirudhë, i fal butësi lëkurës në mënyrë imediate. Unë jam e para që e kam provuar, pasi jam shumë kurioze”.

E nga ky rrugëtim ambicioz, padyshim ka zbuluar diçka më shumë te vetja mbi pasionin. “Gjatë jetës time kam qenë e drejtpërdrejtë, gati në moskokëçarje. Kohët e fundit, që kur kam hapur këtë institut më ka pëlqyer një shprehje e Philip Martins, e mendoj që kjo ka qenë moto ime gjatë gjithë jetës, që nuk e kisha ditur. ‘Ne nuk duam t’u pëlqejmë nga pak të gjithëve, por një pakice, shumë’. Nuk do të doja që të isha një person që t’u pëlqeja të gjithëve, ashtu si dhe instituti, por atyre që t’ju pëlqente vërtetë”.

Më shumë për Juliana Maçin

Më pëlqeu impakti i parë në bashkëbisedimin me ju; pjesa e të qenit e drejtpërdrejtë dhe e vërtetësisë, që jo shumë njerëz i karakterizon, veçanërisht për kohët që flasim. Çfarë është për ju të qenit e vërtetë?

Më ka ndikuar shumë shpesh, në të keq, jo në të mirë. Më ka penalizuar të qenit e vërtetë, pasi kjo botë ka pësuar goxha ndryshime. Njerëzit nuk shfaqen ata që janë në të vërtetë. Unë e konsideroj veten person me fat, pasi nuk jam një natyrë që e vras mendjen se çfarë thuhet ose çfarë mendon dikush për mua. Gjithsesi, ne jetojmë në një vend të vështirë, sidomos në këtë fushë që kam hyrë tani, ku është një treg po kaq vështirë.

Sa ju ka ndihmuar vërtetësia për të arritur gjërat që keni dashur?

Vërtetësia asnjëherë nuk ndihmon që në fillim. Ajo do kohën e vet. Të qenit e vërtetë më ka ndihmuar me miqësitë. Unë jam selektive, por miket e mia kanë siguri tek unë, ka siguri bashkëshorti dhe të gjithë njerëzit që më rrethojnë këtë vërtetësi ma njohin. Gjëja më e tmerrshme që do të më ndodhte në jetë do të ishte të bëja diçka për t’u fshehur, si dhe gënjeshtra, gjëja që do të më vriste më shumë. Do të pranoja një të vërtetë të hidhur, se sa një gënjeshtër nga dikush.

Sa të fortë ju ka bërë?

Shumë. Unë jam natyrë shumë këmbëngulëse, por ajo që më karakterizon vërtet, është se kam personalitet ekstremisht të fortë.

Sa të vetëdijshme të ka bërë jeta?

Mendoj që gjatë jetës sime, në çdo moment, çfarë kam dashur ia kam dalë. Si natyrë jam pak e vështirë, që dikush të më hyjë në zemër, por pasi kjo ka ndodhur është shumë e vështirë të më dalë. Kam shumë vështirësi t’i besoj dikujt diçka timen. Megjithatë nuk jam njësoj me të gjithë. Kam shumë pak miq, dhe ato që kam, i ruaj gjatë gjithë jetës.

Juli, si ndihesh ti sot, pas një përvoje si ish-balerinë, juriste? Si i ke gërshetuar këto dy profesione?

Gjithë rininë e kam kaluar si balerinë. Kam kërcyer në TKOB e pothuaj në të gjitha ansamblet ku më është dhënë mundësia të shoh botën jashtë në një moshë fare të re. Të qenit balerinë ka qenë një pasion. Kam qenë dhe njeri me fat, pasi kam pasur mbështetje nga personazhet e botës së artit. Mbase atëherë ashtu ishin kohët e megjithatë ruaj kujtimet më të bukura të jetës sime, që nga miqësitë me Çesk Zadenë, të cilin e kam pasur si baba, tek Ilir Kerni, Agron Aliaj, Albana Sulejmani etj.

Të ndjekin pas këto kujtime të bukura dhe sa ju ndihmojnë për t’u shkëputur nga rutina e përditshme?

Më ndihmojnë shumë, aq sa herë pas here u rikthehem miqësive të vjetra. Me të gjithë miqtë e mi që vazhdojnë të jenë në fushën e artit, unë kam kontakte e kjo më ndihmon për të vazhduar me pjesën tjetër të juristes, që do një karakter tjetër. Mua më përmbushin: njëra në aspektin e asaj që më mungon dhe tjetra në aspektin e asaj që më tërheq.

Arti të bën të ndihesh bukur. Po drejtësia?

Absolutisht, po. Për të qenë e saktë, në shtator kam marrë licencën e avokatit, për të cilën jam sforcuar shumë, pasi më është dashur të lexoj pafund. Duke parë që në Shqipëri asnjëherë nuk fillon një profesion dhe përfundon me atë, jeta më ka mësuar këtë. Ka qenë zgjedhje që më ka munduar, megjithatë, përmes saj i kam dhënë kohë familjes, fëmijëve, dy vajzave që i kam në moshën 16 (Greisi) dhe 8 vjeçe (Deisi), të cilave u kam qëndruar pranë gjatë gjithë periudhës së rritjes. Kam punuar me periudha si juriste. Kam lexuar pafund, kam studiuar gjuhë të huaja. Nuk jam natyrë që rri tërë kohën në një vend.

Prireni pas modeleve?

Asnjëherë, jam vetvetja në të gjitha zgjedhjet që kam bërë. Nuk më pëlqejnë modelet. Paralelisht me karrierën, për një femër A-ja është familja.

Si e keni gjetur kohën për t’i bërë mirë të gjitha rolet?

Që nga heqja dorë nga profesioni në fillim, të të kërcyerit, ndenja me periudha të gjata pa punë për rritjen e vajzave, janë faktorë që unë kam qenë e pranishme në gjithçka. Vazhdoj të jem e tillë pasi dhe teknologjia mundëson.

Sa e rëndësishme është për një nënë të jetë e vetëdijshme për gjithçka ndodh, duke mos ia kufizuar lirinë e rritjes fëmijës?

Është jetike, shumë e rëndësishme. Unë jam për balancë. Nuk kam qenë kurrë as për nënat martire, për të fshirë veten nga gjithçka për hir të rritjes së fëmijës dhe anasjelltas. Një grua është e plotësuar kur i kryen të dyja rolet, kur është e kënaqur me veten, por kur shikon dhe fëmijën e kënaqur, pasi dhe ai ndihet mirë kur e sheh prindin të lumtur, të realizuar. Më kanë pasur gjithmonë model, më quajnë pak të guximshme. Çfarëdo që të jetë e vështirë për t’u bërë, e bën mami im, thotë më e vogla.

Në jetën bashkëshortore, çfarë ju plotëson dhe ju bind se të ecësh përpara ka nevojë për disa cilësi?

E kam menduar ndryshe në periudha të ndryshme. Në rininë e hershme kam menduar se mjaftonte dashuria, më vonë e kam menduar që jo, duhen dhe fëmijët, duhet të ndërtohet një familje. Ndërsa tani, vërtetësia. Vazhdoj të këmbëngul tek ajo, vërtetësia, te mbështetja, falja, mirëkuptimi. Vërtetësia është ajo që ndan gjërat, e mirë apo e keqe qoftë. Në qoftë se gjërat thuhen, sidomos në familje, është domosdoshmëri jetike. Sigurisht dhe guxim për të thënë atë që mendon.

Juli e ke shumë të zhvilluar shqisën e gjashtë?

Mbase kjo më ka ndihmuar në jetë. Aftësia ime më e madhe që më ka karakterizuar dhe që e quaj pikën time më të fortë fare, aftësia për të njohur njerëzit në lëkurë. Kjo më ka ndihmuar që unë të mos kem pasur shumë zhgënjime në jetë. Mundohem të jap besim edhe aty ku nuk duhet, por e bëj për t’i dhënë një shans tjetrit, edhe pse jam gati e garantuar për finalen.

Gjërat e vogla për të mbajtur gjallë romancën, si funksionon tek ju?

Nuk i besoj Shën Valentinit dhe festave. Për mendimin qoftë puthja apo dhurata duhet të vijë në një moment kur ka nevojë shpirtërore. Këtë e bëjnë njerëzit e zgjuar. Më duket false kur gjatë vitit gruaja dhunohet apo fyhet, e ditën e Shën Valentinit merr një kuti çokollatash apo lule, dhurata klishe. Urrej të më sjellin lule. Më irritojnë persona të cilët përdorin festën për të bërë të mirin në një ditë në vit. Me sinqeritet do preferoja të rrija në shtëpi.

Po për klientët si e ke menduar organizimin në 365 që herë pas here duhet të bëjmë gjëra alternuese dhe argëtuese?

Sidomos për çiftet, aty kemi pikën tonë më të fortë dhe kënaqësia jonë më e madhe është kur vijnë çift. I gjithë stafi përkushtohet për t’i krijuar ambient çiftit. Që nga qirinjtë e ndezur, edhe pse mund të kenë bërë pagesën për një shërbim të caktuar, ne i ofrojmë falas një scrab për fytyrën, shampanjën, çajra dhe fruta për ta bërë sa më intime dhe të këndshme takimin mes të dyve. Kemi bërë dhoma apostafat për një çift ku kemi vënë xhakuzi, e mbushim me petale, bëjmë shërbimin e banjës Kleopatra me qumësht, që do të thotë se për një çift dy-tre orë për një SPA të organizohet në një mënyrë shumë të këndshme, ku mund të ndikojë dhe në afrimitetin ndërmjet tyre.

Po në ditët e tjera të vitit?

Kemi gjithçka gati për arredimin e institutit në Ditën e Shën Valentinit, qirinj të kuq, zemra, petale trëndafili, për një atmosferë sa më festive, ndërkohë që stafi po organizohet e po merret Marçela. Unë do preferoja që ato çifte që do vinin këtu për Shën Valentin, në fakt të ishin frekuentues sistematik të qendrës, fundjavave, ose të herëpashershme, pasi aty do ta dalloja që do të ishin një çift i vërtetë, i konsoliduar.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 128

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top