Në fokus

July 20, 2018 | 9:58

Nga Arkida Hoxhaj: Edhe një herë për Sindromën e Stokholmit, të qëndrojmë përballë realitetit, duke e parë atë drejtpërsëdrejti “në sy”

Ishte viti 1973 kur një tentativë për grabitjen e një banke në Stokholm të Suedisë përfundoi me marrjen peng të katër nëpunësve nga grabitësit e armatosur. Por, mos u nxitoni për ta cilësuar këtë ngjarje si një episod banal. Kjo për faktin se prej kësaj të fundit u evidentua një fenomen i rëndësishëm e mjaft i diskutuar, i cili ndryshoi në mënyrë të menjëhershme dhe rrënjësore rrjedhën e jetës së viktimave dhe dhunuesve të tyre.

Arkida Hoxhaj, MA Psikologji Klinike

Arkida Hoxhaj, MA Psikologji Klinike

Fillimisht u krijua, e më pas u pikas për opinionin publik një lidhje e fortë dhe e qëndrueshme mes dy palëve në dukje kundërshtare. Kjo pra ishte ngjarja nga e cila mori emrin Sindroma e Stokholmit, një fenomen psikologjik në dukje paradoksal, në të cilin viktimat ushqejnë simpati për pengmarrësit, e shndërrohen në një mburojë për ta. Për shumë prej nesh e gjitha kjo mund të tingëllojë si një sjellje komike dhe e pajustifikueshme njëkohësisht, e për më tepër nëse për të flitet nga individë të cilët kanë shumë pak ose aspak informacion lidhur me të.  Kjo “papërgjegjshmëri” e tyre na i paraqet këto situata më tepër komplekse nga ç’janë.

stokholmPër t’u futur më në brendësi do të ishte mirë që të përmendnim një faktor të cilin e vlerësojmë si një ndër më kryesorët në lidhjen e viktimës me dhunuesin. Ky është ndryshimi i mënyrës së jetesës (kalimi nga i lirë në viktimë) i cili e përgatit  individin me ide të tipit “jeta ime tashmë është në duart e dikujt tjetër”, “ndoshta nuk dal i/e gjallë nga kjo situatë”. Mospërputhja ndodh kur viktima ndeshet me veprime të cilat rrëzojnë plotësisht atë që ai kishte menduar se do të ndodhte shtuar dhe faktin se çfarë supozohet dhe pritet të ndodhë, kur secili prej nesh dëgjon që të flitet për pengmarrje (dhunë, pasiguri). Pra si konkluzion: pengmarrje + sjellje jo në përshtatje me situatën kërcënuese = ?.

Kjo mund të jetë një faktor kyç, që nuk bën gjë tjetër veçse e përgatit  njeriun të mendojë gjatë për rrjedhën që kanë marrë ngjarjet, për personin (pengmarrës) i cili po kujdeset për të më mirë sesa mund të sillet shpesh një i dashur si dhe për rrugët edhe mënyrat se si e si “të nxjerri pa lagur” “mbrojtësin” e saj.

Kështu, për rrjedhojë, mund të ndodhë që në vend që ta urrejë pengmarrësin, pengu në mënyrë të pavetëdijshme krijon lidhje me të me qëllimin që t’i mbijetojë situatës në të cilën ndodhet. Fakti tjetër që do të na bëjë të ndalim disi paragjykimet rezulton në shumëllojshmërinë e mjediseve në të cilat ndeshet kjo sindromë, ndër të cilët dhe ai familjar. Abuzuesi mund të jetë burri, gruaja, i dashuri ose e dashura, babai, nëna, etj.

Ajo që është tejet paradoksale ka të bëjë me faktin se pasi këto situata kanë përfunduar, disa nga individët të cilët kanë qenë të përfshirë në to shprehen që duan të rikthehen sërish në këto lidhje komplekse. Arrijnë deri aty sa bëhen xhelozë kur ish-dhunuesi i tyre krijon një lidhje të re në të cilën ushtron sërish autoritetin e tij. Disa prej tyre shprehen: “Unë e di që kjo tingëllon e çuditshme, por unë e dua atë përsëri”. Kjo tregon haptas se pasi jemi futur në këtë labirint pështjellimesh, dëshirojmë me gjithë forcën e shpirtit të hapim të gjitha dyert e tij, e pasi ta kemi bërë këtë të fundit mund të ndodhë që të ndalojmë tek dera e gabuar e cila na mbush me pasiguri, dilema na i bën jetën më të vështirë me ato çfarë përmban në brendësinë e saj. Të gjitha këto pikëpyetje duan një përgjigje, e kjo e fundit varet nga përfundimi që nxjerrim ne nga llogaritjet e bëra përmes pyetjes: “Kush do të triumfojë mendja përballë zemrës apo anasjelltas?”

sindromaNë kulturën tonë ne ndeshemi me përdorimin e thënies: ”Të rreh, se të do”. Kaq dendur dhe shpesh përdoret kjo shprehje saqë përveç “shakasë” brenda saj ekziston pasqyrimi që shumë prej nesh i bëjnë realitetit. Përmes kësaj thënieje mund të kuptojmë qartë se në këtë mënyrë ne kryejmë një detyrë me funksion të dyfishtë: Së pari, e zhveshim dhunuesin ose rrëmbyesin nga përgjegjësia, së dyti fillojmë ta shohim realitetin jo ashtu siç është, por ashtu siç duam apo na intereson që ta paraqesim.

Në psikologji për të pasqyruar konfliktin mes ndjenjës dhe mendimit, mes mendimit dhe veprimit ose mes ndjenjës dhe veprimit përdoret termi “disonancë kognitive”. Ky term ka kuptimin e një konflikti të brendshëm i cili kërkon zgjidhje. N.q.s mundohemi ta kuptojmë fenomenin disonancë kognitive në këtë kontekst ne do të na shfaqen haptas dy zgjedhje, njërën prej të cilave individi do të duhet ta ndërmarrë: Ose, do të vazhdojë të qëndrojë me dhunuesin, duke e justifikuar këtë të fundit, ose do të heqë dorë (do të shkëputet) nga kjo marrëdhënie. Duke qenë një konflikt individit do t’i duhet të zgjedhë njërin prej elementëve të sapopërmendur, që d.m.th t’i japë drejtim këtij konflikti , për më tepër që ruajtja gjatë e tij është psikologjikisht e papërballueshme për personin.

E sigurisht që elementi më i dobët do “të tkurret” përballë elementit më të fortë. Që do të thotë fitimtare në një rast të caktuar do të jetë ose mendja ose zemra, njëra do të udhëheqë duke “shtypur” tjetrën. Kështu duke ditur se kush element është më i fortë do të jemi dhe në gjendje të bëjmë një lloj parashikimi sesi do të rrjedhë ngjarja. P.sh: Viktima do të vazhdojë lidhjen me dhunuesin për arsye se mendon që ndjenjat e saj janë aq të forta saqë nuk do të ndalen përpara asgjëje që ai bën. Sepse në fund të fundit, ai ka zgjedhur të qëndrojë me të dhe jo me dikë tjetër në vendin e saj. Në këtë mënyrë bëhet modifikimi i elementit më të dobët, (që në këtë rast është sjellja e tij) e më pas përshtatja me elementin më të fortë (ndjenjat).

Ajo që ne si shoqëri bëjmë më së miri është të paragjykojnë dhe të vendosin paralelizma mes vetes dhe personit që gjendet në këtë situate, si p.sh: “Nuk e kuptoj si mund të vazhdosh me dikë të tillë, po të isha unë në vendin tënd nuk do qëndroja me të as edhe një sekondë”. Por përpara se ta themi këtë në fillim duhet të mendojmë për shoqërinë tonë maskiliste, duhet të përpiqemi ta shohim botën nga sytë e atyre që thonë dhe mendojnë sesa normale është që burri të komandojë, dhe gruaja të nënshtrohet.

Dhe më pas të përpiqemi të mendojmë sesi do të ishte po të përballeshim personalisht me një situatë të tillë ne sipërfaqe kërcënuese e në thellësi protektive. Prandaj në vend qe të flasim në mënyrë abstrakte, duhet të qëndrojmë përballë realitetit, duke e parë atë drejtpërsëdrejti “në sy”. E si përfundim sigurisht që çdokush mund të tundohej dhe do të do të mendonte se “qenka interesante kjo ngjyrosje ndjenjash për ta pasur qoftë dhe njëherë pjesë të shpirtit”.

Rastësisht mund të ndodhë që jeta jonë në një moment të caktuar “shkon për dreq”, e ky rrëmbim në fund të fundit solli diçka të re, praninë e një ndjenjë të cilën ne nuk e kishim hasur më parë si edhe “na u dhurua” një person i cili mendon kaq shumë për ne sa të na mbulojë kur kemi ftohtë, gjë të cilën shumë të tjerë nuk e kanë bërë për ne në situata të përditshme. E më pas nisim të pyesim veten “Kaq rëndësi kam për të?”,  “Kaq shumë isha në gjendje ta ndryshoja në një kohë kaq të shkurtër, po në një kohë më të gjatë sa është i aftë të bëjë ky person për mua?”

Ne individët e kësaj shoqërie i kemi vendosur syve një perde të errët, e cila nuk hapet kurrë deri në momentin që një situatë e caktuar na prek ne. Por asnjëherë nuk duhet të harrojmë se një gjest i thjeshtë në një situatë të jashtëzakonshme krijon valencë tejet të madhe. Valencë e cila na ndryshon rrënjësisht ne lidhur me mënyrën se si e shohim botën.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top