Në fokus

October 3, 2018 | 10:25

Nga Erinda Bani: Shkenca dhe praktika e faljes, shkaktarët dhe ndikimi i personalitetit

Falja ose të falësh dikë apo diçka përbën një nga momentet më të qenësishme dhe që mbetet në kujtesë për njeriun.

Erinda Bani Psikologe kliniciste

Erinda Bani
Psikologe kliniciste

Shohim dhe dëgjojmë shpesh për konflikte, ndarje, diskriminim, luftëra, debate. A është e mundur ta marrim me mend se sa të predispozuar janë njerëzit apo grupet e përfshira në këto mosmarrëveshje për ta falur njëri-tjetrin?  A mund të themi se të gjitha ndjesat apo shprehitë e të falurit që shohim e dëgjojmë, tregojnë se njerëzit po bëhen më të prirur për të falur?

Po çfarë është falja, mendim apo veprim, apo një proces i tërë? A e ndryshon njeriun ajo?

1Do të përpiqem të shtroj vetëm disa prej aspekteve të këtij procesi, sepse falja një proces, një ndryshim, në mendime, ndjenja, qëllime apo sjellje.

Studimi i procesit të të falurit ka marrë hov dhe vëmendje pas viteve 1980 në botën psikologjike e sociologjike. Deri atëherë, është folur për të shumë pak nga profesionistë të fushave të ndryshme shkencore, si Carl Jung, Karen Horney, Alfred Adler etj.

Historia e faljes në psikologji dhe shkencat sociale mund të ndahet në dy periudha. E para, nga vitet 1932-1980 konsiston në publikime teorike dhe një punë modeste empirike. Periudha e dytë, nga vitet ’80 e këtej, reflekton një konsideratë më serioze dhe intensive për konceptin e faljes.

Kërkimet shkencore mbi këtë proces janë rritur. Megjithatë nevojitet një përkufizim i faljes. Konceptualizimet individuale të profesionistëve janë të panumërta. Mund të biem dakord që t’i referohemi faljes si një konstrukt psikosocial me një karakter dyjar (dual): intrapersonal po aq sa edhe interpersonal.

Pra, faljen mund ta përkufizojmë si një ndryshim interpersonal dhe prosocial kundrejt një shkaktari të vendosur apo të gjendur në një kontekst interpersonal. Kur dikush fal një person që ka kryer një shkelje  ndaj tij, është ai që fal që ndryshon (më specifikisht në mendimet, ndjenjat, qëllimet dhe sjelljet e tij). Ndërkohë, falja ka ndodhur në përgjigje të një shkeljeje në një marrëdhënie interpersonale dhe ai që fal e bën këtë në lidhje me një person tjetër.

3Në vazhdim të kësaj ideje, është me rëndësi të marrim parasysh ndikimet fetare, kulturore dhe të situatave jetësore në të kuptuarin dhe përvojën personale të faljes. Falja është inkurajuar për qindra vjet nga besimet fetare më të mëdha në botë. Feja mund të themi se ka ndikimin e saj në proceset psikologjike të përfshira në faljen e dikujt apo diçkaje. Kjo në kuptimin që faljes në kontekstin fetar i atribuohen tipare hyjnore, ajo shikohet si një mjet që i ngjason dhe i afron me Zotin. Më tej, në kulturat e ndryshme fetare ofrohen modele të panumërta të njerëzve që kanë falur pavarësisht padrejtësive që iu janë bërë. Kjo nuk mund të jetë tjetër përveçse ndihmuese. Ndikimet kulturore japin kontributin e tyre gjithashtu. Në kulturën shqiptare falja, edhe pse në mungesë të studimeve të mirëfillta, shikohet si një vlerë, e cila vihet në praktikë jo aq shpesh sa do të ishte e nevojshme, pavarësisht konsideratave për të dhe propagandimit të saj.

Është e qartë sesi dinamikat e brendshme dhe ato interpersonale të faljes ndryshojnë në varësi të kontekstit kulturor sa edhe situatës së jetës së një personi, siç është mosha, gjinia, statusi martesor, statusi socio-ekonomik, shëndeti etj. Dinamikat e brendshme përfshijnë një të kuptuar të tipareve dhe trajtave të ndryshme të personalitetit të një personi.

2

N.q.s do t’i përmbledhim në tre fusha apo nivele kryesore do të flasim për:

a) tiparet e brendshme, ato karakteristika që përshkruajnë aspektet e përgjithshme dhe të vëzhgueshme të modeleve sjellore tipike të një personi. Edhe pse personi nuk është thjesht një përmbledhje tiparesh, kur vjen puna për të kuptuar një fenomen të shumëfishtë siç është mirëqenia subjektive, këto tipare janë të nevojshme, por jo të mjaftueshme.

b) çështjet dhe preokupimet personale, që përfshijnë plane, strategji dhe çështje që bëjnë të mundur që një person të zgjidhë detyra të ndryshme që i paraqiten ose të arrijë qëllime të rëndësishme në jetë.

c) historitë e ndryshme në jetë. Identiteti reflektohet në historitë që njerëzit ndërtojnë për t’u pajisur me një kuptim apo një qëllim në jetë. Pra, ka të bëjë me “ndërtimin” e vetes. Të tria këto fusha përbëjnë ato çfarë një njeri sjell nga vetja, në aspektin psikologjik, në një kontekst ku falja është një nga alternativat e reagimeve ndaj një situate apo personi tjetër.

Me fjalë të thjeshta, ekziston (dhe kjo mbetet për t’u hulumtuar më tej shkencërisht) një lidhje potenciale e faljes si konstrukt psikologjik, me cilësi të tjera të personalitetit siç janë empatia,  përulësia (thjeshtësia), mirënjohja, aftësia e menaxhimit të emocioneve apo dhe dëshira për të patur vetëm lidhje harmonioze me të tjerët.

Për ta mbyllur, dua të theksoj se falja është guri I themelit në njohjen dhe afirmimin e vetvetes. Në jetën e përditshme falja na shërben si një mjet me anë të të cilit ne pranojmë ndryshimet, situatat, botën, na ndihmon që ky proces të integrohet natyrshëm në personalitetin tonë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top