Në fokus

December 23, 2019 | 8:14

Kalojini pa stres festat e fundvitit!

Dhuratat që duhen blerë, zbukurimi dhe dekorimi i shtëpisë, vizita tek të afërmit, dreka dhe darka me familjarët… Festat e fundvitit mund të jenë më stresuese se sa një javë normale pune. Me disa këshilla, mund t’i thonë lehtësisht ‘lamtumirë’ stresit dhe t’i shijoni sa më shumë ditët e pushimit!

Presim gjithmonë me ankth festat e fundvitit, që të çlodhemi, të ngrihemi më vonë në mëngjes, të kalojmë më shumë kohë në shtëpi dhe me familjen, t’i kushtohemi blerjeve dhe të zbukurojmë shtëpinë për festa… Por, pothuajse gjithmonë, ëndrra për disa ditë të kaluara në relaks total në atmosferën e Krishtlindjes venitet dhe përfundojmë të zhgënjyer. Gjërat që duhen bërë janë me të vërtetë shumë, të afërmit janë pak të vështirë për t’u përballuar dhe na duket se punojmë shumë më tepër se sa kur jemi në zyrë.

Mundohuni të ndiqni disa rregulla të thjeshta për t’u çliruar nga stresi…

Mbani një listë me vete

Si fillim ju duhet pak rregull, që të mos mbingarkoheni në ditët para festave dhe të jeni ende në pikën e fillimit. Ndaj filloni të paktën dhjetë ditë para të shkruani listën e gjërave që duhet të bëni, e cila duhet të jetë e ndarë për dhuratat, drekat e darkat që do të organizoni, pastrimin dhe dekorimin e shtëpisë, vizitat dhe shkëmbim urimesh me të afërmit dhe të miqtë. Ndaj, nga kjo listë e zakonshme, bëni një tjetër më specifike dhe mundohuni të shkruani më në detaje gjërat që duhet të bëni. Para së gjithash, fjalët e shkruara e zeza mbi të bardhë do t’ju shërbejnë për të ridimensionuar detyrat, dhe për më tepër për t’ju ndihmuar të shpërndani detyrat dhe kohën që keni në dispozicion.

Përparësi dhe bashkëpunim

Nuk mund të mendoni se do t’ia dilni vetëm që të mbani nën kontroll çdo gjë. Listat ju shërbejnë edhe për të kuptuar se cilës gjë duhet t’i jepni përparësi, dhe mos harroni as të kërkoni ndihmë dhe bashkëpunim. Fëmijët mund të çojnë dhuratat te familjarët ose të zbukurojnë pemën dhe shtëpinë. Bashkëshorti mund të bashkëpunojë me ju për menunë e festave, duke bërë pazarin, dhe pse jo, edhe duke ju ndihmuar me gatimet.

Më shumë kohë bashkë

Shpesh, kur kaloni kohë në familje, të gjithë së bashku, ndodh që të grindeni e të keni keqkuptime, duke shkaktuar gjendje jo të mirë humori dhe tensione, të cilat mund të shkatërrojnë ditët e festave. Ndaj, përse të mos i lini për më vonë kritikat dhe t’i kushtoheni bisedave konstruktive? Ndodh që të mos jeni në humor të mirë për të bërë të gjitha punët, por ka shumë aktivitete që mund të kryeni me familjen: një vizitë në një qytet tjetër, një shëtitje edhe për të zbuluar një muze apo ekspozitë, një mbrëmje në restorant apo në kinema të gjithë së bashku… Shfrytëzojeni deri në fund mundësinë për të qëndruar bashkë me njerëzit më të dashur dhe shijoni gjërat më të bukura që mund të lindin. Festat zgjasin shumë pak, ndaj shijojini me njerëzit e dashur.

Dhurojini vetes pak relaks

Mendoni edhe për veten dhe mundohuni që të gjeni – ndoshta edhe në ditët pas festave, atëherë kur frenezia e përgatitjeve dhe gatimeve ka kaluar – ndonjë moment për të qëndruar vetëm. Kujdesuni për trupin, kushtojini disa orë mirëqenies dhe bukurisë suaj, duke provuar kremrat e produktet kozmetike që keni në dollapë dhe nuk i përdorni asnjëherë, sepse jeni gjithmonë me nxitim. Një kafe me mikeshat apo një shëtitje në qendër të qytetit janë ato që ju nevojiten për t’u qetësuar.

 

Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 138

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top