Dëshmi

May 21, 2018 | 12:24

Kampion kombëtar për herë të katërt, Llambi Pasku: Shahu është si jeta, asnjëherë nuk duhet të dorëzohesh!

Nga Orjona Tresa

Natyrisht që është emocionuese jo thjesht për sportin që ai përfaqëson, por për një brez të ri, ku jep shembullin e kultivimit të shahut, i cili nxit imagjinatën. Llambi Pasku ka fituar për herë të katërt Kampionatin e Shahut, dhe për të tretin vit radhazi kupën kombëtare, në aktivitetin e zhvilluar në datat 12-20 maj në Tiranë.

Me 20 lëvizje dhe kalin fitimtar, Pasku arriti të mposhtte emocionet falë përqendrimit mendor që ia dhuron shahu, e të korrë fitoren e merituar. Vetëm një ditë pas shpalljes kampion, ai përcjell këto emocione për lexuesit e revistës “Psikologjia”, duke përçuar njëherësh disa mesazhe që ndikojnë për mirëqenien e brezit të ri.

3

INTERVISTA

Sapo keni fituar kupën kombëtare të këtij viti. E sata herë është që e rrëmbeni atë?

Ky është viti i 4-ërt që unë fitoj titullin Kampion Kombëtar dhe është i treti radhazi. Është një emocion i bukur dhe një shtysë e madhe për mua që tashmë që kam kupën e Shqipërisë në sportin e Shahut, të kem mundësi të arrij tituj të lartë në arenën ndërkombëtare.

Cili ishte konkurrenti më i fortë?

Ky sport ashtu si në çdo sport tjetër ka surpriza. Normalisht, konkurrentët më të fortë janë Mjeshtrat Ndërkombëtare si Dritan Mehmeti dhe emra të tjerë si ai. Nuk mund të lë pa përmendur emrin e Franc Ashikut apo dhe suprizën e këtij kampionati Gëzim Nokën.

Sa konkurrentë t’u desh të kapërcenit?

Kampionati zhvillohet në 8 ditë, kështu që për secilin prej nesh kishte 8 konkurrentë që kishin kaluar në fazën finale të Kampionatit pas fazave përzgjedhëse të zhvilluara muaj më parë.

Sa ditë zgjati kampionati dhe pjesëmarrës kish?

Kampionati u zhvillua përgjatë një jave nga data 12-20 Maj. Është një kampionat që zhvillohet si për femrat ashtu dhe për meshkujt dhe kishte si çdo vit një pjesëmarrje të kënaqshme.

Ditën finale, me sa lëvizje e fituat lojën?

Fituesi përcaktohej në ditën e fundit të kampionatit dhe kjo mbarte shumë ngarkesë emocionale, por ndeshja e fundit pati një vazhdimësi të qetë, ku unë fitova me 20 lëvizje.

Cila ishte lëvizja dhe guri që ju dha fitoren?

Lëvizja që më dha fitoren është kali. Në këtë lojë ishte figura e kalit që përdora më shumë.

1

Sa rëndësi kanë të gjithë këta elementë së bashku me përqendrimin mendor?

Ky sport normalisht kërkon shuam qetësi mendore dhe kjo është më kryesorja. Është e nevojshme të kesh shumë përqendrim, strategji dhe një shpirt luftarak. Gjatë Kampionatit, një ndeshje e kisha pothuajse të humbur, sa e gjithë salla u habitën kur unë e ktheva lojën në favorin tim. Shahu është si jeta, asnjëherë nuk duhet të dorëzohesh.

Si ushtroheni në raport me këtë aktivitet, i cili më shumë se sport, konsiderohet si inteligjencë?

Shahu tashmë ka vite që është pjesë e jetës sime, kështu që unë ushtrohem çdo ditë, studioj, shikoj zhvillimet më të fundit rreth botës së shahut. Por sporti i shahut përveç studimit, talentit, kërko ta duash dhe ta kesh pasion atë. Një ndërthurje e këtyre elementëve e bën më të lehtë ta kuptosh, ta perceptosh dhe të sigurosh lëvizjet e duhura.

2

Po disiplina, sa ndihmon në këtë aspekt?

Normalisht, disiplina është shumë e rëndësishme. Shahu kërkon një punë të vazhdueshme dhe në mënyrë intensive. Nëse do tujesh afër tij, duhet patjetër ta kesh atë pjesë të çdo dite.

U bënë shumë vite që merreni me shah, sa është ai pjesë e aktiviteteve sociale, private, apo dhe familjare?

Unë jam rritur me sportin e shahut, e kam mësuar atë nga babi im, i cili luan dhe angazhohet edhe sot. Motra ime gjithashtu ka qenë një lojtare shumë e mirë ndër vite, kështu që shahu është pjesë e familjes. Tashmë ai është pjesë e jetës sime të përditshme, kështu që dhe në shoqërinë time ka gjithmonë vend për shah.

A komunikoni ju ndonjëherë me gjuhën e shahut? Sa ju shërben ai në momente të veçanta?

Shahu është padyshim sporti i mendjes. Ai kërkon qetësi mendore, strategji të mirëstudiuara, të bësh lëvizje në momentin e duhur, ta duash fitoren, të punosh dhe të luftosh për të. Është imagjinatë, taktikë, lëvizje, mbrojtje dhe veprim. Me pak fjalë, ai është i lidhur me çdo komponent të rëndësishëm në jetën reale. Të jep një lloj qetësie dhe aftësi të mendosh dhe t’i paraprish gjërave që kanë propabilitet të ndodhin.

me-femijet

Kurse me fëmijë në shkolla

Sa grupe të rinjsh ndiqni me përkushtimin tuaj mësimdhënës dhe sa e keni zgjeruar si praktikë në shkollat e Tiranës?

Unë kam vite që zhvilloj kurse private dhe jam tepër i lumtur që ka një lloj interesi në rritje për këtë sport. Prindërit gjithnjë e më shumë po kuptojnë rëndësinë e shahut dhe po i angazhojnë fëmijët e tyre në këto kurse. Në mbështetje nga Federata dhe Ministria e Arsimit, po punohet fuqishëm zbatimi i projektligjit për zhvillimin e shahut si lëndë mësimore. Këtë vit unë kam pasur mundësinë të jem pjesë në disa shkolla  në Tiranë, për ta prezantuar para nxënësve dhe lojën e shahut, stafit dhe para prindërve të fëmijëve. Gjatë këtij viti jam mësime në një kolegj privat dhe vitin e ri shkollor kam bindjen që shahu do të jetë pjesë e kurrikulës arsimore të tyre. Kam qenë pjesë jo vetëm e arsimit shtetëror, por edhe atij privat që ka pasur dhe nga ana e tyre një interes të madh. Jam shumë i bindur dhe i lumtur që në këtë vit të ri arsimor do jem pjesë e disa shkollave, ku do jap mësim sipas gjithë bisedave që kam bërë gjatë vitit 2018 me drejtoritë përkatëse.

Keni gjetur përkrahje në këtë drejtim?

Kam pasur mbështetje dhe vazhdoj të kem nga Bashkia e Tiranës, si trajneri i ekipit të Tiranës, për të qenë sporti i shahut sa më afër të rinjve. Një mbështetje të madhe kam pasur ndër vite nga sponsori.

Me presidentin e Federatës së Shahut, Eduard Shalsi

Me presidentin e Federatës së Shahut, Eduard Shalsi

Cili është mesazhi juaj për lexuesit tanë, për të rigjetur emocionet përmes shahut, qoftë dhe përmes teknologjisë që na ka marrë mendjen?

Mesazhi ime është që duhet ta duan shahun dhe të jemi sa më afër tij, sepse është një sport që të ndihmon edhe në jetë.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top