Marrëdhënie

November 10, 2020 | 8:10

Komunikimi këmbëngulës në çift

Shumë studiues bien dakord se fjalët janë të parat që përdoren për dhënien e një informacioni, ndërkohë që gjuha e trupit përdoret për negocimin e qëndrimeve ndërpersonale e në shumë raste përdoret si zëvendësuese e komunikimit verbal. Një vështrim i ngrohtë na thotë shumë më tepër se një fjalim i tërë, që mund të na duket dhe i mërzitshëm ndonjëherë.

Rudina Koromani, MSc Psikologji Klinike

Rudina Koromani, MSc Psikologji Klinike

Një komunikim i mirë është baza e një bashkëjetese të suksesshme. Komunikimi është shumë më kompleks nga sa mendohet. Nuk është dhe aq i lehtë deshifrimi i gjithë informacionit që ne marrim. Është shumë i thjeshtë fokusimi te fjalët, por ato janë vetëm një fraksion i informacionit që përcillet. Ndonjëherë edhe pa folur përcjellim mesazhe të rëndësishme. Mungesa e aftësive të mira komunikative çon në situata shkatërruese, e rrjedhimisht, vështirësi për të punuar me emocionet (menaxhimin e tyre) si dhe në vështirësi për të zgjidhur problemet. Problemet vijnë kur partnerët keqkuptojnë mesazhet e njëri-tjetrit.

Edhe çiftet më të forta e të sinkronizuara mund të kenë komunikime shpërthyese të karakterizuara nga kritika ekstreme, mbrojtje të pavenda, ankthi, sulmimi, mospërfillje, përbuzje, këmbëngulje, kundërshti e refuzim për të komunikuar. Komunikimi këmbëngulës në çift konsiderohet nga ekspertët e marrëdhënieve si mjaft toksike e shkatërrues. Ky lloj komunikimi ndodh te çiftet kur të dy partnerët janë kokëfortë, këmbëngulës dhe që refuzojnë kompromisin.

Në këtë rast është si rrugë me një kalim, ku dy makina s’i hapin rrugë njëra-tjetrës. Komunikimi këmbëngulës nga të dy palët mund të krijojë një mur mes partnerëve. Nëse dikush fiton, çifti humbet. Mendoni për një moment pse është e nevojshme të fitoni? Një individ me pasiguri emocionale mund ta kompensojë duke u dukur si më superior se pala tjetër. Duke u ndjerë fitimtarë, ndjehen më të fortë. Dobësia për ta ekspozon pasiguritë, të cilat bien në kundërshti me besimet e tyre që janë të fortë e të suksesshëm. S’keni nevojë të fitoni që të jeni të lumtur.

Kemi dhe rastin e komunikimit këmbëngulës nga njëri prej partnerëve. Këtë lloj komunikimi Psychology Today e quan sindroma e qukapikut “Woodpeckers Syndrome” një person i fiksuar tek ndjenjat e mendimet e tij vazhdimisht e vazhdimisht, ndërkohë që partneri tjetër tërhiqet në mbrojtje. Njëri nga partnerët nuk heq dorë, duke vazhduar vazhdimisht komunikime toksike e duke përsëritur ligjërata të nxituara e ofensive, ndërkohë që tjetri ndihet i shkëputur gjithnjë e më shumë. Një cikël toksik që përkeqëson marrëdhënien duke ezauruar të dyja palët.

Ndonjëherë jemi dhe gabim: kombinimi gabim, të inatosur dhe kokëfortë është shumë problematik. Një përzierje e qëllimeve të mira dhe vetëdrejtësitë, të ngarkuara nga zemërimi dhe përsëritja, nuk do të prodhojnë kurrë një mënyrë të shëndetshme për të komunikuar. Personat me sindromën e qukapikut janë këmbëngulës dhe kritikë, janë të prirur të fajësojnë, mos dëgjojnë, të përsërisin më forcë gjërat, sepse realiteti i dikujt guxoi të mos pajtohet me realitetin e tyre. Qëllimi i tyre është të fitojnë me çdo kusht pa komunikuar, duke çuar në kompromis besimin dhe humbjen e çdo shprese për t’u lidhur dhe për të dëgjuar tjetrin(Nadia Persun, 2018).

Në momentin që ktheheni në një Qukapik, ju në mënyrë të vazhdueshme shponi në kokën e partnerit për të hapur një rrugë për të depërtuar në kokën e tij, duke injoruar agoninë dhe dhimbjen që shkakton tek ai, i cili ndjehet i frustruar, mbrojtës, e që mundohet ta izolojë veten me heshtje, duke krijuar situata të pashpresa për çiftin.

Një komunikim efektiv është një aftësi që përmirëson shumë marrëdhënien në çift. Teknikat efektive janë dëgjimi i partnerit, një “luftë e barabartë”, përdorimi i fakteve, dhënia e dashurisë, mirëkuptimit e respektit, si dhendihmesa nga palë të treta të besueshme si miq, familjarë, terapistë. Marrëdhënia në çift ka të bëjë me Ne në vend të Unë. Marrja në konsideratë e këndvështrimit të partnerit zbukuron më shumë ditën tuaj. “Ndryshoni komunikimin e gabuar, duke ndryshuar zakonet tuaja” (Erika Crull). E nëse asgjë nuk funksiononsërish, provoni t’i shkruani ato që doni të komunikoni, por jo me mesazhe elektronike.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 151

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top